Bandat kriminale po bëjnë kërdinë në ishujt grekë, me shumë pushues që kanë denoncuar në polici se u janë vjedhur para cash dhe sende personale me vlerë, siç janë bizhuteritë.
Rasti i fundit ka të bëj me tre turistë shqiptarë të cilët kishin vendosur të shijonin detin dhe perëndimet magjepsëse të ishullit të famshëm grek, Mykonos.
Tre turistët shqiptarë kanë denoncuar në polici se hajdutët u kanë vjedhur bizhuteri me vlerë 45 mijë euro.
Protothema.gr raporton se turistes së parë shqiptare i kanë vjedhur bizhuteri floriri me vlerë totale 17.100 euro, pasaportën dhe lejen e drejtimit të mjetit.
Të motrës së saj i janë marrë sende dhe bizhuteri me vlerë 18.400 euro, si dhe pasaporta, raporton abcnews.al.
Ndërsa të dashurit i kanë vjedhur sende dhe bizhuteri me vlerë 10 mijë euro si dhe pasaportën.
Mësohet se tre turistë shqiptarë kishin rezervuar një suitë në një hotel luksoz në zonën e Plindrit.
Ndërkohë vjedhja ka ndodhur më 24 korrik, kur persona të panjohur hynë në dhomën e tyre nga dera e ballkonit./m.j