Ndonëse Shqipëria shprehu gatishmërinë për t’u bërë strehë për rreth 4 mijë shtetas afganë, evakuimi i tyre po bëhet edhe më i vështirë. Këtë e konfirmon Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, e cila në një intervistë për Klan News tregon numrin e afganëve për të cilët po punohet të mbërrijnë në vendin tonë.
“Presim rreth 1300 të tjerë, për të cilët jemi duke koordinuar me organizatat dhe me partnerët për t’i sjellë ose nga Afganistani ose nga vendet e tjera ku kanë shkuar dhe për shkak të gjendjes kaotike në Kabul u ndanë dhe familjet dhe grupet që duhet të udhëtonin bashkë. Sigurisht angazhimi ynë ka qenë për 4 mijë, një numër që duket i vështirë sot për t’u realizuar për sa kohë që e gjithë kjo situatë është ende dinamike dhe përpjekjet kanë qenë të mëdha dhe gjithashtu vështirësitë”.
Ministrja Xhaçka mohon që Shqipëria të ketë marrë fonde nga vende të tjera për strehimin e afganëve, ndërsa tregon bashkëpunëtorët në këtë proces.
“Shqipëria nuk ka marrë asnjë lekë, nuk ka marrë asnjë fond për të mbështetur strehimin dhe qëndrimin e qytetarëve afganë në Shqipëri. Jemi duke bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare dhe amerikane, patjetër duke koordinuar me shtetin shqiptar dhe institucionet e linjës që bëjnë të mundur ofrimin e sigurisë, shëndetit bazë, arsimit. Ndërkohë, çdo shpenzim tjetër për qëndrimin, strehimin, ushqimin dhe gjithë nevojat e tjera të qytetarëve afganë në Shqipëri mbulohen nga organizatat që jemi duke bashkëpunuar”.
A ka pasur dyshime shteti shqiptar se mes shtetasve afganë të strehuar në Shqipëri ka mbështetës të talebanëve?
“Në aeroportin e Kabulit ka pasur një pre screen për të gjithë ata qytetarë afganë që kanë hipur në avionë e janë transportuar në vende të tjera. Shqipëria ka marrë një lloj elite intelektuale, profesioniste të Afganistanit. Bëhet fjalë për pedagogë, artisë, gazetarë, inxhinierë për njerëz që kanë bashkëpunuar ngushtësisht me organizatat ndërkombëtare dhe amerikane. Është një lloj elite që po ta vëmë në fjalët tuaja infiltrimi do ishte shumë i vështirë. Patjetër ata vijnë së bashku me familjet e tyre, janë gjithë kohës të asistuar edhe nga përfaqësues të organizatave ku kanë qenë të punësuar. Dimë saktësisht kush është gjithsecili prej tyre. Nuk janë ai kompozicion i refugjatit dhe emigrantit tipik që është më së shumti ekonomik”.
Qëndrimi i tyre në vendin tonë ende nuk ka një afat të përcaktuar, gjithsesi Xhaçka parashikon një tjetër plan në rast se lëvizja drejt SHBA do të zgjasë më shumë se 1 vit.
“Asnjëri nuk ka ditur të thotë se sa do zgjasë përfundimisht dhe se kur këta qytetarë afganë do kenë mundësi të lëvizin drejt SHBA pas marrjes së vizave. Parashikimi fillestar ka qenë për disa muaj. Është e vështirë të themi se sa do zgjasë, do të kemi zgjidhje edhe nëse qëndrimi i tyre do të tejkalojë një vit”.
Teksa Rusia, Kina dhe Turqia janë në bisedime me talebanët, Xhaçka thotë se qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj qeverisë së krijuar prej tyre do të jetë në të njëjtën linjë me aleancën e NATO-s.
Gazetarja: Kur pritet të mbërrijë kontingjenti i ardhshëm dhe sa do të zgjasë procedura e evakuimit të të gjithë shtetasve afganë që do të strehojë vendi ynë?
Olta Xhaçka: Në fakt, siç e keni ndjekur, tërheqja e trupave amerikanë dhe të aleancës është kryer përfundimisht deri në datën 31 Gusht dhe nga ai moment kur u mbyllën edhe kufijtë e Afganistanit, ka qenë shumë e vështirë për të evakuuar njerëz dhe për t’i nxjerrë jashtë kufijve dhe për t’i sjellë në Shqipëri apo vende të tjera. Ka disa operacione që po ndodhin për t’i dhënë mundësi të dalin nga Kabuli dhe qytete të tjera, aeroporti Mazar-i-Sherif ka qenë i hapur deri para 2-3 ditësh më parë, po ashtu ka disa tentativa për të dalë nga Afganistani në rrugë tokësore përmes vendeve kufitare me të që po ashtu i kanë kufijtë e mbyllura për momentin.
Ka pasur shumë vështirësi e paqartësi që e kanë bërë të vështirë pritjen e të gjithë atyre që ne kemi marrë përsipër t’i strehojmë dhe t’i ndihmojmë deri në lëvizjen e tyre përfundimtare drejt SHBA. Për momentin, kemi në Shqipëri pothuajse 700 qytetarë afganë, më saktësisht janë 662. Patjetër që jemi të angazhuar me disa organizata që janë duke u munduar të evakuojnë grupe të tjera nga Afganistani që janë pjesë e network-ut të tyre të bashkëpunimit që kanë qenë të punësuarit e tyre, njerëz që kanë punuar me partnerët, aleancën e NATO-s, SHBA që për shkak të sigurisë shumë të keqe në Kabul, veçanërisht gjatë ditëve të fundit të evakuimit dhe tërheqjes së trupave amerikane, e patën të pamundur të largohen. Janë disa mundësi që janë ende duke u shqyrtuar për t’i nxjerrë dhe evakuuar këta njerëz, por që nuk janë bërë të mundura për shkak të vështirësive të jashtëzakonshme të asociuara me këtë proces.
Presim rreth 1300 të tjerë për të cilët jemi duke koordinuar me organizatat dhe partnerët për t’i sjellë nga Afganistani ose vendet e tjera ku kanë shkuar dhe për shkak të gjendjes goxha kaotike në Kabul gjatë ditëve të fundit, u ndanë familjet dhe grupet të cilat duhet të udhëtonin bashkë dhe në njëfarë mënyre, po i ribashkojmë siç edhe po koordinojmë me partnerët dhe organizatat e ndryshme amerikane për të evakuuar të tjerë. Sigurisht, angazhimi ynë siç e keni dëgjuar, ka qenë pëër 4000, një numër që duket i vështirë sot për t’u realizuar për sa kohë që e gjithë kjo situatë ka qenë dinamike, përpjekjet kanë qenë të mëdha, por edhe përpjekjet po ashtu për t’i evakuuar këta njerëz.
Gazetarja: Zonja ministre, çfarë ndodh me shtetasit afganë që tashmë janë akomoduar në struktura hoteliere në disa prej qyteteve në vendin tonë në nëse qëndrojnë më shumë se një vit dhe në rast se do të duhet t’i lirojnë këto hotele për shkak edhe të turizmit? Cili është plani?
Olta Xhaçka: Kjo është një situatë e përkohshme. Asnjëri nga ne nuk ka ditur të thotë se sa do të zgjasë përfundimisht dhe se kur këta qytetarë afganë do të kenë mundësi të lëvizin drejt SHBA pas kryerjes së procedurave dhe marrjes së vizave për shtetin amerikan. Vlen të thuhet që ka një pre-screenin, një lloj kontrolli që është kryer për ta përmes punëdhënësve të tyre ose rrjetit që kanë bashkëpunuar, organizatave të tyre, organizatave amerikane, i kemi përmendur disa herë, janë organizata shumë prestigjioze, me të cilat jemi duke bashkëpunuar për mbështetjen e të gjitha këtyre grupeve si për mbështetjen financiare, akomodimin dhe qëndrimin e tyre në Shqipëri, i cili është marrë përsipër prej tyre, ashtu edhe për të bashkërenduar vendimet dhe veprimet më afatgjatë nëse ky proces do të zgjasë përtej atij që ishte parashikimi fillestar.
Parashikimi fillestar ka qenë për disa muaj, mendojmë që për shkak të numrit shumë të madh të të evakuuarve, nëse e mbani mend në fillim u fol për 20.000 të evakuuar dhe më pas ky numër ka tejkaluar 120.000 të evakuuar që ndodhen sot nëpër botë, në disa kampe ushtarake që po ashtu po procedohen duke hyrë kështu në një ushtrim konsullor të përmasave të jashtëzakonshme që e bën këtë proces të marrë kohën e vet dhe të zgjasë. Është e vështirë të themi se sa do zgjasë, por di t’iu them që për sa kohë këta qytetarë procedohen, largohen e kështu me radhë, do të kemi mundësi të fitojmë kohën, jo më së shumti duke pasur parasysh sezonin turistik që do të afrojë, patjetër do të kemi zgjidhje edhe në qoftë se qëndrimi i tyre këtu do të tejkalojë një vit, por më së shumti për të pasur një proces sa më të parashikueshëm edhe për ata vetë, të cilët presin të bashkohen me familjet e tyre atje apo të rinisin një jetë të re atje ku janë të destinuar për ta bërë.
Gazetarja: Sa i përket kostos financiare, duke qenë se e cekët edhe ju pak, Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë që Shqipërisë i kemi paguar në fakt koston e qëndrimit të afganëve në vendin tonë. A qëndron kjo deklaratë?
Olta Xhaçka: Shqipëria nuk ka marrë absolutisht asnjë lek, asnjë fond për të mbështetur strehimin dhe qëndrimin e qytetarëve afganë. Siç ju thashë, ne jemi duke bashkëpunuar me të gjitha këto organizata ndërkombëtare amerikane të cilat po e mbështesin strehimin dhe qëndrimin e qytetarëve afganë këtu, patjetër duke koordinuar me shtetin shqiptar, me të gjitha institucionet e linjës të cilat bëjnë të mundur ofrimin e sigurisë, e shëndetit bazë, jemi duke folur për ofrimin e arsimit për të gjitha grupmoshat e fëmijëve që janë pjesë e këtij grupi, ndërkohë që çdo shpenzim tjetër për ushqimin, strehimin, qëndrimin dhe të gjitha nevojat e tjera të qytetarëve afganë në Shqipëri mbulohen nga organizatat me të cilat jemi duke bashkëpunuar.
Gazetarja: Sa i përket shtetasve afganë që janë strehuar në vendin tonë, a ka patur dyshime shteti shqiptar se mes tyre mund të ketë edhe mbështetës të talebanëve dhe për sa i përket atyre që priten të vijnë në vendin tonë, a ka një kontroll ose verifikim që bëhet për secilin prej tyre?
Olta Xhaçka: Në aeroportin e Kabulit, jua thashë edhe pak më parë, ka pasur një pre-screening për të gjithë ata qytetarë afganë të cilët kanë hipur në avion dhe janë evakuuar apo transportuar drejt vendeve të tjera. Në rastin tonë, ne e kemi thënë disa herë që Shqipëria ka marrë një lloj elite intelektuale profesioniste të Afganistanit. Bëhet fjalë për profesionistë dhe familjet e tyre, pedagogë, aktivistë të të drejtave të njeriut, artistë, gazetarë, inxhinierë, njerëz që kanë punuar ngushtësisht me organizatat ndërkombëtare dhe amerikane në fushën e të drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë, në fushën e arsimit, në Universitetin Amerikan të Kabulit dhe në institucionet e tjera të medias, pra është një lloj elite, ku po ta vë në fjalët tuaja, infiltrimi do të ishte shumë i vështirë.
Patjetër që ata vijnë bashkë me familjet e tyre, janë gjatë gjithë kohës të asistuar edhe nga përfaqësues të organizatave ku ata kanë qenë të punësuar apo me të cilat kanë bashkëpunuar, ne dimë saktësisht kush është gjithsecili prej tyre dhe nuk janë kompozicioni i refugjatit apo emigrantit tipik që është më së shumti ekonomik, por është një elitë intelektuale dhe kulturore e cila se bashkëpunoi me Amerikën dhe NATO-n gjatë këtyre 20 viteve, i rrezikohet sot jeta se konsiderohen tradhtarë duke qenë bashkëpunëtorë të atyre vlerave dhe të atij vizioni.
Gazetarja: Vendet si Kina, Rusia apo edhe Turqia kanë deklaruar se janë në bisedime me talebanët, qoftë edhe për të njohur qeverinë e krijuar prej tyre. Cili do të jetë qëndrimi i vendit tonë?
Olta Xhaçka: Bashkë me aleancën, bashkë me NATO-n, ne kemi qenë në Afganistan për thuajse 20 vjet, duke kontribuar në atë mision të rëndësishëm , pikë së pari për t’i ofruar siguri qytetarëve të Afganistanit dhe e dyta, për të ndërtuar një Afganistan më modern, demokratik që do të ofronte më shumë mundësi për qytetarët dhe të rinjtë e vet. Patjetër që ritmi me të cilin precipituan gjërat ka qenë i paparashikueshëm, besoj edhe për aleatët tanë, patjetër edhe për ne, ndaj në këtë moment konsideratat e këtij lloji janë shumë të parakohshme, pasi prioritet kryesor është të ndihmojmë ata që kanë qenë partnerët tanë, t’iu ofrojmë strehë, të sigurohemi që jeta e tyre nuk është rrezikuar dhe e familjeve të tyre dhe të menaxhojmë këtë emergjencë njerëzore. Çdo konsideratë tjetër do të jetë në një moment të dytë, jam e bindur dhe do të jetë brenda aleancës së NATO-s.
Gazetarja: Zonja ministre, për ta përmbyllur me një nga çështjet që është cilësuar si prioritet për qeverinë shqiptare, çështjen e integrimit në BE. Vëzhgues të politikave ndërkombëtare shpesh herë e kanë parë BE drejt tkurrjes dhe jo zgjerimit. A ka Shqipëria një skenar në rast se çështja e zgjerimit do të mbetet vetëm në letër?
Olta Xhaçka: Shqipëria nuk ka skenare alternative, ka vetëm një perspektivë që është ajo europiane, pa asnjë diskutim dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrat tona, jo thjesht për të eksportuar problemet tona në Europë, por mbi të gjitha për të importuar vlerat europiane që ne në fakt i kemi mishëruar, por edhe ato që janë standardet, detyrat, obligimet që ne duhet të përmbushim për të avancuar në këtë proces dhe ne padiskutim do të bëjmë pjesën tonë. Është një proces teknik, sa ç’është edhe një proces politik.
Aspektin teknik të procesit e kanë vlerësuar të gjitha institucionet europiane, të cilat janë të ngarkuara me këtë detyrë dhe Shqipëria e ka kaluar atë fazë. Sigurisht që procesi bëhet edhe politik për shkak të konsideratave politike, politikave të brendshme të vendeve anëtare, të cilat për një arye apo për një tjetër pengojnë procesin. Procesi sot, ju e dini, është penguar për shkak të një mosmarrëveshjeje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne kemi besim se ky ngërç do të zhbllokohet përmes konsensusit mes dy vendeve, patjetër me ndihmën konstruktive të partnerëve tanë. Jemi optimistë, ne kemi bërë gjithë sa duhet të bënim dhe çfarë mund të bënim dhe jemi optimistë që ky proces do të vazhdojë pozitivisht duke ecur në rrugën e duhur.