Nga Prof. Aleko Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: al********@fs**.al
Në këtë shkrim dua të ndaj me lexuesin informacionin dhe mbresat për aventurën tonë të radhës në pellgun e Vjosës! Gjatë periudhës 19-24 Shtator 2022 morëm pjesë mbi 35 persona, austriakë dhe shqiptarë, profesorë dhe studentë, të shoqëruar edhe nga ekspertë të agjencive, ARM Fier, AdZM Gjirokastër, AMBU etj. Veprimtaria u zhvillua në kuadrin e projektit APPEAR (VjoSusDev 2022-2026) në bashkëpunim dhe mbështetjen e projektit ESPID4Vjosa (2022-2026) të konsorciumit Euronatur/Ecoalbania.
Projekti ynë me titull ‘Vlerësimi mjedisor i peizazhit lumor të Vjosës – bazë për menaxhimin gjithpërfshirës të ujërave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë pellgut ujëmbledhës – shkurt VjoSusDev (APPEAR 2022-2026)’, synon një studim shkencor gjithëpërfshirës, ndërdisiplinor dhe afatgjatë, mes tre universiteteteve shqiptare, UT, UPT dhe UBT, dhe tre universiteteve austriake (i Vjenës, i Shkencave të Jetës – BOKU, Vjenë, i Insbrukut), lidhur me studimin hidrodinamik (sedimente, hidrogjeologji, përmbytje, erosion etj.), të biodiversitetit lumor (mikroflorë ujore, florë dhe bimësi breglumore), të cilësisë së ujit (kimi, ekologji dhe mikrobiologji), të gjitha sëbashku si bazë për menaxhimin gjithëpërfshirës të ujërave dhe zhvillim të qëndrueshëm të pellgut ujëmbledhës. Për këtë, në këta vite parashikohen vlerësime të rregullta në të paktën 10 segmente lumore (hidrodinamikë dhe biodiversitet lumor), dhe do të vlerësohet cilësia e ujërave në të paktën 19 stacione, jo vetëm të lumit të Vjosës, por dhe të degëve, Drino, Shushicë, Bençë, Kardhiq, Zagori, Langaricë dhe Sarandaporos.
Çështja e Vjosës mbështetet njëkohësisht edhe nga dy projekte të tjera në sinergji mes tyre. Projekti ESPID4Vjosa (2022-2026) zbatohet nga konsorciumi EURONATUR-ECOALBANIA me qëllim kryesor nxitjen e vendimmarrjes për mirëadministrimin e ujit mbështetur në gjetjet shkencore. Projekti i tretë EUSIWM (2023-2027), në zbatim nga AMBU, synon hartimin e Planit të Menaxhimit të Basenit Lumor të Vjosës, me qëllim mbrojtjen e vlerave natyrore dhe mbështetjen dhe bashkëpunimin mes institucioneve/grupeve të interesuara brenda pellgut të Vjosës. Të tre këta projekte mbështeten nga ADA, Agjencia Austriake për Zhvillim. Java jonë kërkimore përkoi edhe me takimin në Tepelenë mbi strategjinë për lumin Vjosë dhe Planin e Menaxhimit të Basenit lumor të Vjosës, të organizuar nga Këshilli i Basenit Ujëmbledhës të Vjosës, në bashkëpunim me AMBU dhe ADA. Të tre projektet u prezantuan nga secila palë para gjithë përfaqësuesve të bashkive të Qarkut të Vlorës, Fierit dhe Gjirokastrës. Pjesëmarrësit e këtij takimi patën rastin edhe të njihen me Qendrën tonë Kërkimore Ndërkombëtare ‘Fritz Schiemer’, Tepelenë, të ngritur prej nesh para dy vitesh, enkas për të ndihmuar në studimet tona fushore lumore. Dua të theksoj se në këta vite pushteti vendor i gjithë këtij pellgu e ka mirëpritur këtë rrugë zhvillimi për harmonizimin e ruajtjes së lumit të Vjosës dhe gjithë degëve të saj me zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë zonës.
Grupet tona në Vjosë kanë qenë përherë të larmishme, dhe ne u jemi mirënjohës shumë kolegëve, institucioneve dhe donatorëve. Por vlen të dalloj këtu Fritz Schiemer, profesor emeritus i Universitetit të Vjenës. Gjithçka ne kemi arritur për Vjosën në këta 10 vite bashkëpunim është fryt i energjisë intelektuale dhe fizike, i pasionit dhe guximit të Profesorit. Gjithçka është shkruar, madje deri në detaj, ka patur shpesh dorën e tij. Ai ka qënë gjithmonë në ballë të vizitave tona, pavarësisht moshës dhe vështirësive të terrenit. Është falë këtij autoriteti që shumë kolegë austriakë, por dhe ne si shqiptarë, jo vetëm jemi bashkuar në vite për çështjen e Vjosës, por shpesh jemi vënë në sedër edhe nga vetë shembulli personal i treguar për përballimin e vështirësive të radhës.
Kësaj here na duhesh të vizitonim rrjedha lumore të largëta për të parë shkallën e integritetit të tyre, vlerat natyrore, biodiversitetin dhe cilësinë ujore, si një dokumentim shtesë për të justifikuar që edhe këto degë të Vjosës meritojnë të përfshihen në Parkun Kombëtar Lumor të Vjosës, i cili është një premtim i radhës i Qeverisë Shqiptare. Në vëmendje kësaj radhe ishte lumi i Kardhiqit dhe ai i Zagorisë. Shumë kanë dëgjuar për krahinën e Zagorisë, por pak e njohin dhe mund ta besojnë se sa e thellë është, e vendosur mes vargmaleve të Dhëmbelit në lindje dhe Lunxhërisë në perëndim. Zona duket thuajse e harruar nga zhvillimi që shohim rëndom sot në shumë krahina të tjera të vendit. Natyra është vërtet shumë e bukur, mbresëlënëse, por fshatrat janë thuajse të braktisura, jeta shumë e trishtë, dhe varfëria e ulur këmbëkryq! Lidhja me këtë zonë është shumë e vështirë, dhe jo pa aventura edhe për grupin tonë.
Përmes vargmaleve rrjedh lumi i Zagorisë në një luginë tepër të ngushtë dhe aspak të lehtë për ta arritur. Na duhesh të vizitonim Ujëvarën e Doshnicës, diku 5-6 km poshtë fashatit Zhej, në ca shtigje jo fort të kalueshme. Por të vënë në sedër dhe kryesuar nga Prof. Schiemer, deshëm s’deshëm një pjesë e grupit mundi ta vizitojë, të marrë mostrat e ujit, zoo- dhe fitobentosit. Zbritja nga fusha e Çajupit me makinat tona, thuajse vetëm për asfalt, nuk ishte dhe aq e vështirë; por hajde të ngjiteshe sërish në Çajup për t’u kthyer në Tepelenë, ku ishte vendqëndrimi ynë gjatë kësaj jave; nuk mungoi këtu ndihma që na dhanë vendasit. Në gjithë lëvizjet tona u shoqëruam dhe patëm bështetje nga z. E. Buzi, ARM Fier, nga z. G. Dushi, AdZM, Gjirokastër, nga z. Xh. Saraçi, nga Picari, roje mjedisore i zonës së Kardhiqit, nga V. Vlashi, nga fshati Zhej, roje mjedisore i zonës së Zagorisë; po ashtu z. V. Dilo, nga Topova, na ndihmoi për të ngjitur makinën nga fshati Zhej në Çajup. Të gjithëve shumë respekte!
Matjet tona dhe mostrat janë nën vëzhgimin e secilit grup në të ardhmen e afërt. Por nga një vëzhgim i shpejtë në zonë ra menjëherë në sy turbullia e lartë e Vjosës, dëshmi kjo e erozionit të fuqishëm në zonë, si rrjedhojë e hapësirave të zhveshura, dëmtimit të mbulesës bimore dhe pyjeve, e nxitur kjo nga shirat e ditëve të kaluara. Bie në sy menjëherë zhvillimi i shumtë i algave fijezore të blerta nitrofile, në lumin e Bënçës në Tepelenë, në gjithë ujërat e Drinos, dhe sidomos në lumin e Kardhiqit në zonën e bashkimit me Drinon; kjo kulmon me gjendjen e mjeruar të cilësisë së ujërave të lumit Drino në zonën e Gjirokastrës. Kjo është dëshmi e ngarkesës me ushqyes, fosfor dhe azot, por jo vetëm, dhe me ndotës të tjerë patogjenë, dhe lëndë organike, mikroplastika etj., të dëmshme këto jo vetëm për botën e gjallë, por dhe për shëndetin e njeriut, të gjitha këto të shkaktuara nga shkarkimet e patrajtuara urbane, dhe manaxhimi i dobët e mbetjeve të ngurta. Shushicën në afërsi të Vjosës e gjetëm pa ujë, por nën mbretërinë e shfrytëzimit të inerteve të shtratit lumor. Bie në sy mbingarkimi në rritje i ndërtimeve urbane në monumentet e natyrës (biomonumente), elitare për gjithë vendin, por dhe shumë të brishta, si Uji i Ftohtë, Tepelenë dhe Uji i Ftohtë, Këlcyrë, Virua etj.
Falë shumë përpjekjeve tona peizazhi lumor i Vjosës është sot në listën e zonave të mbrojtura si Park Natyor (kategoria IV sipas IUCN). Në Qershor 2022 Qeveria Shqiptare nënshkroi marrëveshjen me Korporatën amerikane Patagonia për të shpallur brenda këtij viti Parkun Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës (Kategoria II). Ne të gjithë kemi bindjen se pellgu i Vjosës i ka të gjitha mundësitë për një zhvillim ndryshe, duke u kthyer në një model për gjithë vendin, ku ujërat të rrjedhin jo vetm lirshëm, të pastër, pa diga dhe tunele HEC-esh, por edhe faqja e gjithë hapësirës të ndryshojë. Por për këtë do të uronim që shumë shpejt vetë vendasit nga Fieri e Vlora, deri te Tepelena, Gjirokastra dhe Përmeti, të ndjenin nga afër përfitimet që burojnë nga prania përgjatë një zone të mbrojtur. Zona e mbrojtur nuk mundet kurrësesi të sjellë kufizime për zhvillimin, por të jetë një shtysë e madhe, e prekshme, për të përmirësuar cilësinë e jetës së gjithë këtij pellgu!
Kjo mund të arrihet nëse edhe vetë pushteti vendor vihet në sinkroni me përpjekjet tona, duke patur në përparësi dhe duke u përpjekur për mbështetje në veprimtari të tilla, si: përmirësimi i menaxhimit ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta urbane; ngritja e fidanishteve pyjore dhe pyllëzimi i hapësirave të zhveshura; përmirësimi i sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm; i sistemit të kullimit dhe vaditjes; i komunikimit (rrugët rurale); mbështetja për sistemin energjetik fotovoltaik të lidhur me rrjetin; etj. Krahas kësaj për këtë rrugë ndryshe të zhvillimit nevojiten kredi të buta për: bujqësinë dhe blegtorinë, dy sektorë jetikë të zhvillimit të zonës; grumbullimin, përpunimin dhe tregëtinë e produkteve bujqësore dhe blegtorale; agroindustrinë; kultivimin dhe tregëtinë e bimë aromatiko-mjekësore; artizanatin; turizmin familjar; etj. Për të gjitha këto mendimi dhe ekspertiza, vendase dhe sidomos ajo e huaj do të jetë përherë e pranishme.
*Vlerësimi mjedisor i peizazhit lumor të Vjosës, bazë për menaxhimin gjithpërfshirës të ujërave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë pellgut ujëmbledhës (Titulli origjinal)