• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, May 16, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Xhaketa kthehet

by Edison Ypi
22/04/2026 12:15
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Edison Ypi

Po kthehesha para do kohësh nga një humbje me dashje nëpër Mallakastrën magjike ku rashë e u bëra helaq me baltë te një përrua. Një mallakastriot i urtë që u ndodh aty, dhe rrëzimin tim në baltë e pa live, nuk përtoi, nuk u kursye, nuk u justifikua, më dha xhaketën e vet.

Unë që asgjë të tjetrit, nuk e mbaj, nuk e përvetësoj, po iki atë xhaketë, mallakastriotit mëshirëmadh, po iki t’ia kthej.

Në të dalë të Fierit për kah Patosi, ndala te një karburant. Dikush që i hodhi naftë makinës së vet, i tha pompistit që bashkë me naftën t’i hidhte në serbator edhe ca litra benzinë. Shqeva sytë. Autodidakti alkimist i hidrokarbureve nuk priti ta pyesja. Mos u habit, më tha, naftën e keqe e bëj naftë të mirë duke i hedhur pak benzinë, dhe iku.

I them pompistit:

– I hidhkeni benzinë naftës si i hidhet qumësht kosit ju fierakët?

– Janë ca që i hedhin makinës llumrat e naftës që i mbledhin andej-këtej, i shtojnë pak benzinë dhe shkatërrojnë makinat, ma pret pompisti.

Në Patos, paradite e vranët, e plogësht, e ngordhur. Nuk u fola. Nuk ua prisha terezinë, i lashë patosarët “në naftën” e vet.

Pak përtej Kuqarit, te një kryqëzim ku nuk u ndjeva i sigurt nga duhej t’ja therja, pyes njërin që po pastronte ferrat e kanalit rrëzë shtëpisë së vet nga shkohet në Siqecë. Kujtimi, kështu e quanin, tha se në Siqecë, që ndodhet as pesë kilometra më tutje, nuk kishte qenë kurrë. Vuri re habitjen time dhe, dëgjo tha, unë ta them fijë për pe si shkohet në Milano, në Berlin, në Londër, me aeroplanë, aeroporte, autostrada, çmime biletash, me të tëra, veç për këtu rrotull mos më pyet, s’ia kam haberin.

Mbeta i shastisur. Por erdha shpejt në vete. Ka plot të tillë nëpër Shqipëri. Katundet shqiptare janë plot me toponime, ngjarje, vakira, nostalgjira. Udhëtimet në vendet e largëta janë bosh. Janë si llastik i zgjatur i katundeve nga vijnë. Deri në katundin tjetër rruga është e shkurtër dhe e ngjeshur. Deri në Londër rruga është e gjatë dhe bosh. E njëjta gjë edhe me Kohën që dendësohet e rrallohet, duket e zhduket, hyn e del, ikën e vjen.

Duke ikur drejt Siqecës ku duhet të kthej xhaketën shpëtimtare, dy tipa anës rrugës. Llaf e muhabet me ‘ta, njëri prej tyre, Kastrioti: do vish që do vish në shtëpinë time, kam raki të mirë, bëjmë pak muhabet. Pashë ç’pashë, Kaçi para me motor, unë nga pas me Jeep.

Te shtëpia e Kaçit ktheva një gllënkë raki, dëgjova me ëndje të lehurat e qenit dhe kakarisjen e pulave, mbusha mushkëritë me aromën dehëse të qymezit. Pastaj kqyra disa mikroparcela ku Kaçi kultivonte disa qindra filiza ulliri. I them Kaçit: ku i çon gjithë këta filiza? I shes, thotë, pesë euro copën. Këto janë pak. Në Mallakastër dhe nëpër Shqipëri ka të tjerë që kultivojnë dhe shesin me qindra mijëra filiza në vit.

Pra, mijëra bujq e fermerë vizionarë blejnë çdo vit qindra mijëra filiza ulliri. Presin të bëjnë kokrra pas nja dhjetë vjetësh. Dhe thuaj po deshe se i ka keq punët Shqipëria.

Me t’u ndarë nga Kaçi i fidanave, marr në telefon Myftarin, kryeplakun e Siqecës së xhaketës.

Myftari tha se po korrte ca bar të njomë për bagëtinë dhe shtoi se xhaketën mund ta lë në Ruzhdie, ku Astriti, bamirësi i xhaketës, banon.

Në Ruzhdie, një kalimtar me një thes bar të njomë në kurriz, një kafexhi, një grua brenda gardhit dhe ca goca që po ktheheshin nga shkolla, bashkëpunuan me një solidaritet shembullor që xhaketën ta kthej ku munda: Në mungesë të Astritit, te shtëpia ngjitur e vëllait të tij. Ku angazhimin solemn për t’ia dhënë xhaketën në dorë Astritit e mori, besoj, një kunata e tij që erdhi nga brenda kangjellave.

Siqeca: dy Benza mbuluar me plastmas në oborr, dhe një grua duke nderë rroba mbi një gardh, kusuri heshtje dhe qetësi më e thellë se te Porodaci i Lasgushit.
Meqë andejpari po kaloj, një rrëzim tjetër në baltë, një tjetër filan a fistek mëshirëmadh që të më japë xhaketën e vet, një kthim i tretë në Siqecë, s’do ishin keq. Por unë, si prej qelqi që jam dhe krisem e ciflosem kollaj, te kanionet nuk guxova të zbres.

Në Drenie, me pamje serioze dhe të pikëlluar, si i përket një shërbëtori të përunjur të Allahut, anës rrugës shoh dervishin që shërben te Tyrbia e Baba Rrapos.
Ja rrëfimi rrënqethës i dervishit halvetian Elmas:

U ngritën 10 burra nga Drenia, vajtën në majë të Tomorrit, takuan Abas Alinë. I thanë se mbi Drenie rri varur në qiell një re e zezë, por shi nuk bie, na bëj derman. U tha Abas Aliu: ikni në fshat. Gjejeni një çun 14 vjeç që quhet Rrapo, kullot lopët dhe rri veç nga shokët. Thoini Rrapos ta lëshojë shiun. Me t’u kthyer në Drenie, vajtën i thanë Rrapos që kulloste lopët: Na dërgoi vëllai yt Abas Aliu të themi ty të na e sjellësh shiun. Rrapua bëri duva përmbys mbi një lëndinë. Pastaj, me kokën nga qielli, urdhëroi renë e zezë: lëshoje shiun, i tha resë. Shiu ra nga reja. Arat u vaditën. Fshati u ngjall. Rrapua vdiq. Pastaj u ngjall shenjtor. Besimtarët i bënë një varr ku është tyrbja sot. Varrin e rrethuan me mur. Për të mos e penguar shiun të binte ku të donte, edhe mbi arkivol, edhe mbi Tyrbe, murit nuk i vunë çati. Me kalimin e kohës, varrin e Baba Rrapos e mbuloi ferra. Një uloku 23 vjeç i doli në ëndërr Baba Rrapua dhe i tha: eja ma pastro varrin të shërohesh. Vajti uloku duke u zvarritur. Me ta pastruar varrin, u ngrit. U kthye në shtëpi me këmbët e veta.

Pasi lashë pas Vloshin e Zeqinesë, Roskovecin e Majlinda Bufit, Kutallinë, ullishtën e famshme kodrinore ku rruga zvarritet si gjarpër i plagosur, te rrethrrotullimi ku takohet rruga e Roskovecit me rrugën Lushnjë–Berat, më thërret Abas Aliu nga maja e Tomorrit: mos u kthe, më thotë, në Tiranë nga Lushnja. Therja nga Dumreja.

Bëra si më tha shenjti.

Pa u futur në Dumre, si dikush që i vjen rrotull thelës së bakllavasë që pas pak do e kullufisë, humba me dashje nëpër ca kthesa.

Në një katund të Dumresë ndala dhe pyeta për një mik të vjetër që e pata takuar para disa vitesh në atë vend. Nuk u vinte në hatër me emër. Kur, për t’i ndihmuar ta identifikonin, u thashë se ishte hunderr, e kishte hundën të madhe, u hodh e tha një grua: Këtu të gjithë handerra janë. Këtu të gjithë hundën të madhe e kanë. Na thuaj ndonjë cilësi tjetër. Hunda nuk mjafton. Fill pas gruas me njohuri të spikatura antropometrike, një çun me mjekërr, duke m’u drejtuar mua, më tha me zë të mekur: miku yt ka vdekur.

Mësova si ta prish makinën duke përzier naftën me benzinën si kosin me qumështin.

Vura në vend nderin duke kthyer xhaketën.

Mik i vjetër i vdekur.

Le të bien shira e të rrëzohem nëpër baltra. Me Mallakastrën hyjnore nuk kam të ngopur. Xhaketat do i kthej, te shirat dhe baltat përsëri e përsëri do vi.

Next Post
Minxhozi: Basha ka marrë fund politikisht, nuk do duhej të kthehej

Rama-Micotakis dhe dosja shqiptaro-greke e mbetur pezull

Comments 1

  1. O Shabon, o HunDERR says:
    3 weeks ago

    HunDERR, ka pas vetëm nji m’Tironë, or ti tavarisho, or ti zotnije, ka pas qenë Shabon Qose, ene t’guxojshe ti thojshe HunDERR, do t’hajshe na i gur zalli kaptine që tu fashojshe nja tri javë t’mira…..

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Operacioni në Sarandë, policia del me njoftimin zyrtar: Arrestohen 8 persona dhe 4 efektivë policie

Operacioni në Sarandë, policia del me njoftimin zyrtar: Arrestohen 8 persona dhe 4 efektivë policie

May 15, 2026
Hoxha: Personat pas eliminimit të Martinajt zhdukën edhe trupin për të mos lënë prova

Hoxha: Personat pas eliminimit të Martinajt zhdukën edhe trupin për të mos lënë prova

May 15, 2026
Negociatat Izrael-Liban, DASH njofton zgjatjen e armëpushimit me 45 ditë

Negociatat Izrael-Liban, DASH njofton zgjatjen e armëpushimit me 45 ditë

May 15, 2026
AMP arreston drejtues të Policisë së Sarandës, zbardhen detaje nga aksioni në jug

AMP arreston drejtues të Policisë së Sarandës, zbardhen detaje nga aksioni në jug

May 15, 2026
Pasi u ofrua si kandidat për Tiranën, Braçe i kërkon KQZ-së rezultatet e tij që nga zgjedhjet e 1996-ës

Braçe flet “pa doreza”: Tirana nuk po qeveriset! Ristani të ulë tonet, kryeqyteti me notën 4

May 15, 2026
Trump paralajmëron Tajvanin: SHBA nuk mbështet pavarësinë

Trump paralajmëron Tajvanin: SHBA nuk mbështet pavarësinë

May 15, 2026
Debati në PS, Braçe i del në krah Spiropalit: Nuk ka arsye për përjashtim

Debati në PS, Braçe i del në krah Spiropalit: Nuk ka arsye për përjashtim

May 15, 2026
Atentati ndaj Gilmando Danit, merret i pandehur ish-drejtori i komanduar i AMP-së

Hetim për ndërtime pa leje në Sarandë e Ksamil, arrestohet shefi i komisariatit dhe dy inspektorë

May 15, 2026
Tatimet nisin amnistinë fiskale: Fshihen borxhet e prapambetura dhe gjobat deri në vitin 2024

Tatimet nisin amnistinë fiskale: Fshihen borxhet e prapambetura dhe gjobat deri në vitin 2024

May 15, 2026
Eurovizioni/ Alis: Gara nuk ka mbaruar, na votoni me numrin 5!

Eurovizioni/ Alis: Gara nuk ka mbaruar, na votoni me numrin 5!

May 15, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In