Prof. Xhelal Gjeçovi, SHBA
Këto ditë studiuesi Auron Tare solli në vëmendje të opinionit dy figura të njohura të letrave shqipe, Ernest Koliqin dhe Martin Camajn, por në një këndvështrim të ri, sigurisht jo të panjohur për historianët e studiuesit e fushës së historisë. Duke u mbështetur në rezultatet e kërkimeve në disa arkiva jashtë e brenda vendit, ai sjell dokumente që provojnë se të dy këto figura kanë qenë vënë në shërbim të agjenturave të huaja, të UDB, dhe shërbimeve inteligjente të SHBA, Italisë, Gjermanisë e përmes tyre dhe BS. Reagimet pro dhe kundër këtij publikimi, disa madje mjaft të egra dhe nervoze, ishin të pritshme dhe të natyrshme. Pasi mënyra se si i jepen publikut dhe koha që është zgjedhur për ta bërë këtë lë shteg për disa të bëjnë keqinterpretime e pse jo dhe spekulime, siç është në vesin e në natyrën e shqiptarëve.
Çfarë deklaroi publikisht Auron Tare? Auron Tare, pasi ka kërkuar gjatë në dosjet arkivore të Sigurimit të Shtetit, të CIA-s dhe agjenturave të tjera të huaja, ka botuar disa fakte tronditëse.
Për shembull, ai sjell dokumentin se si Martin Camaj, kur ishte mësues në moshë të re në veri të Shqipërisë ka nënshkruar për t’u bërë agjent i Sigurimit me pseudonimin “Bregu i Kuq”.
Gjatë gjithë shkrimit me titull “Camaj dhe Koliqi të pazbuluar”, autori ngre pikpyetjen nëse lëvizjet e Camajt nga Shqipëria në Beograd e më pas në europën perendimore kanë qenë të sponsorizuara nga Sigurimi apo UDB-ja jugosllave?
Auron tare është tepër serioz kur ndan veprimtarinë e tyre politike dhe agjenturore nga krijimtaria e tyre. Ai thotë se “sa për lëmin e letërsisë nuk kam kompetencën e duhur për t’i gjykuar këta dy shqytarë kalorsiakë, shpresoj që me analizën e mëposhtme lexuesit të krijojnë një ide të qartë mbi “Mitet e rreme” që promovohen dhe lartësohen edhe nga Ministritë tona të Kulturës.”
Në fund të fundit, ky është thelbi. Edhe unë në këtë shkrim nuk do të merrem me vlerat artistike që krijuan Koliqi dhe Camaj, por me atë aspekt që trajton edhe Auroni. Pra me atë pjesë të veprimtarisë së tyre politike dhe agjenturore që jo të gjithë e dinë dhe që nuk i nderon aspak as Koliqin e Camajn dhe as të tjerë që mund të shfaqen papritur… Ajo pjesë e së kaluarës së tyre politike e mbushur me akte antikombëtare, është sa e turpshme aq dhe e pashlyeshme.
***
Por le t’i shikojmë gjërat me gjakftohtësi dhe të arsyetojmë mbi faktet dhe dëshmitë që sjell Auron Tare, të cilat mendoj se janë të sakta dhe thonë të vërteta që disave u duken të hidhura.
Në këtë moment të veçantë, sipas disave ekziston rreziku i përhapjes së konfuzionit jo vetëm për këto figura, por dhe për historinë e vendit përgjithësisht. Ndaj dhe është e nevojshme ndërhyrja e matur dhe korrekte e Akadamisë së Shkencave, insititucionit të lartë shkencor në vend, pasi merr një vlerë të veçantë, pasi fashit mllefet dhe pasionet dhe nuk lë vend për kurrfarë abuzimi e spekulimi, nga çdo anë që të vijnë. Akademia foli dhe sqaron dhe e bën të qartë se ajo vlerëson kontributet e dy figurave të mësipërme në fushën e letrave shqipe, në studimet e tyre në lëmin e historisë, gjuhësisë e të kulturës shqiptare. Njëherësh me të kanë reaguar dhe disa pena të njohura të politikës, të letërsisë e publicistikës, si B. Kopliku, V. Zhiti, M. Baze etj.
Po analizoj më poshtë qëndrimet e tyre.
Kopliku është një intelektual i njohur për qëndrime objektive ndaj zhvillimeve të sotme. Por kjo nuk mund të thuhet për rastin në fjalë, pasi nuk mund të pajtohesh me mendimin se “Koliqi u bë aleat me Italinë, (në këtë rast nuk vë dhe prapashtesën Fashiste), dhe me Gjermaninë (gjithashtu Naziste), që e çliruan Kosovën nga Serbia dhe e bashkuan me Shqipërinë, (përsëri nuk i shton fjalën e pushtuar, siç ishte në të vërtetë). E këtë, sipas Koplikut, ai e bënte që të forcohej e fuqizohej Shqipëria(!). I kujtoj Koplikut se ajo është një tezë e njohur e Ballit Kombëtar dhe kreut të saj Mit’hat Frashëri që kërkonte të justifikonte bashkëpunimin me këto dy fuqi agresore, që kishin shkelur pavarësinë e Shqipërisë. Mirëpo unë e them me bindje të plotë se jo vetëm dy emra të njohur të kulturës sonë, por askush nuk ua shpëtojnë dot nderin as Koliqit dhe Camajt dhe të gjithë atyre që u bënë bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si këtu tek ne dhe tjetërkund në botë.
A thua vërtet beson Kopliku se Koliqi kur votonte në Asamblenë Kushtetuese që populli e quajti Asamble të tradhtarëve, që të hiqej dorë nga pavarësia për të cilën ishin derdhur lumenj të tërë gjaku dhe sovranitetin e vendit t’ia besojë e delegojë Italisë Fashiste, e për këtë qëndrim shpërblehet me postin e lartë të ministrit, forcohej e fuqizohej Shqipëria? Unë nuk besoj se Kopliku nuk e di se pasojat e këtij akti po të vazhdonin gjatë e do të ishin shkatërrimtare për fatin e kombit shqiptar. E theksoj këtë pasi Italia Fashiste kishte planifikuar që brenda pak viteve të ndryshonte përberjen etnike të popullsisë, përmes italianizimit e fashistizimit të vendit, që do të çonte në humbjen e identitetit dhe zhdukje të racës së lartë arberore, siç e cilëson Abaz Ermenji kombin shqiptar, kur e veçon A. Zogun prej tij, për aktin e turpshëm të largimit nga vendi më 7 prill 1939, duke i hapur rrugë agresionit të fashistëve italianë.
Ndërkohë, analisti e publicisti i njohur M. Baze e sheh këtë çështje dhe debatim mbi të në një këndvështrim tjeter. Sipas tij ato e kanë burimin në identifikimin e Shqipërisë me Komunizmin, pasi sipas tij shtetet që rekrutonin agjentë dhe i përgatisnin e i hidhnin si diversantë këtu kishin si qëllim të luftonin komunizmin, diktaturen komuniste e jo Shqipërinë. Këtë mendim mund ta ketë në kokë Baze e të tjerë që mendojne si ai, por jo populli. Këta shtete që për vite të tëra u përpoqën të likujdonin shtetin e pavarur shqiptar, nuk e kishin hallin tek diktatura komuniste dhe vuajtjet gjasme të shqiptarëve, pasi diktatura edhe më të egra kishin ndërtuar në vendet e tyre. I gjithë preokupimi e angazhmi i tyre, synonte realizimin e ambicjeve të vjetra për aneksimin e territoreve të tjera shqiptare, grekët Shqiperine e Jugut dhe jugosllavët pjesën veriore, me qendër Shkodrën. Prandaj populli mbështeti fuqishëm shtetin e Enver Hoxhës që i shkatërroi me rrënjë këto plane që synonin dizintegrimin e destabilizimin e vendit, përmes nxitjes së konflikteve të vjetra të brendshme, që të krijoheshin kushtet që Shqipëria të bjerë vetë e të behej pré e ambicieve të tyre. Mirëpo, pikërisht këtu duket meraku ata që i kundërvihen Tares, te mos përmendja e këtij fakti dhe të mos thuhet një e vërtetë për shtetin e Enver Hoxhës.
***
Kohët e fundit, duke marrë shkas dhe nga publikimimi i dokumenteve të mësipërme nga studiuesi Auron Tare, debati është përqendruar kryesisht në dy figura të njohura, si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. I pari, Koliqi, është i njohur për qëndrimet gjatë dhe pas lufte, një periudhë të cilën mund të them se nuk e njoh pak. Kurse i dyti, Martin Camaj, tërheq vëmendjen më shumë për krijimet letrare dhe studimet në fushën e gjuhësisë e të letërsisë, fusha të cilat nuk mund të pretendoj se i njoh ashtu si shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë, por di që kontributet në këto lëmenj, nuk i janë mohuar, por përkundrazi janë vlerësuar, siç e meritojnë, ketu e sidomos në Kosovë.
Koliqi është një figura që tërheq më shumë vëmendjen, si njëri ndër intelektualët e shquar të kohës, një shkrimtar i njohur, por dhe një shkencëtar me kontribute në fushën e studimeve gjuhësore e letrare. Por ai është dhe një figurë e diskutuar jo pak dhe jo pa shkak për arsye të qëndrimeve të tij politike sidomos gjatë luftës. Shkak për t’u përgojuar e anatemuar në qarqet intelektuale, por jo vetëm, është bërë pranimi nga ana e tij që të bëhej pjesë e administratës kuislinge të ngritur nga okupatori fashist italian, duke kryer detyra të rëndësishme e të besueshme, si ministër i arsimit, Kryetar i Këshillit të Epërm Fashist koorporativ, që luante rolin e një parlamentit, etj. Këtë e theksonte në intervistën e tij në DITA edhe Hasan Luçi, ish-oficer i lartë i Zbulimit shqiptar. Disa autorë e vlerësojnë Koliqin pa i vënë rëndësi këtij fakti, pranimit të detyrave të mësipërme, duke e anashkaluar atë, me qëllim që të sjellin në vëmendje ato gjëra që janë pozitive në veprimtatarinë e tij, si krijues, si shkrimtar e si shkencëtar dhe mirë bëjnë, sepse kjo anë ka nevojë, më së pari, të ndriçohet, jo vetëm për rëndësinë dhe interesin që paraqet, por dhe për faktin se në regjimin e kaluar, për arsyet që dihen, ajo ka qenë injoruar e denigruar, për rrjedhojë dhe e panjohur për opinionin e gjërë.
Por, ajo që nuk shkon në këtë rast e në asnjë rast, është analogjia pa kuptim, që bën zoti Visar Zhiti në një nga shkrimet e botuara para ca kohe për këtë figurë, duke shtruar pyetjen që ngjan si një provokim, që nuk i shkon staturës së autorit e që në fakt e ka përgjigjen brenda: “Kush i solli më shumë dëme vendit, Koliqi apo ata që i shërbyen në detyra të ndryshme regjimit komunist”? Një pyejte e tillë, pa vend, shpreh, veç të tjerash, dhe një prirje për politizim të problemit, pra të diskutimit mbi këtë figurë, sigurisht pa qenë nevoja, pasi dihen tashmë që nuk mund të bëhet kurrfarë krahasimi në mes regjimeve të një vendi, në çdo vend, si do që të jenë ata, me pushtimet e huaja. Për regjimet që kanë qeverisur në të kaluarën e që qeverisin edhe sot Shqipërinë, mund të kemi njëmijë e një rezerva e pakënaqësi, për rrjedhojë dhe gjykime e vlerësime nga më të ndryshmet, por askush, në asnjë vend e në asnjë kohë nuk mund t’i krahasojë ata me pushtimet e huaja e me regjimet kuislinge që ata ngrenë. Krahasimi në këtë rast bëhet për të mbuluar përgjegjësinë e figurave që bashkëpunuan me okupatorët nazifashistë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, por gjithsesi është një gjetje jo e menduar, që lë një shije jo të mirë. Në fakt, për të qenë korrekt me veten e me historinë, studiuesi, historiani ka për detyrë që të mos injorojë, por të trajtojë të dy anët e figurës së Koliqit, siç veprohet me çdo figurë historike, si kontributet që mbase përbëjnë anën kryesore të jetës e të veprimtarisë së tij, ashtu dhe problemet, të cilat, sigurisht, nuk janë te pakta e pa rëndësi. Dhe problemi, në këtë rast, për këtë figurë, siç u tha, është pranimi për të shërbyer në administratën kuislinge që ngriti okupatori, e, në një plan më të gjërë, qëndrimi ndaj pushtimit të vendit.
Po sjell një shembull analog nga fusha e letrave. “Kur më gjykojnë mua si letrar, ka shkruar Dritëro Agolli, më kujtojnë që kam qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe se kam qenë komunist. Edhe shkrimtarëve që kanë bashkëpunuar me pushtuesin duhet t’u përmendet aktiviteti i tyre politik”.
Evidentimi i këtij fakti nuk besoj se ndikon, nuk besoj se cenon vlerat e figurave të tilla, siç nuk ka ndikuar aspak dhe për Agollin. E kunderta ka ndodhur. Figurat e mëdha çmohen e gjykohen në radhë të parë për veprën që lënë pas, që u lënë brezave, që i lënë vendit. Megjithatë, dokumentacioni i kohës, na sjell të dhëna, që tregojnë se kjo çështje, pranimi për të bërë pjesë në administratën kuislinge të ngritur nga okupatori e ka shoqëruar dhe e ka shqetësuar edhe vetë Koliqin, gjatë jetës në emigracion, dhe jo vetëm në subkoshiencë, në ndërgjegje, por dhe në veprimtarinë shoqërore, në kontakte e në ballafaqime me forca e me figura që po përpiqeshin te rimbëkëmbënin e të riorganizonin veprimtarinë e diasporës shqiptare pas lufte. Përmes tyre ai do të njihej dhe me rezervat që shfaqeshin hapur, për përfshirjen ose jo në oganizimet politike që diaspora po përpiqej të ngrinte, pikërisht për shkak të pranimit të detyrave të mësipërme në periudhën e pushtimit fashist. Letërkëmbimi me shokë e me miq, na bën me dije se kjo çështje e ka munduar dhe e ka trazuar herë pas here ndërgjegjen e tij, prandaj e hap dhe e rihap, duke kërkuar, edhe pas kaq vitesh, mendimin e tyre, nëse ka vepruar drejtë apo jo, e duke ripohuar së këtë hap e ka ndërmarrë, pasi është konsultuar me Fishtën e me miq të tjerë, e sigurisht duke menduar se edhe në atë pozicion do të mund t’i sjellë dobi vendit.
***
Siç thashë, trajtimi, sigurisht me kujdes, nuk mendoj se e zbeh apo cenon figurën e Koliqit. E tregon atë ashtu sikundër ishte në të vërtetë, pa hiperbola dhe mbivlerësime të panevojshme. Vetë Koliqi ka qenë i ndërgjegjshëm për këtë aspekt të jetës së tij dhe majde është penduar duke u justifikuar. Përkundrazi, anashkalimi, heshtja, lë shteg për abuzime e për spekulime të natyrave të ndryshme. Kurse trajtimi me kujdes, jashtë çdo abuzimi, e bën atë një figurë më bindëse, të vërtetë e njerëzore, që nuk heziton t’i qaset jetës, të ballafaqohet me realitetin e me dokumentet që e pasqyrojnë atë. Aq më shumë për një figurë si Koliqi, të cilit, në çdo rrethanë, i vjen në ndihmë vepra që ka lënë, vlerat e së cilës janë evidentuar nga kritikët dhe studiuesit këto 30 vitet e fundit. Pikërisht kjo theksohet edhe në prononcimin e Akademisë së Shkencave. Por, gjithsesi, pranimi nga ana tij për të shërbyer në administraten që ngriti okupatori, për cilindo që futej në këtë rrugë, ishte padyshim, për momentin, një minus i madh, një pajtim me të keqen, një veprim jo në linjën e në drejtimin e duhur, që s’i nderonte ata.