Nga Ben Andoni
Ka një ndjesi të frikshme në vend para çdo proteste të tanishme dhe të shkuarës. Tek pjesa më e madhe e njerëzve, që po i mbijetojnë situatës së rëndë ekonomike-sociale, ngrihet instinktivisht vetëm një pyetje me dy çështje: A do ketë rrëmujë dhe sa do të zgjasë?! Pjesa e parë lidhet me mungesën e sensit të masës që ka Homo Albanicus para situatës ekstreme, kurse e dyta me prishjen e kësaj status quo-je të tanishme ekonomike-sociale, që edhe kështu është e padurueshme. Mu në këtë argument përballen paradokset e opozitës. Së pari, është krejt fëminore të imagjinosh sesi udhëheqësit e protestës (lexo të kujtdo proteste politike) janë gjithmonë në kontroll të plotë të rrjedhës së performancës së turmës së tyre. Jo rrallë ndodh dhuna në Shqipëri por ajo është e dhimbshme në rastet si tani kur arrijmë dhe e sanksionojmë atë! Opozitës së sotme, kur po i kërkohet natyrë e qetë për protestën e organizuar prej tyre, të thonë se: nuk ka të bëjë fare me të, kurse ata që e shkaktojnë janë… provokatorë! Së dyti, kur ndodh që dhuna e pakontrolluar del nga shinat, ata që janë kundërshtarë ndaj protestuesve do ta përshkruajnë (jo rrallë atë) si një gabim i vetvetishëm, moralisht dhe ligjërisht i kundërshtarëve të tyre që e duan dhunën. Ndaj propaganda e sotme pro-Rama po varros lehtësisht çdo përpjekje të Opozitës. Kur liderët e opozitës e refuzojnë de jure por e pranojnë de facto dhunën e përputhin qëllimin me atë të forcave (lexo strukturat e Ramës) që pretendojnë sigurinë e vendit dhe kështu e vetë-dëmtojnë kauzën. Jo më kot, zoti Rama po e shfrytëzon mrekullisht kartën e dhunës për të treguar se ai përfaqëson shtetin ligjor dhe mbrojtjen e tij ndaj shkatërruesve (lexo opozita). Po a munden opozitarët të tregojnë realisht forcën e tyre dhe njëkohësisht të jenë të sinqertë me veten? Për fat të keq, liderja e Opozitës Kryemadhi më shumë po i bën dëm kauzës dhe forcës së saj politike. Nga ana tjetër, mjafton të shikosh rolin e liderëve të opozitës të kuptosh se ata janë brenda kësaj situate dhe e frymëzojnë atë. Por teksa Basha hera-herës është i kujdesshëm dhe më të shumat e herëve e tepron, znj. Kryemadhi është për protestë të ashpër dhe tej limiteve: “Çfarë të duan qytetarët do të bëjmë … Do të ketë më shumë njerëz. Po të jetë aq trim dhe po të jetë aq trim, të shkojë nesër në zgjedhje. Ai ka vetëm një zgjidhje dhe ai është i destinuar drejt fundit. T’u garantojë shqiptarëve zgjedhjet, ‘97 s’do të jetë asgjë, sepse atëherë u ngritën për lekët, por sot nuk është çështje parash por as çështje tullash”, tha pak orë më parë Kryemadhi. Po pse bie Opozita pre e paradokseve që e dëmtojnë? Thelbi kuptohet: Mungesa e strategjisë dhe padurimi për të përfituar nga gabimet që qeveria Rama po bën në çdo hap, por më shumë nga të gjitha nga ngopja e tij me pushtet, një sëmundje që kaploi si gripi paraardhësit e tij.
Le t’i kthehemi një moment kujtimit të liderit të madh afrikan, simbolit Nelson Madela. Në të njëjtën mënyrë, ai justifikoi përdorimin e sabotazhit të grupit të tij politik: duke pasur parasysh madhësinë e zemërimit të justifikuar në Afrikën e Jugut kundër Aperteidit, që e kundërshtoi me të drejtë e gjithë bota e qytetëruar, pyetja nuk ishte nëse do të ndodhte apo jo dhuna në këto protesta, por si ta kufizosh dhe ta drejtosh atë!-iu përgjigj ai kundërshtarëve. Opozita, me zërin e Kryemadhit dhe më pak Bashës, në një rast aspak të ngjashëm, nuk po di të drejtoj realisht shqetësimin popullor për ekonominë dhe shpresën, por po punon për pjesëmarrjen, që do justifikojë ardhjen e tyre në pushtet. Madhësia e protestës për ta përfaqëson cilësinë e kauzës. Po atëherë pse nuk gjen përkrahjen e duhur nga faktori ndërkombëtar, që e çoi para idenë e Mandelës?! Për një arsye të thjeshtë: Shqipëria e Ramës, Berishës, Metës, e Nanos sadoqë është shumë e dobët me parametrat demokratikë, nuk është shtypëse dhe nuk e ka dhunuar ekstremisht popullin e saj, si dikur qeveria e urryer e Aperteidit. Shqipëria, në një përjashtim të vogël, kur socialistët dolën bllof me zemërimin e tyre arkaik për të mbajtur figurën e Enver Hoxhës dhe në një precedent që për fat zgjati pak të Berishës më ‘97, që ka mbetur në analet historike, nuk shkuan më larg. Në të dy rastet, vetë falë inatit popullor dhe më shumë problemit ekonomik u zbythën.
Referencat e vitit ’97 duhet të jenë të papranueshme më në Shqipëri, sepse ato na ndajnë dhe njëherë si në Komunizëm. Kurse një ndihmë logjike na vjen nga një studiues i shkencave politike, kur i referohej kundërshtimeve popullore ndaj pozicionit të Trump. E. Chenoëeth me të drejtë argumentonte se çdo shpërthim i dhunshëm mund të dëmtojë seriozisht çështjen morale që kundërshtarët po përpiqeshin të bëjnë. Me pak fjalë, në logjikën e studiuesit: nëse avokatët e rezistencës civile rrinë në pozitën që “dhuna është e justifikuar” kjo përbën kontradiktë në terma, pasi ata po dhurojnë në anën tjetër një argument që do të përdoret kundër tyre.
Dhe, puna më e madhe për Opozitën tashmë nuk është të protestojë dhe ta rrëzojë Ramën me fjalë dhe të artikulojë se dhuna duket e mundshme për çfarëdo arsye, por opozita duhet të jetë në gjendje të mbrojë anëtarët e saj kundër çdo keqinterpretimi të qëllimeve të tyre. Refuzimi i pranimit qoftë edhe i justifikimeve hipotetike për dhunën largon linjën vitale të mbrojtjes së kauzave. Pikërisht, ajo që i duhet opozitës.
***
Qeverisja e Ramës po tregon se megjithë arritjet dhe një sens shumë më të mirë pushteti se paraardhësit nuk i afrohet ende parametrave të duhur të demokracisë, por më shumë se të gjitha nuk mund të drejtojë vendin në zhvillime që kërkon shqiptari i shekullit XXI. Sa i përket dhunës kemi një përgjigje dhe kjo vjen nga ajo që Martin Luter King ndau me komunitetin e tij, një nga më të dhunuarit, e madje në shtetin më të fortë të botës:”Jo-dhuna është përgjigja e pyetjeve thelbësore politike dhe morale të kohës sonë: nevoja për njeriun që të kapërcejë shtypjen dhe dhunën pa përdorur shtypjen dhe dhunën. Njeriu duhet të evoluojë për të gjitha konfliktet njerëzore një metodë që hedh poshtë hakmarrjen, agresionin dhe urrejtjen. Themeli i një metode të tillë është dashuria”, u shpreh ai. Por jo dashuria e Judës, që duket në të gjitha ndjenjat e politikanëve shqiptarë, por një të tillë që të trandë qeverisjen e Ramës që tashmë e ka përmbushur misionin e saj dhe ka nënshkruar një tjetër kapitull të papërmbushur të zhvillimeve shqiptare.
Është pranvera e vitit 2019, por Shqipëria po bëhet shembulli sesi opozita po mban në fuqi një qeveri, që e ka gjithnjë e më të vështirë të performojë normalisht. Kjo është frika më e madhe e njerëzve, që shohin në ekrane se kur do të marrë fund kjo çmenduri e radhës politike me emrin krizë. (Homo albanicus)