Emërtimet e rrugëve në qytetin e Kamzës padyshim që janë ndër më të veçantat në Shqipëri, të gjithë e kemi pyetur veten se me çfarë qëllimi janë vendosur. I ftuar në emisionin Kolaudim në In Tv, kryetari i Bashkisë Kamëz zoti Xhelal Mziu, ka zbardhur dritë mbi këtë histori.
Kryebashkiaku u shpreh në Kolaudim se qyteti i Kamzës deri në vitin 2009 ka qenë një qytet pa adresa.
“Në këto 500 apo 600 emra rrugësh që kemi përdorur, kemi nxjerrë një lajmërim që duam të vendosim emrat e rrugëve, pra i morëm mendimin qytetarëve. Të gjithë ata që kishin lidhje, si për shembull kryepleqtë e fshatit apo punonjësit e Bashkisë filluan të më sillnin emrat e gjyshërve apo të të parëve të fshatit. Në këto kushte unë gjeta një zgjidhje tjetër”, u shpreh zoti Mziu.
Sipas kryebashkiakut, janë përdorur emrat e Komunave duke filluar që nga Shkodra, Tropoja e deri në Sarandë 200 emra komunash, 65 emrat e qyteteve të Shqipërisë, emrat e rretheve, emrin e Nicolas Sarkozy, Toni Bler, Silvio Berlusconit etj.
Ndërsa për rrugën me emrin e presidentit të SHBA-ve Donald Trump, kryebashkiaku u shpreh se banorët të cilët banojnë në atë rrugë duhet të ndihen të privilegjuar, sepse sipas Mziut presidenti Trump është një person që do i japë një tjetër impuls jo vetëm Amerikës, por edhe gjithë botës.
Mesa duket së shpejti do kemi edhe një emër të ri, ai i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës. Këtë e ka bërë të ditur vetë kryebashkiaku i cili na tregoi për premtimin që i kishte bërë Rama gjatë vizitës që kishte bërë para disa ditësh. “Madje më bëri edhe një premtim që do t’i bëjë të dy kolektorët po tu vendos emrin e Ramës”, u shpreh kryebashkiaku i Kamzës.
Për më shumë shikoni videon e mëposhtme: