Ministri Brendshëm, Sandër Lleshaj, i shoqëruar nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, zhvilloi një inspektim në zonën e “Tiranës së Re”, për masat anti-Covid.
Lleshaj u shpreh se efektet e pandemisë vazhdojnë të jenë të larta dhe se virusi vijon të godasë fort, duke marrë edhe jetë të rinjsh pa sëmundje shoqëruese.
Lleshaj deklaroi se jam i qartë për ndjeshmërinë e shumë qytetarëve për këto kufizime, por duhet të kuptojmë që është detyrë të bëjmë balancën dhe të zgjedhim atë që duhet të zgjedhim. “Të kufizohemi në emër të asaj gjësë më të madhe, që nuk duhet ta kufizojmë, që është jeta“, tha ministri.
“Efektet e pandemisë vazhdojnë të jenë ende të larta, virusi ende vazhdon të godasë fort, madje po merr edhe jetë të rinjsh, edhe pa sëmundje shoqëruese. Kështu që mbetet detyrë e madhe për të gjithë ne që të angazhohemi fort për të parandaluar përhapjen e tij. Këtu kërkohet angazhimi i të gjithëve. Sot kemi dalë për të parë angazhimin e Policisë, e cila po kontrollon zbatimin e Aktit Normativ, i cili kërkon masa të reja shtesë kufizuese në drejtim të frekuentimit të lokaleve, muzikës”, tha Lleshaj.
Sipas Ministrit, në luftën kundër epidemisë kërkohet angazhimi i të gjithëve, ndërsa u bëri apel qytetarëve që të “mos dëgjojnë një kategori njerëzish të papërgjegjshëm, të cilët fatkeqësisht nganjëherë marrin dhe hapësira publike ku bëjnë kërkesa të çmendura”.
g.kosovari