Ministri i Brendshëm Fatmi Xhafaj deklaroi se operacioni ‘Forca e Ligjit’ është duke skanuar të gjithë grupet kriminale, ndërsa do të bëhet edhe dokumentimi ligjor për t’i vendosur para drejtësisë.
“Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre. Tashmë ka filluar edhe veprimi konkret dhe rezultatet e para jane pozitive“, deklaroi ministri.
Duke folur për bashkëpunimin mes institucioneve, Xhafaj u shpreh se më ndryshimet nga reforma në drejtësi, marrëdhënia me prokurorinë do të jetë më e besueshme se sot.
Deklarata e ministrit vjen në ditën që i mbaron mandati Kryeprokurorit Adriatik Llalla, ndërsa ende nuk dihet se si do të zgjidhet ngërçi për pasuesin e tij, pasi procesi është bllokuar për shkak se nuk është ngritur KLP. Shumica është kundër zgjatjes së mandatit të Llallës, po ashtu edhe SHBA dhe BE, por opozita e kundërshton emërimin e një Kryeprokurori të emëruar nga qeveria.
“Me ndryshimet që do të pësojë prokuroria si rrjedhojë e reformës në drejtësi, do të kemi një partneritet tjetër dhe një marrëdhënie shumë më të besueshme se deri sot” deklaroi ministri.
Përsa i përket kërkimit të tre ish-drejtuesve të lartë të policisë së shtetit që janë të akuzuar për përfshirje në dosjen ‘Habilajt’, ministri tha se “Unë nuk merrem unë me cështjet e kërkimit, kjo është detyrë e policisë dhe besoj që është duke e bërë” deklaroi ai.
I pyetur për bashkëpunimin me ndërkombëtarët për këtë rast ai tha se” T’u japim ndërkombëtarëve atë që u takon, por mos u japin përgjegjësi që nuk u takojnë” përfundoi ai.
a.ç










