Dënim maksimal kanë kërkuar për Naim Murselin familja e Liridona Ademajt.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridonës, ka dëshmuar vëllai i së ndjerës, Leonard Ademaj.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka treguar se si e ka kuptuar për vrasjen e motrës.
“Ai më tha që na ka dalë një e na kërkoi lekë… Pasi kemi shkuar 4-5 metra, e kam dëgjuar një krismë…” tha vëllai i Liridonës.
Ai ka thënë se fëmijët e motrës i ka takuar më vonë edhe në Suedi, derisa fëmijët, në prezencë të psikologëve, i kanë treguar që kanë qenë në veturë kur është vrarë Liridona.
Fëmijët, sipas tij, nuk duan ta takojnë babanë e tyre.
Sipas aktakuzës, Naim Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro.
Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.
Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës.
