Nga Altin Ketro
Teksa shihja nëpërmjet televizorit prokuror e SHQUP-it ku jepte pretenca se ç’duhej bërë me fatin e Valdrin Pjetrit, pyesja veten se nga u buron kjo urrejtje kaq e madhe e PD-së për ish-zyrtarin e lartë të sajit që po kjo parti e promovoi. Kanë një javë që e trajtojnë sikur të ishte trafikanti më i madh i drogës në Evropë.
Zotit Pjetri iu bë një gjyq publik aq sa edhe sikur këto ditë të kishte ardhur nga Italia një skedë e pastër për të, ai sërish do ta kishte shumë të vështirë të qeveriste, pasi gjithë ajo çka u ngrit ndaj tij do t’i merrte shumë kohë e energji.
E gjithë ajo çka PD-ja hodhi ndaj tij, më shumë se sa për të mbrojtur disa vlera të rreme që të bëjnë për të qeshur kur dalin nga goja e atyre që janë vetë në hetim për financime ruse, në të vërtet kanë pasur si qëllim frikën se zoti Pjetri do të sillte një frymë të re drejtimi në bashkinë Shkodër, të pa hasur këto 30 vjet në atë bashki.
Partia Demokratike e ka parë Shkodrën thjesht si hambar votash, por kurrë si një bashki ku duhej investuar për ta nxjerrë nga problematikat infrastrukturore që ka. Duke ditur besnikërinë e votave të shkodranëve për të, kur kanë pasur pushtetin qëndror e kanë neglizhuar me idenë se ata sërish do i votojnë, bëjnë apo nuk bëjnë investime.
Kurse nën pushtetin e socialistëve e kanë pasur me shumë zell mosbashkëpunimin për ta treguar si gogol qeverinë në sytë e popullit. Sa herë ka dashur të shkojë kryeministri në Shkodër, është ndeshur me barrikada nëpunësisht bashkiakë që i vinin kufirin tek Ura e Bahçallëkut. Duke e trajtuar kryeministrin Rama si armik të Shkodrës, kanë pasur synimin e mbrapsht për ta dekurajuar atë që të vërë dorë në atë bashki që ai e ka vërtet për zemër.
Me një kryebashkiake tmerrësisht mediokre, që s’u bë kurrë lidere qyteti, as frymëzim për banorët atje, që adhuron molotovin dhe gueriljen për të penguar kryeministrin që të zhvillojë takime elektorale me mbështetësit e vetë, ajo bashki përhumbi në vite të tëra nën drejtime njerëzish pa vizion dhe pa ndjenjë dashurie për ta zhvilluar atë qytet.
Më 30 qershor Partia Socialiste nuk e kishte qëllim në vetvete për ta marrë në drejtim Shkodrën sa për t’i thyer hundën PD-së meqë e konsideronte kala të pamposhtur të sajën. Kryeministri Rama e donte fitoren sepse donte të shpaloste atje vizionin e zhvillimit që ia pengonte paria aktuale.
Personalisht e kam dëshiruar atë fitore, qoftë edhe për një 4 vjeçar, sepse më duhej një model krahasimi. Nuk do të më vinte fare keq sikur pas 4 vitesh shkodranët t’ia besonin sërish bashkinë demokratëve, edhe pse Shkodra do të kishte marrë një zhvillim të atillë që s’e kishte parë kurrë në 30 vjet. Ama do kishim më në fund një ballafaqim modelesh zhvillimi midis PS dhe PD, nga ku mund të nxirrnim konkluzione më objektive.
Gjithsesi, me tërheqjen e zotit Pjetri, Shkodra po shkon sërish drejt zgjedhjeve për një kryebashkiak të ri. Partia Demokratike ende nuk është prononcuar zyrtarisht nëse do të hyjë apo jo në zgjedhje. Nëse do u përmbahet parimeve që i ka vënë vetes, PD-ja nuk duhet të hyjë në zgjedhje.
Megjithatë kryebashkiakja në ikje, Voltana Ademi, duhet të futet në zgjedhje. A futet si e pavarur, a futet si kandidate e ndonjë partie tjetër, kjo është punë e saj. Ama, ajo e ka për detyrim që të futet.
Ashtu siç Partia Socialiste ka një historik 30 vjeçar që nuk fitonte në këtë bashki, edhe PD-ja ka historikun e vetë, duke qenë se asnjë kryebashkiak i saj nuk ka bërë së paku dy mandate radhazi. Gjithnjë Shkodra është trajtuar nga PD-ja me kryebashkiakë njëpërdorimësh, kjo për faktin se asnjë prej tyre nuk linte gjurmë me punën e tij. Mbase edhe lufta klanore brenda llojit ka bërë të sajën, por fakti është që askush më parë nuk e ka testuar veten se sa rezultat ka pasur në mandatin e parë për të merituar një mandat të dytë. Prandaj Voltana Ademi e ka detyrim personal që të përballet me kandidatin tjetër të mazhoranës
Por Voltana Ademi ka një problem të madh. Ajo ke vënë një stekë shumë të lartë, stekë nga e cila nuk duhet të bjerë kurrsesi. Pas zgjedhjeve të 30 qershorit ajo la të kuptohet se ka mbështetjen e 94 për qind të shkodranëve të cilët ditën e votimit e kishin emrin në listë. Me këtë formulë ajo u tall me Valdrin Pjetrin teksa i kujtonte vazhdimisht 6 për qindshin e votave.
Prandaj ajo duhet të marrë jo më pak se aq sa pretendoi se ka pas rezultatit të 30 qershorit. Kjo do e bënte më të denjë në detyrën e saj dhe do t’i jepte kuptim postin të nderuar. Zonja Ademi! Je e ftuar ta provosh këtë mbështetje në mejdanin e përballjes elektorale.
(TemA)