Gjykata e Apelit ka lënë sot në fuqi pafajësinë për ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Apeli rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për dënimin e Fullanit me burg.
Gjykata e Tiranës zbardhi më 13 tetor arsyetimin e vendimit me të cilin deklaroi të pafajshëm ishguvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Në 16 faqet e vendimit të firmosur nga gjyqtari Artan Gjermeni, radhiten argumentet ku u bazua qëndrimi i tij për pafajësinë e ishguvernatorit nga akuza e “shpërdorim të detyrës”, me pasojë vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e BSHsë.
Gjykata e Shkallës së parë e arsyetoi kështu vendimin e saj më parë:
Gjyqtari Gjermëni shprehet në vendim se veprimet e të pandehurit, të renditura në akuzë nga organi i akuzës nuk përmbajnë elementë të figurës së veprës penale për të cilën ai është akuzuar.
“Një pjesë e këtyre veprimeve nuk përmbajnë fare në vetvete elemente kundërligjshmërie”, argumentohet në vendimin e Gjykatës.
E vetmja parregullsi e vërejtur nga gjykata ishte emërimi dy herë rresht i shtetasit Ilir Dedja si anëtar i Komisionit të Invetarizimit, por kjo sipas gjykatës është veprim që ka të bëjë me mospërmbushje të rregullt të detyrës për shkak të pakujdesisë. Gjykata vijonte logjikën se ky veprim mund të sjellë si pasojëvetëm përgjegjësi disiplinore apo administrative dhe se në këtë veprim mungojnë elemente të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Vjedhja e 713 milionë lekëve
Duke iu referuar vendimeve të fajësisë për të pandehurit Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, gjykata arsyetonte në vendimin ndaj Fullanit se vjedhja e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë nuk ka ndodhur si rezultat i mungesës së akteve rregulluese ligjore.
Sipas Gjykatës, vjedhja ka ndodhur si rezultat i moszbatimit të kërkesave ligjore të përcaktuara në rregullore, udhëzime dhe urdhrat e nxjerrë në bazë dhe për zbatim. Gjykata e ka vlerësuar si të pabazuar pretendimin e Prokurorisë se ishguvernatori nuk ka propozuar zëvendësguvernatorin e dytë në BSH.
Sipas Gjykatës, në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet afat për bërjen e propozimit, i cili është diskrecion i guvernatorit, propozim i cili nuk sjell asnjë pasojë nëse nuk miratohet nga ana e Këshillit Mbikëqyrës. “Ndryshe nga ç’pretendon organi i akuzës, nuk ka krijuar boshllëk në kryerjen e këtij funksioni pasi, për sa kohë që kjo situatë
është e rregulluar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, mungesa e zëvendësguvernatorit të dytë, në asnjë rast nuk e vendos bankën përpara një boshllëku ligjor dhe as praktik, pasi të gjitha funksionet e tij janë kryer nga zëvendësguvernatori i parë”, arsyetonte gjyqtari.
Për pretendimin e Prokurorisë për mosushtrimin të disa kompetencave ligjore të Fullanit, Gjykata theksonte se “nga ana e Prokurorisë nuk është arritur të identifikohet se ku konsiston mosveprimi i të pandehurit Ardian Fullani, se cila është masa që duhet të ishte marrë prej tij dhe që nuk është marrë”.
Blerja e Hotel Dajtit
“Në çështjen objekt gjykimi, jo vetëm që blerja e ishhotel “Dajtit” nuk mund të cilësohet si veprim i kryer vetëm nga i pandehuri, për sa kohë që miratimi i kësaj blerjeje nuk është bërë nga ana e të pandehurit personalisht, por është realizuar nëpërmjet procesit vendimmarrës të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me unanimitet të votave nga anëtaret e tij (përgjegjësia është e vendimmarrësit jo e propozuesit), por as nuk rezulton që nga veprimet apo mosveprimet e të pandehurit të jetë shkaktuar ndonjë dëm”, thuhej në vendim.