Wilson dhe Trump, pavarësisht stileve të ndryshme, ofrojnë dy paradigma që shqiptarët mund t’i përdorin si busullë: parimet morale dhe universaliste të wilsonizmit dhe pragmatizmin dinamik të trampizmit. Nëse këto dy logjika ndërthuren, shqiptarët do të arrijnë të forcojnë pozitën e tyre si urë transatlantike, duke e konsoliduar integrimin euro-atlantik dhe duke ruajtur aleancën strategjike të pakushtëzuar me SHBA.
Nga Prof. dr. Skënder ASANI
Procesi wilsonian, i shpallur pas Luftës së Parë Botërore, u bë një pikë kthese për kombet e vegjël, sepse përmes doktrinës së 14 Pikave u njoh e drejta e tyre për vetëvendosje dhe u krijua Shoqata e Kombeve si përpjekja e parë për një rend të ri ndërkombëtar të bazuar mbi të drejtën dhe paqen. Një shekull më vonë, trampizmi hyri në politikën globale si një qasje kontrastive, që mbështetej jo mbi idealizëm universal, por mbi interesin e drejtpërdrejtë amerikan dhe logjikën transaksionale. Megjithatë, mes Wilsonit dhe Trumpit ekzistojnë ngjashmëri të habitshme: të dy e vendosën Amerikën në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare dhe synuan ta ridimensionojnë raportin e saj me botën, duke i dhënë hapësirë edhe popujve të vegjël. Pyetja që shtrohet sot është nëse SHBA do të vazhdojë kontinuitetin e kësaj filozofie politike, duke kombinuar parimet morale të wilsonizmit me pragmatizmin dinamik të trampizmit, apo do të shfaqet një paradigmë e re.
Në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Versajë, kur po ridizejnohej harta politike e botës, mërgata shqiptare dëshmoi një mobilizim të jashtëzakonshëm duke u shndërruar në një nga zërat më aktivë në arenën ndërkombëtare. Elita intelektuale e saj, me figura si Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, ndërmori një ofensivë diplomatike të pashembullt për të fituar përkrahjen e fuqisë së re botërore Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequra nga presidenti Woodrow Wilson. Përmes protestave, botimeve, memorandumeve dhe delegacioneve të ardhura nga e gjithë bota, shqiptarët ia dolën të impononin çështjen e tyre në kabinetin amerikan dhe të fitonin një aleat strategjik që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. Ky moment historik dëshmoi fuqinë e diasporës së organizuar dhe shënoi fillimin e një rrugetimi që, brenda një shekulli, do të sillte arritje të mëdha nga shpëtimi i shtetit shqiptar deri te pavarësia e Kosovës dhe avancimi politik i shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi.
Katër presidentë amerikanë janë nderuar me Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë figura të lidhura me momente historike që ndalën kriza e luftëra dhe ridimensionuan konfiguracione gjeostrategjike botërore. Theodore Roosevelt (1906) u vlerësua për ndërmjetësimin e paqes mes Rusisë dhe Japonisë, Woodrow Wilson (1919) për krijimin e Lidhjes së Kombeve, Jimmy Carter (2002) për përpjekjet e tij të vazhdueshme në zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërsa Barack Obama (2009) për forcimin e diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimit mes popujve. Në këtë radhë, edhe Donald Trump, me angazhimin për parandalimin e vatrave të krizës dhe shuarjen e mosmarrëveshjeve, përfshirë ato në Ballkan, synon të shfaqet si vazhdues i kësaj tradite presidenciale amerikane. Një rol i tillë do të forconte pozitën globale të Amerikës, por edhe do të përbënte një vijimësi të procesit wilsonian, që shpëtoi popujt e vegjël nga shuarja dhe copëtimi.
Historia shpesh na ofron paralelizma të habitshëm mes personaliteteve politike që ndonëse të ndarë nga një shekull, kanë reflektuar qasje të ngjashme mbi fatin e popujve të vegjël dhe arkitekturën e paqes globale. Në këtë plan, Presidenti Woodrow Wilson dhe Presidenti Donald Trump shfaqen si dy figura kontrastive në stil, por me pikë përbashkuese në thelbin e tyre diplomatik: përpjekja për të vendosur Amerikën në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare dhe për të ripërcaktuar raportin e saj me botën.
Wilson, përmes “14 Pikave”, krijoi një doktrinë të re ku popujve të vegjël u njihej e drejta për vetëvendosje, duke hapur rrugën për krijimin e shteteve kombëtare pas Luftës së Parë Botërore. Kjo filozofi nuk ishte vetëm një program paqeje, por një vizion për një rend të ri botëror, i bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe parimet morale. Për shqiptarët, kjo ishte një dritë shprese në një periudhë të rrezikuar nga copëtimi, duke e vendosur çështjen shqiptare në agjendën e fuqive të mëdha.
Trump, nga ana tjetër, solli në politikën ndërkombëtare një frymë të re, të quajtur shpesh “trampizëm”. Në vend të vizionit universalist wilsonian, Trump veproi mbi logjikën transaksionale: çdo angazhim duhej të sillte përfitim të qartë për SHBA. Megjithatë, edhe ky model, me gjithë skepticizmin që ngjalli, kishte një element të ngjashëm me qasjen wilsoniane respektin për sovranitetin e popujve dhe parandalimin e shpërthimeve të reja të krizave. Diplomacia e tij shpesh spektakolare, që kombinonte presionin me elemente të pazakonta të komunikimit politik, synonte të vendoste baraspeshë në një botë gjithnjë e më të fragmentuar. Përballja me Putinin, apo menaxhimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, treguan se Trump përpiqej të krijonte një model të ri ndërveprimi ku perceptimi i forcës kishte prioritet mbi marrëveshjet formale.
Në këtë kuadër, shqiptarët gjenden në një pozitë të veçantë. Sikurse në kohën e Wilsonit, edhe sot ata shihen si faktor i paqes dhe stabilitetit në një Ballkan të tensionuar. Megjithatë, konteksti ka ndryshuar. Integrimi europian është i ngadalshëm, ndërsa rivalitetet gjeopolitike e mbajnë rajonin të ekspozuar ndaj pasigurive. Prandaj, roli i SHBA-së mbetet jetik, por kërkon një qasje më të sofistikuar. Fryma wilsoniane e të drejtës ndërkombëtare dhe fryma trampiste e interesave të drejtpërdrejta mund të kombinohen për t’i dhënë shqiptarëve hapësirën e nevojshme në skenën ndërkombëtare: nga sigurimi i sovranitetit dhe mbështetja për Kosovën, deri te projektet energjetike e infrastrukturore që lidhin rajonin me Perëndimin.
Një element i përbashkët për të dy presidentët është rëndësia që i atribuohet miqësisë shqiptaro-amerikane. Në kohën e Wilsonit, shqiptarët u mbështetën në parimet e tij për të mbijetuar politikisht. Në kohën e Trumpit, ata shfrytëzuan instrumentin e fuqishëm të lobit në SHBA, duke treguar se diaspora mund të ndikojë në balancat elektorale dhe të mbajë gjallë interesin amerikan për çështjen shqiptare. Kjo dëshmon se lidhja shqiptaro-amerikane nuk është vetëm një sentiment historik, por një kapital politik që duhet shndërruar në partneritet strategjik.
Wilson dhe Trump, pavarësisht stileve të ndryshme, ofrojnë dy paradigma që shqiptarët mund t’i përdorin si busullë: parimet morale dhe universaliste të wilsonizmit dhe pragmatizmin dinamik të trampizmit. Nëse këto dy logjika ndërthuren, shqiptarët do të arrijnë të forcojnë pozitën e tyre si urë transatlantike, duke e konsoliduar integrimin euro-atlantik dhe duke ruajtur aleancën strategjike të pakushtëzuar me SHBA. Kjo është jo vetëm një strategji politike, por një aksiomë historike që përcakton fatin e kombit shqiptar në shekullin XXI.
Shkup,01 shtator 2025











