Historia e panjohur të ngjarjeve të ndodhura në qytetin e Elbasanit në nëntorin e vitit 1935, ku populli i atij qyteti doli në demonstrata dhe protesta masive duke i kërkuar qeverisë që të mos e transferonte Shkollën Normale për në qytetin e Shkodrës. E gjithë ngjarja, nga acarimi i protestave dhe arrestimet e disa prej krerëve të parisë së Elbasanit, deri tek akuzat publike të gazetarit Nebil Çika, i cili e fajësonte drejtorin e Normales, prof. Aleksandër Xhuvanin, si intrigant dhe nxitës të trazirave
Nga Dashnor Kaloçi, TemA
Në ditët e para të nëntorit të vitit 1935, populli i Elbasanit u grumbullua para prefekturës dhe që aty doli nëpër rrugët e qytetit duke demonstruar në protesta masive, lidhur me një vendim të qeverisë së asaj kohe për transferimin e shkollës Normale për në qytetin e Shkodrës. Edhe pse nuk kishte asnjë njoftim zyrtar në lidhje me atë lajm që qarkullonte ato ditë në të gjithë qytetin e Elbasanit, banorët e tij e besuan atë gjë dhe u ngritën në protesta masive, të cila degjeneruan deri në konflikte fizike në mes qytetarëve dhe forcave të xhandarmërisë që ruanin rendin publik.
Madje ato trazira ku pati edhe mjaft të arrestuar nga paria e qytetit të Elbasanit, shkaktuan një shqetësim të madh edhe në qeverinë monarkiste të Tiranës, duke bërë që ministri i Punëve të Brendshme të shkonte urgjent në Elbasan dhe të merrte disa takime jo vetëm me autoritetet vendore të atij qyteti, por edhe me një përfaqësi nga paria elbasanase. Po si qëndronte e vërteta e atyre ngjarjeve që tronditën qytetin e Elbasanit në atë kohë, a ishte i vërtetë lajmi se Normalja do shpërngulej që andej për në qytetin e Shkodrës, dhe kush ishte organizatori dhe nxitësi kryesor i atyre trazirave të dhunshme? A kishte gisht në ato ngjarje, drejtori i Normales së Elbasanit, profesori i nderuar Aleksandër Xhuvani dhe përse gazetari e publicisti i njohur Nebil
Çika, (një nga penat më të famëshme të periudhës së Monarkisë dhe asaj të pushtimit të vëndit) e akuzoi atë publikisht ne shtyp si organizatorin dhe nxitësin kryesor të atyre protestave masive që sollën edhe konfrontime fizike në mes parisë së qytetit dhe forcave të xhandarmërisë? Lidhur me këtë na njohin disa artikuj të gazetave të asaj kohe, pjesë të së cilave po i botojmë me shkurtime në këtë shkrim.
Gazeta “Arbnia”: Si nisën protestat
Elbasan 31 tetor 1936. Nuk dihet se si dhe prej kujt u përhap këtu lajmi se Qeveria kishte vendosur shpërnguljen e Normales prej këtu në Shkodër. Ajo që dijet është se populli dje ishte i bindur se kjo shpërngulje ishte një fakt dhe ajo që është për t’u çuditur është se elbasanasit kujtonin se Qeverija këtë shpërngulje do ta bënte me marifet. I kishin thënë popullit se Ministria e Arsimit do që ta shpërngulë Normalen nga Elbasani dhe ta vendosë në Shkodër, por për të evituar kundërshtimet këtë punë do ta bëjë ngadalë ngadalë, duke hequr bursistat e Shtetit nga Normalja e Elbasanit dhe duke i dërguar në Shkodër ku do të krijohet një Normale e re. Kështu Normalja e Elbasanit do të mbetet pa nxënës dhe do të suprimohet!…
Normalja për pjesën më të madhe të elbasanasve është një çështje vitale dhe për një pjesë tjetër çështje nderi. Në fakt, nga Normalja, tregu i Elbasanit fiton me qindra napolona. Por edhe krijimi dhe mbajtja e saj gjer më sot n’Elbasan, formon një histori të tërë në të cilën përfshihen vuajtje dhe tortura nga ana e sundimtarit në kohën e robërisë. Në këtë mënyrë çështja e Normales është një çështje që i intereson të gjithë popullsisë së Elbasanit, pjesën më të madhe për arsyena ekonomike dhe atë më të vogël për arsye nderi, historije, amor-propi. Tamam këtë gjë kanë ç’frytëzuar ata që duan të krijojnë punëra, sidomos Ministrisë së Arsimit dhe kështu u provokuan ngjarjet e djeshme dhe të sotme.
“Zhvillimi i ngjarjeve të djeshme”
Dje afër drekës një lajm i çuditshëm qarkullonte an’ e mban pazari: -Normalja shpërngulet për në Shkodër! Kush e përhapi këtë lajm dhe për se e përhapi? Mister! Fakti është se më ora 1 pasdreke pjesa më e madhe e tregut u gjend e mbyllur dhe një grumbull njerëzish drejtoheshin për në Prefekturë. Në këta gjatë udhës u shtuan dhe të tjerë, dyqanet e pambyllura akoma u detyruan të mbyllen dhe kështu u formua një turmë prej një numri njerëzish afro 500 vetë, të cilët u mblodhën përpara Prefekturës.
“Fjalimet e mbajtura”
Në Prefekturë për shkak se ishte ditë pushimi, natyrisht nuk u gjend njeri. Atje zoti Xhafer Miraku, i mbajti popullit një fjalim me anë të së cilit theksoj se elbasanasit me asnjë mënyrë nuk mund të pranojnë shpërnguljen e Normales që projektohet prej Ministris s”Arsimit. Veç zotit Miraku, fjalime analoge mbajtën dhe zoti Shefki Kulla, tregtar, dhe avokat Shefqet Daiu. Populli natyrisht i priti fjalimet me brohoritje duke çfaqur me gjallëri dëshirën e tij për të mos shpërnguljen e Normales nga Elbasani.
“Marrëveshja me Tiranën”
Menjëherë i lajmëruar zoti Prefekt arrijti në Prefekturë dhe ftoi parinë e vendit, e cila i shpjegoi qëllimin e manifestimit. Zoti Prefekt, i çuditur, i deklaroi parisë se nuk kishte asnjë lajm zyrtar mbi shpërnguljen e Normales dhe menjëherë, i raportoi qendrës ngjarjen dhe kërkoi urdhra rreth qëndrimit që duhet të mbajë. Qeverija e urdhëroi zotin Prefekt që t’i dekllarojë popullit se lajmi mbi shpërnguljen e Normales është krejtësisht i çpikur dhe pa asnjë themel. Prefekti e siguroi analogjikisht popullin, i cili u tregua se u qetësua, dhe u shpërnda pa as më të voglin incident.
“Ngjarjet e sotme”
Mir po ç’ndodhi natën? Mister…!? Në mëngjez një pjes e
tregut ishte mbyllur dhe një grumbull djelmoshash duke shëtitur tregun detyronin dyqanxhinjtë që kishin çelur dyqanet, t’i mbyllnin! Nga ana tjetër kasneci i Bashkisë u transmetonte banorëve t’Elbasanit urdhërin e zotit Ministër të Brendshëm, i cili gjendet që dje mbrëma në Elbasan, të qetësohen dhe të mos u zejnë besë fjalëve se do të shpërngulet Normalja, me që një vendim të këtillë nuk e ka Qeverija. Njëkohësisht organet e Sigurimit publik u rekomanduan manifestuesëve që të shpërndahem dhe të mos i detyrojnë dyqanxhinjtë që të mbyllin dyqanet e tyre. Disa nga manifestuesit gjaknxehtë, nuk u konfirmuan me urdhrin e organeve të sigurimit publik, të cilët u detyruan të përdornin autoritetin e tyre duke atestuar disa që dukeshin në krye të lëvizjes, midis të cilëve dhe zotin Xhafer Miraku, Shefki Daiu, Kurani etj.
“Tregu çelet dhe qetësia mbretëron”
Midis organeve të sigurimit publik dhe “gjakënxetëve”, u vërtetuan disa incidente të vogla, por menjëherë u stabilizua rregulli dhe tregu filloi të çelet. Populli u qetësua botnisht dhe filloi nga punët e tij. Sot është ditë pazari. Unë arrita nga ora një pasdreke dhe hiçgjë nuk tregonte se para disa orësh këtu ishte zhvilluar një ngjarje. Pazari në rregull. Katundarët dhe katundaret që kanë shitur mallin e tyre, hynin në dyqanet e ndryshëm dhe blinin bezet dhe opingat e tyre. Pemashitësit rekllamonin pemët e tyre: “Një lek oka kandari”.
“Për godinën e Normales”
Dhe në Prfekturë zoti Ministër i Brendshëm ka mbledhur disa nga parija e vendit dhe bisedon me ta. Por pakë merret vesh se Qeverija, jo vetëm se nuk do ta shpërngulë Normalen nga Elbasani, por interesohet ta bëjë edhe godinën e saj. Godina e Normales me fondet e buxhetit shtetëror nuk mund të bëhet, prandaj zoti ministër propozon që të ndihmojë edhe banorët e Elbasanit, të cilët e kanë aq për qejf Normalen. Dhe siç kemi marrë vesh parija e Elbasanit, e pranoi programin e zotit ministër të hapë një listë ndihmash për të ngrehur godinën e Normales së Elbasanit pse ka arsye të fortë të mbetet atje.
“Roli i Drejtorit të Normales”
Do të bëjmë një analizë psikologjike manifestimit të Elbasanit duke u mbështetur në elementat e gjykimit që na jep realiteti. Realiteti, pra, ka qenë se Ministrija e Arsimit ka marrë vendim që shkolla Normale 8 klasëshe e Elbasanit të ndahet më dysh: Shkolla Normale me katër klasa, me drejtorin dhe profesorët e saj veç. Dhe Shkolla qytetëse me drejtorin dhe profesorët e saj veç. Nga ana tjatër Ministrija e Arsimit mori disa nxënës nga Normalja e Elbasanit, bursistë të saj dhe i çoi në Shkodër. Këtyre dy gjerave n’Elbasan u dha kuptimi se gjoja Ministrija e Arsimit ka vendosur që Normalen e Elbasanit ta suprimojë, jo haptaz por në mënyrë tinëzake dhe dalë nga dalë. Dhe do ta suprimojë Normalen, Ministrija, pse do të hapë një Normale në Shkodër.
Populli i Elbasanit, duke besuar se Normalja do të ikte me të vërtetë nga Elbasani, u mblodh dhe bëri një manifestim në mbarim të së cilit u arrestuan pesë vetë nga Elbasani, nga parija, si udhëheqës të manifestimit, dhe disa të tjerë, të cilët në mos janë liruar akoma, do të lirohen sot ose nesër. Tani: manifestimi është shkaktar nga kuptimi i keq që u është dhënë fakteve të ndarjes së qytetëses nga Normalja dhe shpërnguljes së disa bursistëve nga Elbasani në Shkodër. Kush i dha kuptim të keq të dy masave që mori Ministrija e Arsimit? S’është nevojë që të jem një Sherlock Holmes për t’iu përgjigjur pyetjes. Autorin do ta kërkojmë në shkollën Nornmale dhe dyshimi i parë për drejtorin e saj, zotin Aleksandër Xhuvanin. Dhe ja sepse: Ministrija e Arsimit Qytetësen e ka ndarë nga Normalja, për arsyet që mund të ketë, por këtë e ka bërë në bazë të neneve 270 e 273 të Dekret Ligjës s’Arsimit. Këto nene Normalen e tregojnë shkollë të mesme 4 klasëshe e vetëm 4 klasëshe. Natyrishtb Ministrija e Arsimit kur i dha Drejtorisë së Normales urdhrin e ndarjes, së Qytetëses, dëftoi se për ç’arsye e në bazë të cilit nen të Ligjës e bëri këtë gjë. Para se të nxjerrim përfundimin nga ky fakt, të vijmë në shpërnguljen e disa bursistëve nga Elbasani në Shkodër.
Ministrija ka arsyet e veta në këtë gjë dhe një nga arsyet më të mëdha është kjo: klasa e parë e Normales sivjet ka pas 60 bursistë e nja 30-35 nxënës të tjerë jo bursistë. Drejtoria e Normales me telegrame dhe me telefon i është drejtuar Ministrisë që të mos dërgojë më bursistë, se s’ka vend dhe bursistët flejnë në dysheme. Nga një anë 90-95 nxënës në një klasë nuk bëhet, lyp krijimin e një klase paralele; nga ana tjetër s’kanë ku flenë bursistët, dhe nga një tjetër anë Ministrija ka hapur në Gjimnazin e Shkodrës një klasë Normaleje; e pra Ministrija i imponohej që të heqë disa bursistë nga Elbasani dhe t’i dërgojë në Shkodër. Këto gjëra i dinte fare mirë drejtori i Normales. Po ç’del nga kjo? Del kjo: Drejtori i Normales është njeri me rëndësi në Elbasan.
Elbasanasi i urtë dhe i mençur si vendosi vallë të bëjë manifestim pa pyetur drejtorin e Normales në se është e vërtetë apo jo se Normalja po hiqet nga Elbasani në favor të Shkodrës? Kjo është e pamundur. Më thënë se profesori i Normales, zoti Bajram, duke u transferuar në Shkodër, ka thënë n’Elbasan, për të lavdëruar veten, se e dërgojnë në Shkodër pse Normalja do të shpërngulet atje dhe pra ai, është “i nevojshëm, në Shkodër” dhe kështu populli është i alarmuar dhe ka bërë manifestim. Pra zoti Aleksandër Xhuvani në mos është autori kryesor i manifestimeve, dua të them shtytësi direkt, është së paku ndihmës në këtë punë. Por unë kam arsye të tjera të jem i bindur se autori kryesor është ai. Arsyet e mija do t’i tregoj nesër, dhe pasi të tregoj arsyet, do të hedh vështrimin tim tek organizonjësit e manifestimit. (Nebil Çika).
“Zoti Drejtor i Normales, autor kryesor”
Dje thashë se kam arsye të forta që të besoj se Drejtori i Normales së Elbasanit është autori kryesor i manifestimeve t’Elbasanit. Ja arsyet e mija: Drejtori i Normales zoti Xhuvani nuk e honepste dot gjendjen e krijuar në Arsim me ardhjen e qeverisë së sotme dhe fliste gjithnjë keq për shefat e Ministrisë. Në kohrat e fundit, çdo gjë që bënte Ministrija e Arsimit, formonte një objekt kritike të ashpër për zotin Xhuvani, kundrejt asaj, dhe në çdo gjë të bërë zoti Xhuvani shihte një paramendim. Në një letër që i shkruante një miku të tij më 4 tetor, duke bërë fjalë për transferimet e Arsimit, i thoshte: “Kuadri i ri i sotshëm i Ministrisë është një monstruozitet plot me padrejtësi, i bazue në pasione dhe mëri personale dhe në mene infernales klerikales, që ta themi më mirë frëngjisht. Ky kuadër është unik në analet e Arsimit. Po natyrisht se nuk mund të pritet më tepër nga tembellëku klasik i Krajnit, nga idiotja e Llupit dhe nga axhamillëku i Çabejt”.
Prapë zoti Xhuvani në 8 tetor i shkruante mikut të tij: “Hapja e një dege të Normales në Gjimnazin e Shkodrës dhe transferimi i Kasem Bajramit prej Normales atje, për të mësuar pedagogjinë, tregon qëllimin e fshehtë të klerit, për ta dobësuar Normalen e Elbasanit dhe për ta bërë me kohë të qenët e saj të panevojshme. Kleri dhe klerikët e Ministrisë së Arsimit nuk duan që brezi i ri të rritet me parimet e reja pedagogjike të ra…” Dhe në 29 tetor prap zoti Xhuvani i shkruante mikut: “Përpara se të vinte Ivanai, Gjimnazi i Shkodrës thuajse ishte kthyer në një Normale, ma të shumtët e nxënësve ishin në degën Normale, dhe Gjimnazi kishte pak nxënës, për me ja lanë veprimin të lirë Gjimnazit të Fretënvet. Tani po punojmë prapë për atë qëllim”. Siç shihet, zotit Xhuvani i ishte mbushur mendja se Ministrija e Arsimit është bërë vegël e Klerit Katolik dhe së shpejti do të prishet Normalja e Elbasanit.
Tani mund të kuptohet fare mirë se kush e përhapi në Elbasan fjalën se Normalja po shpërngulet nga Elbasani për në Shkodër. Dhe prova që e përhapi zoti Xhuvani është vetë besimi që u dhanë këtyre fjalëve Elbasanasit. Përnjëmend Elbasanasit, nuk do t’i besonin këto fjalë po të mos dilnin nga goja e zotit Xhuvani, që është një personalitet atje. Edhe sikur tjatër njeri t’i ketë përhapur këto fjalë, pra parija e Elbasanit a është e mundur që të mos kenë biseduar me zotin Xhuvani? Po s’është nevojë të zgjatemi mbi një gjë evidente. Zoti Xhuvani, siç tregojnë pasazhet që u nxuarnë nga letrat e tija, zjente kundra shefave të Ministrisë së
Arsimit dhe ishte krejt i shqetësuar për shpërnguljen e Normales, dhe natyrisht fjalët që i shkruante mikut të tij me letër, u thoshte me gojë Elbasanasve. Në një çast kur dy inspektorë dhe një profesor ishin në një luftë e cila kundërshtarëve të Ministrisë së Arsimit mund t’u dukej kuptim-plotë, zoti Xhuvani e ashpërsoj propagandën e tij. Por i duhej për armë një provë evidente të shpërnguljes së Normales. Dhe si e tillë hodhi përpara Elbasanasve faktin e shpërnguljes së 10 bursistëve në Shkodër. Se si ka ngjarë shpërngulja e bursistave të Shtetit, duhet ta kallzojmë edhe njeherë. Zoti Xhuvani i telegrafonte Ministrisë së Arsimit, më 28.9.1936, se “veç bursistëve të vjeçëm, Normalja nuk mund të marrë më tepër se 4-5 bursistë të rinj”. Dhe në 26.X.1936 telegrafonte: “Nuk kemi vend dhe as orendi”. Dhe nëndrejtori i Normales i telefononte Ministrisë: “Bursistët flenë në dysheme”…
Dhe kjo ishte e vërteta sepse edhe “Arbnia”, mirrte një letër nga “Internatistat e Normales së Elbasanit, në të cilën thuhesh kështu: “U lutemi dërgoni një redaktor t’uaj, që të shoh jetën mizerable që kalojmë ndër këto godina të shkatërrueme dhe antihigjenike të Internatit”. Ministrija, pra, passi i kish edhe arsye tjatër, u shtërngua të heq 10 bursistë nga Elbasani. Tani këtë fakt të shpërnguljes së nxënësve kush tjatër veçse Drejtori kompetent i Normales mund t’ua bënte të njohur Elbasanasve duke e interpretuar po në atë kohë si provë e shpërnguljes së Normales nga Elbasani? Dhe po ta bënte tjetër njeri këtë gjë, Elbasanasit a mund t’i bindeshin verbërisht? S’ka dyshim pra se parinë intelektuale të Elbasanit e ka bindur zoti Xhuvani, me propagandën e tij, nga se Normalja po shpërngulet nga Elbasani, kurse në realitet Qeverija s’ka pasë asnjë mendim të këtillë dhe kurse zoti Xhuvani natyrisht e dinte se për ç’farë arsyeje u shpërngulën bursistët. Të gjitha këto fakte e tregojnë se zoti Xhuvani është autori kryesor i manifestimeve. Përse? Propaganda e tij pse gjeti ushtimë? Këtë pikë do ta prekim nesër. (Nebil Çika)
“As që është menduar shpërngulja e Normales nga Elbasani”
Deklarata e ministrit të Arsimit dhe komunikata e Ministrisë së Brendshme
Demonstratat masive të popullit të Elbasanit i cili në nëntorin e vitit 1935 doli në rrugë duke protestuar ndaj qeverisë, e cila sipas tyre kishte vendosur që të transferonte Shkollën Normale nga ai qytet për në Shkodër, e detyruan qeverinë që nëpërmjet Ministrisë së Arsimit të
jepte disa deklarata dhe komunikata zyrtare ku përgënjeshtrohej ai lajm. Kështu në gazetën “Arbnia” të datës 31 tetor 1935, midis të tjerash shkruhej: “Sipas një lajmi privat që kishim nga Elbasani, parija dhe banorët e atij qyteti u mblodhën para Prefekturës për të protestuar kundra shpërnguljes së Normales nga ay qytet. Lajmi na çuditi natyrisht sepse një transferim i këtillë i Normales as që ishte dëgjuar. Siç duket disa transferime bursistësh shteti, që u urdhëruar, u dha shkak disa të “interesuarëve” që të përhapnin këtë lajm dhe të ushqejnë ç’qetësime të natyrshme të popullit të Elbasanit. (Deklarata e zotit Ministër t’Arsimit) Fletorja jonë, ndonëse dje ishte ditë pushimi, mundi të hetojë çështjen dhe prej hetimeve të saj rezultoi se lajmin për shpërnguljen e Normales nga Elbasani ështe krejtësisht i pathemeltë. Me gjithë këto, i kërkuam Ministrisë së Arsimit, zotit Dr. Nush Bushati, i cli pati mirësinë të na dekllarojë: “Nuk është aspak e vërtetë se është vendosur shpërngulja e Normales nga Elbasani. Ju dekllaroj në mënyrën më kategorike se Ministria e Arsimit as që ka menduar dhe nuk do të mendojë një gjë të këtillë. Kemi urdhëruar transferimin e 10 bursistave të shtetit, për arsye se Drejtoria e Normales na ka raportuar se nuk ka vend dhe se bursistat flenë në tokë. Pas kësaj urdhëruam transferimin e bursistave, të cilët do t’i dërgojmë në Gjinokastër dhe në Shkodër. Kjo është e vërteta dhe çdo gjë tjetër jashtë kësaj është e çpikur dhe pa themel. Ju lutemi të theksoni se Ministria as ka dhe as ka për të menduar transferimin e Normales s’Elbasanit në një qytet tjetër.
(Komunikata e Ministrisë së Brendshme) Aty nga ora 6 pasdreke, Drejtoria e Shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme na dha këtë komunikatë të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Disa veta nga parija e Elbasanit, që paskeshin dëgjuar se Normalja e atjeshme, gjoja shpërngulet, kanë shkuar sot përpara Prefektit dhe kanë kërkuar të mësojnë prej Zotërisë së tij se si qëndron kjo çështje. Zoti Prefekt, passi u muar vesh me Qendrën, u deklaroi zotërive të tyre se fjalët që kanë dëgjuar mbi shpërnguljen e Shkollës Normale, janë kryekëput të çpikura dhe nuk kanë asnjë themel. Parija e Elbasanit pasi dëgjoi këto fjalë, e falenderoi zotin Prefekt dhe u kthye në shtëpitë e veta”. (Tema)
(Bashkangjitur me këtë shkrim po publikojmë dhe disa foto ta rralla të qytetit të Elbasanit, shkollës NORMALE, prof. dr. Aleksandër Xhuvanit dhe publicistit e gazetarit të njohur, të asaj periudhe, Nebil Çika)