Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Naim Murselin, i dyshuar si porositës i vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj. E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për autorin e vrasjes, Granit Plavaj si dhe te arrestuarin e tretë.
Bashkëshorti akuzohet për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, ndërsa autorit për veprën penale Vrasje e rëndë dhe vepën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.
Liridona Murseli, u vra në sy të dy fëmijëve të saj të mitur mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë.
I pranishëm ishte dhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, i cili dyshohet se ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro, për të vrarë Liridonën.
Fillimisht ai deklaroi se kishin rënë pre e një grabitjeje dhe mori pjesë në ceremoninë mortore të 30-vjeçares.
Ai la një kurorë me lule mbi varrin e së ndjerës ku thuhet “të kujtojnë me mall djemtë dhe burri jot, Naimi.”
Disa orë pas ceremonisë ai u arrestua pasi dyshohet se është porositës i krimit.
Së bashku me të u arrestua edhe autori i dyshuar i cili ka qëlluar në drejtim të Liridonës, Granit Plava si dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Plava deklaroi dje para hetuesve se u pagua 30 mijë euro nga Naimi për të kryer vrasjen. Sipas tij 15 mijë eruo ia kishte dhënë para krimit dhe 15 të tjera pasi “ta kishte mbaruar punën”.
/a.r