Tre operacione të policisë kanë çuar në arrestimin e disa personave të dyshuar për një seri vjedhjesh në Tiranë dhe Rinas, ndërsa janë sekuestruar 10 mjete të dyshuara të vjedhura. Në kuadër të operacionit “Navigator”, policia arrestoi F. K., 51 vjeç dhe D. M., 37 vjeç. pasi dyshohet se kanë vjedhur motoçikleta, biçikleta dhe monopatina në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë operacionit u sekuestruan si prova materiale 6 biçikleta, 2 monopatina dhe 1 motoçikletë, të dyshuara të vjedhura.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “October”, policia arrestoi në flagrancë K. K., 26 vjeç. Sipas policisë, ai dyshohet se i ka grabitur me dhunë një varëse një shtetaseje në rrugën “Konferenca e Pezës”. Nga hetimet dyshohet se i riu ka kryer edhe një tjetër vjedhje me dhunë në të njëjtën zonë, më 2 tetor.
Operacioni i tretë, i koduar “Kilometrazhi”, u finalizua nga Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Në pranga u vu Y. A., 38 vjeç, i dyshuar për vjedhjen e një automjeti në Rinas. Automjeti u lokalizua në Durrës dhe u sekuestrua nga policia.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal të personave të arrestuar dhe zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve.











