Vijojnë tensionet e derbit Partizani-Tirana. Pak para nisjes së ndeshjes në “Air Albania”, disa tifozë janë përplasur me efektivët e Policisë pranë hyrjeve të stadiumit. Gjatë incidenteve, policia ka shoqëruar disa persona, ndërsa tifozët po përgatiten të hyjnë në stadium për të ndjekur derbin.
Derbi i javës së gjashtë vjen në një moment të pazakontë për dy skuadrat e kryeqytetit. Pas pesë ndeshjeve të para, Tirana ka grumbulluar vetëm pesë pikë dhe renditet e gjashta, ndërsa Partizani ka katër pikë dhe ndodhet në vendin e tetë. Për të dy ekipet, tri pikët vlejnë jo vetëm për renditjen, por edhe për të lënë pas momentin e vështirë.
Edhe pse të dyja skuadrat nuk po kalojnë formën më të mirë, derbi mbetet ndeshja më e rëndësishme e futbollit shqiptar. Kjo do të jetë përballja e 213-të mes tyre, me Partizanin që kryeson bilancin historik me 84 fitore, kundrejt 63 të Tiranës, ndërsa 65 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

