Fatmir Xhafaj në fjalën e mbajtur sot në Kuvend për projektbuxhetin 2025, mes të tjerash tha se ky buxhet mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit dhe prioritetet e integrimit europian të Shqipërisë.
“Ashtu sic vepruam me reformën në drejtësi ne synojmë që me të njëjtën frymë, me të njëjtat standarte të thellojmë më tej reformat që synojnë mirëqeverisjen, pandalimin e luftën kundër korrupsioni dhe sundimin e ligjit”, theksoi Xhafaj duke iu referuar Komisionit të Posaçëm që ai drejton në parlament. Më poshtë pjesë nga fjala e tij.
Jam përpjekur të dëgjoj e lexoj me kujdes opinonet publike që janë dhënë lidhur me këtë projektbuxhet të prezantuar nga qeveria. Edhe kundërshtarët e skeptikët e tij më të mëdhenj nuk mund të mos pranojnë disa fakte të rëndësishme që përbëjnë edhe cilësit kryesore të buxhetit për vitin e ardhshëm.
Të gjithë pranojnë faktin se ky është buxheti më i madh i prezantuar ndonjëherë në vend dhe ky është lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët. Është buxheti që konsolidon trendin 3 vjecar të rritjes së ndjeshme të pagave duke na bërë vendi me pagat mesatare ndër më të larta në rajon, buxheti që garanton një trend pozitiv të rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe që ofron një rritje të ndjeshme të investimeve publike krahsuar me një vit më parë, c’ka jep shpresë për një ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e ekonomisë dhe vecanërisht të sektorit të turizmit.
Disa kolegë opozitar gjithë këto ditë edhe sot këtu në seancë, u përpoqën fort të zbehin efektet dhe dimensionin qytetar të këtij buxheti. Sipas tyre ky buxhet nuk sjell asgjë të re për qytetarin!!
Parasëgjithash është logjike që cdo buxhet si ky, që sjell zhvillim ekonomik, në vetvehte është buxhet për qytetarin, pasi drejtpërdrejtë dhe indirekt ndikon në të ardhurat, përfitimet dhe vecanërisht në biznesin e vogël dhe të mesëm.
Buxheti 2025 gjithashtu garanton rritjen e nivelit të pagave të të gjithë punonjësve të administrates qendrore dhe sidomos asaj vendore dhe nxit e mbështet prirjen e rritjes së pagave e përfitimeve edhe për punonjësit e sektorit privat.
Krahas rritjes së investimeve publike, buxheti parashikon burimet e nevojshme financiare për shpenzimet sociale për të garantuar mbështetjen e grupeve më në nevojë të popullsisë. Ndër të tjera buxheti i vitit 2025 jo thjesht mbështet qartë rritjen e Fondit të Sigurimeve Shoqërore për garantimin e rritjes së pensioneve, por nga ana tjetër, me rritjen e tij shumë të lartë mbështet fort pritshmërit e larta për tju përgjigjur sfidës së rritjes së pensioneve dhe reformës së re të skemës së pensioneve, të paralajmëruar nga qeveria.
Paketa e prezantuar sot këtu nga Kryeministri për pensionet, për bonusin e fundvitit për pensionet, për celjen e një llogarie për bonusin e pranverës, indeksimin etj të tilla ishte një tjetër dëshmi shumë e fortë e dimensionit qytetar të buxhetit.
Është fakt gjithashtu se janë rreth 119 milion euro ose mbi 13% më shumë fondet buxhetore për njësitë e qeverisjes vendore, mëmirë se cdo buxhet i mëparshëm, që në thelb janë mbështetje të forta buxhetore për rritjen e investimeve për komunitetet përkatëse, një mbështetje tjetër aktive për jetën e përditshme komunitare të qytetarëve edhe në zonat më të largëta të vendit.
Këto fakte dhe plotë të tjera si këto dëshmojnë që buxheti i vitit 2025 është jo thjesht buxheti në shifrat më të mëdha të miratuar në këtë parlament, por kryesorja është një buxhet që edhe për këtë shkak, sjell mundësi e përfitime të drejtëpërdrejta për qytetarin në jetën e tij të përditshme.
Buxheti ofron një mbështetje të ndjeshme, në tregues historik, në fushën e arsimit, me rreth 10.84% të shpenzimeve totale të buxhetit të shtetit dhe ky është vërtet një lajm shumë i mire, gjë të cilën e parashtroj shumë qartë ministrja e arsimit nëfjalën e saj. Gjithsesi personalisht mbetem përkrahës i fortë i domosdoshmërisë për një rritje edhe më të madhe të buxhetit në këtë fushë duke menduar shumë më mirë se deri tashti përzgjerimin dhe forcimin e infrastrukturës dixhitale duke filluar nga arsimi parashkollor e deri në universitet, rritjen e ndjeshme të nivelit të formimit dixhital të fëmijëve e të rinjve, mbështetjen e drejtëpërdrejtë të degëve universitare dhe shkollave profesionale në këto fusha në një këndvështrim afatgjatë për brezat e ardhshëm.
Mbështetja e lartë buxhetore e reformës në drejtësi gjithë këto vite e që vazhdon me një trend rritës edhe për vitin tjetër është një dëshmi e fortë e mbështetjes që kjo maxhorancë i ka dhënë dhe vazhdon ti japë zbatimit të reformës në drejtësi, duke synuar konsolidimin e vazhdueshëm të saj.Krejt ndryshe nga ajo cfarë po ofron lidershipi opozitar që përher më shumë po flet për zhbërje të reformës në drejtësi, për ndryshimin e shtyllave kushtetuese të saj.
Buxheti 2025 vazhdon me një mbështetje të konsiderueshme për institucionet e drejtësisë, me një rritje të ndjeshme për to në përputhje me kërkesat e prezantuara prej tyre, pavarësisht se disa kërkesa të prezantuara me argumenta bindës lidhur me mbështetje për godinë shtesë për gjykatën e apelit Tiranë, kërkesat e Shkollës së Magjistraturës, të KLP, të SPAK dhe ato që lidhen me Vetingun duhen rivlersuar dhe gjetur mundësitë për tu plotësuar.
Personalisht vazhdoj gjithashtu të mendoj se diskutimi rreth buxhetit nuk duhet të mbetet vec në prezantimin e kërkesave të ndryshme prej institucioneve të drejtësisë, por ai duhet shoqëruar edhe me një raportim më të qartë e më të detajuar lidhur me zbatimin e buxhetit të vitit në vazhdim si tregues i përgjegjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies publike prej tyre.
Buxheti 2025 synon të mbështes fort një sërë prioritetesh të integrimit evropian të vendit për Shqipërinë 2030 në BE.
Është domethënës vlerësimi i bërë nga Progres raporti i nxjerrë para pak javësh nga Komisioni Evropian në të cilin ndër të tjera theksohet se “Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe ka bërë disa përparime në këtë fushë. Rritja ekonomike ka qenë e fuqishme, e ndihmuar nga turizmi i fortë dhe investimet në rritje. Inflacioni vazhdoi të bjerë. Performanca fiskale u përmirësua dukshëm me raporte më të ulëta të deficitit dhe borxhit. Sektori financiar mbeti i qëndrueshëm”
Vlerësime të tilla, të dhëna nga një dokument zyrtar i Komisionit Evopian, është më shumë se një lajm i mirë. Kjo sepse nga njëra anë konfirmon rrugën e drejtë në të cilën po ecën ekonomia jonë e që ky buxhet me vizionin e tij synon ta konsolidoj më tej dhe nga ana tjetër kjo është një bazë shumë e mirë për ta bërë që vendi të përfitoj më shumë mbështetje nga projektet evropiane cka do të thotë më shumë burime financiare për projektet e zhvillimit ekonomik të vendit, më shumë mundësi për qytetarët. Natyrisht kjo e shoqëruar edhe me rritje të përgjegjësive tona për të përmbyshur detyrimet tona, rekomandimet e BE që në fakt janë një tjetër shtysë për zhvillimin evropian të vendit.
Ky ishte dhe mbetet edhe qëllimi ynë i shprehur në Rezolutën e Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” dhe që po synohet të jetësohet përmes punës së Komisionit të Posacëm Parlamentar.
Ne po synojmë që ti shohim rekomandimet e BE si një nxitje, si një mbështetje për ta thelluar procesin reformues të vendit, për të nxitur e fuqizuar më tej reformat shtetndërtuese, për të hyrë në BE jo thjesht me detyra shtëpie të bëra, por me një shtet e shoqëri të zhvilluar, të përgatitur për të qënë e denjë në përballjen me sfidat e mëdha të anëtarësimit, për të qëndruar me meritë në krah të vendeve anëtarë të BE.
Ashtu sic vepruam me reformën në drejtësi ne synojmë që me të njëjtën frymë, me të njëjtat standarte të thellojmë më tej reformat që synojnë mirëqeverisjen, pandalimin e luftën kundër korrupsioni dhe sundimin e ligjit.
E theksova punën e Komisionit të Posacëm edhe sepse fokusi i punës së tij ka një lidhje të drejtëpërdrejtë me temën që po diskutojmë sot këtu – buxhetin e shtetit. Në dy-tre komponente të rëndësishëm të Dokumentit Analitik të hartuar nga ekspertët zë një vend të vecantë i)Forcimi i kuadrit ligjor e institucional për parandalimin dhe luftën kundër abuzimit me financat publike dhe transparenca në menaxhimin e tyre si dhe ii)Rritja e rolit mbikqyrës të Kuvendit ndaj ekzekutivit dhe institucioneve që merren me administrimin e buxhetit të shtetit. Për këto tema të rëndësishme është debatuar edhe në dy tryeza publike me përfaqësues të institucioneve të pavarura, botës akademike, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe grupeve të ndryshme të interesit. Një debat shumë i frytshëm konstruktiv, me gjetje e ide shumë interesante që do të reflektohen në dokumentin analitik dhe më pas në Planin Kombëtar të Veprimit.
Është një sfidë e madhe për Komisionin, për vet Kuvendin konstatimi i bërë para pak javësh nga Progres raporti i Komisionit Evropian duke nënvizuar se “Një proces i ri i madh reformash për “qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030” u nis nga Parlamenti”.
Ndërkohë që Komisionerja e re për Zgjerimin, theksoj në Parlamentin Europian se: “Do të jetë një fitore e madhe për Shqipërinë, por edhe për ne, kur ky shtet të anëtarësohet në familjen europiane. Besoj se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2027. Shqipëria ka ecur me hapa pozitivë përpara në rrugën e reformave. Duhet që arritjet e Shqipërisë të merren si shembull nga shtetet e tjera të rajonit”.
Ne do dëshironim shumë që ta shihnim opozitën të ishte pjesë aktive e këtij procesi pasi ne i shohim reforma të tilla përtej interesave tona partiake, si reforma të mëdha në interes të drejtëpërdrejtë të qytetarëve tanë.
Natyrisht opozita e zgjedh vet rrugën e saj politike.
Ne jemi të vendosur ti cojmë përpara këto reforma si një proces të ri transformues të jetës së vendit, forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ky është detyrim ndaj qytetarëve tanë, ndaj të ardhmes evropiane të vendit, ndaj të rinjve e të rejave që dëshirojnë të shohin një shtet më modern, më të fortë dhe më të qëndrueshëm në udhën e të ardhmes së tyre.