Gjykata kundër Krimit dhe Korrupsionit ka lënë në burg Altin Ndocin dhe Klevis Allën të arrestuar për vrasjen e Viktor dhe Besmir Haxhia në 27 Prill në Durrës.
Gjykata ka caktuar masën e arrestit me burg në mungesë edhe për Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin, pasi janë në kërkim për këtë ngjarje. Prokuroria akuzon këta persona se kanë ekzekutuar edhe dy të rinjtë, Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia në 2 Mars në qytetin e Durrësit.
Hetimi i vrasjes së dyfishtë të ndodhur pranë tregut të automjeteve, ka zbuluar se krimi është kryer nga një grup i strukturuar kriminal. Për këtë shkak çështja është transferuar nga Prokuroria e Durrësit për kompetencë në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Ka qenë dëshmia e 22-vjeçarit Klevis Alla që ka treguar përballë hetuesve personat me të cilët ka bashkëpunuar për të kryer vrasjen, duke nxjerrë edhe emrat e autorëve.
/a.r