Presidenti serb Vuçiq, pas krizës ndërmjet dy shteteve – Kosovës dhe Serbisë, të shkaktuar nga hyrja e paligjshme e drejtorit të së ashtuquajturës “Zyrë serbe për Kosovën” Marko Gjuriq dhe arrestimit të tij nga organet kosovare, i ka bërë thirrje popullit serb në Kosovë që të mbetet i qetë, transmeton Gazeta Express.
“Terroristët s’do të guxojnë t’u bëjnë asgjë”, ka thënë Vuçiq pasi që organet e Kosovës e arrestuan, e morën në pyetje dhe e dëbuan nga Kosova njeriun që ai e ka emëruar “shef për Kosovë e Metohi” dhe përcjellësit e tij, pjesëtarë të Qeverisë serbe.
Vuçiq, përkundër veprimeve të tij provokuese dhe luftënxitëse, ka thënë se “Serbia kurrë dhe askënd s’do ta provokojë”, transmeton Express.
“Ky ishte një mësim i mirë për ne, por kurrë në të ardhmen s’do t’i lejojmë ta rrezikojë sigurinë e qytetarëve tanë”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb e ka porositu Listën Serbe që “me kokë të ftohtë të marrë vendimin për mbetjen në Qeverinë e Kosovës”.“Ne s’do të ndikojmë në këtë”, ka thënë Vuçiq. (b.an)