Nga Aleksandra Bogdani / BIRN
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka shpeshtuar takimet me aktorët kryesorë të politikës këtë fund viti; misioni i tij është mbledhja e 94 votave për reformën në drejtësi deri pranverën e 2016-s. I njohur gjerësisht si “kumbari” që po shtyn përpara paketën e nxehtë ligjore, ai ka marrë përsipër rolin e negociatorit me kundërshtarët e reformës dhe komunikimin pa dorashka me shqiptarët.
“Këta njerëz kanë frikë se do të humbin vendet e punës dhe të ardhurat e pista. Këta njerëz kanë frikë se do të përfundojnë në burg. Ndoshta, këta njerëz duhet të kenë frikë,” tha ai në një dalje të fundit publike.
Reforma në drejtësi nisi vjeshtën e vitit 2014- më shumë si produkt i presionit ndërkombëtar mbi Shqipërinë “e korruptuar”, sesa shprehje e një vullneti të brendshëm për ta luftuar atë. Kjo reformë është kushti kyç që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë për çeljen e negociatave.
Një rrjet i gjerë ekspertësh të ligjit, i ngritur pranë një komisioni të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi ka prodhuar kornizën e ndryshimeve kushtetuese. Në shtator 2015, projektligji iu dërgua për mendim Komisionit të Venecias.
Paketa e ndryshimeve kushtetuese redukton kompetencat e Presidentit mbi sistemin gjyqësor, rikompozon Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe decentralizon institucionin e Prokurorisë. Projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e një komisioni të posaçëm, i cili synon të pastrojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.
Megjithatë, efektet e reformës pritet të shtrihen tek elita politike, e cila perceptohet si përgjegjëse për korrupsionin e lartë dhe kulturën e pandëshkueshmërisë në vend.
Spartak Ngjela-një lobues i hershëm për një reformë të thellë mendon se drafti aktual është një hap i parë i mirë, edhe pse fokusohet tek skartimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve më shumë se sa tek ngritja e sistemit.
Sipas tij, ndërtimi i një sistemi të fortë ligjor i jep fund një marrëveshjeje të fshehtë, që politika ka bërë me gjyqësorin në Shqipëri.
“Paaftësia për të ngritur sistemin e drejtësisë dhe korrupsioni i lartë i politikës shtetërore kanë krijuar një marrëveshje të brendshme me dy streha të ngrohta për politikën dhe gjyqësorin,” thotë Ngjela për BIRN.
Konsensus?
Përgjatë vitit 2015, reforma në drejtësi dominoi debatin publik në vend duke u vendosur përballë një numri jo të vogël kundërshtarësh. Njerëzit e sistemit-prokurorë dhe gjyqtarë shprehën skepticizëm për propozimet ligjore dhe ndryshimet drastike që pritet t’u imponohen së shpejti.
Presidenti Bujar Nishani, kompetencat e të cilit rrudhen dukshëm u shpreh kundër mënyrës se si po realizohej reforma.
Partia Demokratike në opozitë refuzoi fillimisht të përfshihej në proces, duke akuzuar kreun e ekzekutivit Edi Rama se po tentonte të kapte institucionet e pavarura.
Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI, aleate në qeverisje me kryeministrin Rama kërkoi gjithashtu që reforma të mos miratohej pa konsensusin e opozitës.
Megjithatë, një vendim i ndërmjetëm i komisionit të Venecias mbi propozimet ligjore i ka zbutur tonet e kundërshtarëve. Në rekomandimet e veta për paketën e ndryshimeve kushtetuese, komisioni i Venecias kërkon distancë më të madhe mes ekzekutivit dhe gjyqësorit dhe rrëzon pikën e diskutueshme të ndërprerjes se mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Reflektimi i këtyre rekomandimeve mbi projektligjin ekzistues rrezikon të shtyjë në kohë miratimin e reformës.
Arjan Vasjari-analist politik argumenton se megjithë kundërshtitë, kjo klasë politike e ka tanimë të pamundur të rrëzojë miratimin e reformës. Duke e cilësuar reformën në drejtësi esenciale për vendin, ai thotë se ajo e tejkalon madje edhe vullnetin e politikës në raport me të.
“Politika është në kushtet e pamundësisë historike për ta kundërshtuar reformën në drejtësi. Ajo është e detyruar t’i nënshtrohet asaj,” tha Vasjari për BIRN.
Dashamir Shehi, një deputet i Parlamentit dhe zë i moderuar i opozitës bie dakord me faktin se reforma do të miratohet, pavarësisht pakënaqësive. Por ai i bën thirrje mazhorancës aktuale të Edi Ramës të tregohet e arsyeshme dhe të mos e shohë këtë reformë si një mundësi për të kapur drejtësinë.
“Si opozitë, ne kundërshtojmë disa pika, pasi kjo reformë fuqizon rolin e ekzekutivit. Gjykimi ynë është të lihet në dorë të ekspertëve ndërkombëtarë, të bëhet i pranueshëm për të gjitha palët; të jetë një reformë që mund të aplikohet në kushtet e Shqipërisë,” tha Shehi.
Ideja se mazhorancat tentojnë të kapin pushtetin gjyqësor është e vjetër në Shqipëri. Në të shkuarën, reformat kanë qenë të njëanshme, ndërkohë që sistemi i drejtësisë është perceptuar shpesh si një zgjatim i politikës.
Për të shuar këtë diskutim, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian në Tiranë e kanë prezantuar veten si bashkëautorë të reformës.
Kjo garanci e bind Ngjelën të mendojë se pretendimet e opozitës se reforma fuqizon kryeministrin janë një pretekst dhe naivitet. Ndryshe nga Shehi, Ngjela argumenton se çështja në Shqipëri shtrohet mbi premisat për të ngritur një sistem të aftë, i cili mund të hetojë pa dallim politikanët e korruptuar.
“Atyre që pretendojnë se fuqizohet Rama u them: po ambasadori amerikan ç’kërkon në këtë histori? Ata kërkojnë të fusin në burg të korruptuarit. E ç’rëndësi ka kush fuqizohet, pasi të korruptuarit të futen në burg?” pyet ai.
Pasojat mbi politikën
Reforma në drejtësi ka rritur pritshmërinë e publikut dhe ka shtuar shqetësimin në radhët e politikës dhe gjyqësorit. Efektet që mund të lindin prej saj janë të shumëfishta; një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh pritet të lënë postet, ndërsa një sistem i pastruar drejtësie kthehet në një kërcënim për estabilishmentin politik të Shqipërisë.
Aplikimi në kushtet e Shqipërisë mbart një ekuacion me shumë të panjohura.
Si mbështetës i hapur i reformës, analisti Arjan Vasjari shpjegon se reforma do të rrisë qartë dhe pa alibi ekspozimin e politikës ndaj së drejtës. Megjithatë, ai ruan një dozë vetëpërmbajtjeje për pritshmëri të larta.
Shkak janë njerëzit që do ta bëjnë reformën-çka e shtyn Vasjarin të mendojë se efektet e saj do të shtrihen gjatë në kohë.
“Ne po reformojmë sistemin, jo njerëzit,” argumenton ai.
Spartak Ngjela mendon se kjo kohë ka ardhur për Shqipërinë. Ai i referohet për analogji shembullit të Rumanisë dhe Bullgarisë-vende të cilat kanë kaluar më parë në të njëjtën rrugë dhe që iu nënshtruan presionit ndërkombëtar për të luftuar korrupsionin.
“Në të kundërt, kostoja do të ishte shumë e madhe. Ekonomia do të degradojë në mënyrë të tmerrshme dhe kjo do të shoqërohet me embargo dhe izolim ndërkombëtar për Shqipërinë,” parashikon ai.
Dashamir Shehi këmbëngul se vetëm cilësia e reformës dhe pranimi i saj nga të gjitha palët do të ishte një garanci për sukses në implementimin e saj.
“Qëllimi i kësaj reforme është të dënojë zullumqarët e politikës. Qëllimi është të pastrojë sistemin e drejtësisë-i kthyer në një zullumqar të madh në vetvete. Po s’i bëri këto, mbetet një fjalë e madhe, por bosh,” përfundon Shehi.