Vatra e zjarrit e regjistruar ditën e sotme (28 shtator) në Kreshpan të Fierit është vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse.
Për izolimin e flakëve u angazhuan zjarrfikësit dhe banorët e zonës, ndërsa në operacion u përfshi edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, i cili ndërhyri nga ajri.
Aktualisht situata është stabilizuar, por zona vijon të konsiderohet e rrezikshme për shkak të sipërfaqes së djegur dhe vatrave të mbetura.
Forcat zjarrfikëse do të qëndrojnë gjatë natës në terren për të monitoruar zonën dhe për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit.
Ndërkohë, në komisariat janë shoqëruar tre persona, të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësinë lidhur me ngjarjen.











