1124 qytetarë te tjerë janë gjobitur në 24 orët e fundit pasi nuk kanë zbatuar masat anti-Covid. Policia sqaron se gjatë kontrolleve në rrugë janë ndëshkuar me masë administrative 3.000 Lekë, 916 persona që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Po ashtu 187 qytetarë të tjerë janë ndëshkuar me të njëjtën gjobë pasi udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 6 persona që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative dhe janë lënë të lirë.
Për administratorët e 6 subjekteve që janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë është vendosur masa administrative 1.000.000 Lekë.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 Lekë, 15 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.
/a.r











