Babë e bir janë autorët e vrasjes së 43-vjeçarit Alket Muho, i ekzekutuar një ditë më parë në Memaliaj.
Hetem Muho, 59 vjeç dhe Dino Muho, 20 vjeç, të banues në Sarandë u arrestuan këtë të premte.
Sipas policisë, “ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme rreth orës 11:35, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin A.M., 43 vjeç, banues në fshatin Rabie, Tepelenë. Kjo ngjarje ndodhi në vendin e quajtur “Bolovec” të fshatit Rabie”.
Dy autorët, sqaron policia, dyshohet se e kanë vrarë Muhon për shkak të konflikteve të përsëritura me motive pronësie, në fshatin e origjinës së autorëve.
Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje kryer në bashkëpunim, prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit, si dhe prodhim e mbajtje pa leje armëve të gjuetisë dhe sportive.
/b.d