Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim inauguruan rezidencën e ambasadorit amerikan me emrin “Shtëpia Ryerson”, në nderim të ambasadorit të parë amerikan në Tiranë, Uilliam Rajerson.
Në pritjen e organizuar me rastin e 30-vjetorit të hapjes së ambasadës së parë amerikane në Tiranë, ministrja Xhaçka shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara kanë treguar në çdo moment kyç të historisë së vendit tonë.
Xhaçka nënvizoi se Shqipëria sot është krenare që është një aleate serioze dhe e denjë e SHBA-ve, duke e cilësuar këtë të fundit si një partner strategjik të pazëvendësueshëm.
“Mirënjohëse për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo moment kyç të historisë sonë. Krenare që sot Shqipëria është një aleate serioze dhe e denjë, në krah të këtij partneri strategjik të pazëvendësueshëm me të cilin na bashkojnë vlerat dhe lidhjet e pafundme njerëzore mes popujve tanë”, tha ministrja Xhaçka.
/a.r