Deputetja opozitare, Teuta Haxhiu e ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se nuk i befason ky vendim i ekspertëve ndërkombëtar ngaqë është vendim politik dhe nuk është i pranueshëm. Si rezultat i kësaj, Haxhiu ka paralajmëruar protesta.
Ajo ka thënë se gabimi është argumentuar jo vetëm nga ekspertët e partive politike, por edhe nga profesionistët e kësaj fushe, transmeton Koha.net. “Mustaf Hazir Mulaj është i varrosur më 1935 në një zonë që do të mbetet në Mal të Zi me demarkacion dhe janë edhe 30 varreza tjera”, ka përmendur Haxhiu duke thënë se që atëherë ka qenë zonë e Kosovës.
Haxhiu ka thënë se u është kundërshtuar puna brenda Kuvendit, duke shtuar se zgjidhja do të jetë rruga. Protesta e paralajmëruar, sipas Haxhiut, i gjen të tri partitë të bashkuara dhe pa asnjë përçarje.
“Për Zajednicën dhe demarkacionin ne jemi bashkë dhe nuk ka dilema. Jemi duke punuar çdo ditë për protesta”, ka thënë Haxhiu. Ndërsa për kthimin në Kuvend, ajo ka thënë se do të kthehen vetëm nëse votohet Ligji për FAK-un.