Nga THOMA GËLLÇI
Dy njerëz janë realisht më të interesuar për zgjedhjet në Partinë Demokratike. Njëri është numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe tjetri kushëriri i tij i largët nga Librazhdi, Helidon Balla. Taulantin e njohin të gjithë. Ndërsa Helidoni, megjithëse jo aq i njohur, është demokrat i orëve të para. Është aq i hershëm, sa thotë me krenari se ka hyrë në Partinë Demokratike përpara se të themelohej partia.
Në murin e shtëpisë mban tri fotografi: një të Skënderbeut, një të Azem Hajdarit dhe një të doktor Sali Berishës me një pardesy të bardhë të vitit 1992, ku doktori dukej sikur po vinte nga Kombinati i Tekstileve dhe jo nga një mbledhje e NATO-s.
Helidoni, ose Doni si i thërrasin në fshat, nuk kishte humbur asnjë protestë, asnjë miting, asnjë fjalim. Madje kishte marrë pjesë edhe në protesta që nuk ishin organizuar ende. Kishte një intuitë politike të çuditshme: sapo shihte doktorin në televizor të ngrinte zërin, merrte shallin blu dhe dilte në qendër të Librazhdit “për çdo rast”.
Por këtë herë halli ishte i madh.
Në parti ishin shpallur zgjedhjet për kryetar.
Kandidat?
Vetëm një.
Doktor Sali Berisha.
Dhe pikërisht kjo e kishte futur Donin në ankth të thellë.
— Po sikur të mos fitojë?— pyeste ai me zë të ulët në kafene, duke parë përreth me dyshim.
Shokët e tavolinës e shikonin të habitur.
— Po kundër kujt, mor Helidon?
— Nuk i dihet politikës!— përgjigjej ai rëndë. — Politika është si moti në Librazhd. Del dielli, bie breshër.
Prej tri netësh nuk flinte mirë. Gruaja e tij, Zyhrija, e gjeti në dy të natës në kuzhinë duke numëruar delegatë me kokrra fasulesh.
— Ç’bën kështu si i marrë?— e pyeti.
— Po numëroj votat.
— Po është vetëm një kandidat!
— Nuk ka besë Flamuri… pse i zihet besë atij doktorit tjetër, Alimehmetit? Doktor është edhe Flamur Noka, edhe Ilir Alimehmeti. E sigurt që duan t’i bëjnë puç doktorit të madh — tha Helidoni, duke e parë me qesëndi të shoqen, për mendjelehtësinë që po tregonte.
Të nesërmen doli në qytet i zymtë. Në dorë mbante një bllok të vogël ku kishte shkruar me stilolaps:
MASAT PËR FITOREN E SIGURT TË DOKTORIT.
Pika e parë:
Të ruhen kutitë e votimit nga infiltrimi i armikut të brendshëm.
Në këtë pikë u qetësua pak kur lexoi qarkoren që erdhi nga qendra, që vinte në dukje se kandidati Sali Berisha do të caktonte nga një njeri të vetin për çdo qendër votimi për të ruajtur votat.
Pika e dytë:
Të kontrollohen stilolapsat.
Kjo puna e stilolapsave ishte me zarar. I kishte mbetur një lloj frike që nga koha kur Mehmet Shehu donte ta vriste shokun Enver me një bastun-pistoletë. E kishte dëgjuar edhe përdorimin e çadrave-pistoletë në 21 janar, kur doktor Berisha kishte mbrojtur me heroizëm të pashoq gardhin e Kryeministrisë.
Pika e tretë:
“Të mos lejohet abstenimi nga pakujdesia.”
Në degën lokale të partisë, Helidoni kërkoi takim urgjent.
— Duhet mobilizim!”— tha. — Nuk mund ta marrim lehtë.
Kryetari lokal po pinte qetësisht një makiato.
— Ore Flori,- i tha gjysmë me tallje, – është vetëm doktori në garë.
— Edhe aq më keq! — shpërtheu ai. — Kjo të ul vigjilencën !
”-Mos u shqetëso, – i tha kryetari i degës lokale të PD-së, – janë marrë masat. Qendra ka vendosur që përveç demokratëve që janë në lista, të votojnë edhe ata që s’janë në lista por që kanë një tesër partie.
Helidoni pati një ndjenjë lehtësimi.
Në ditët që pasuan,nisi një fushatë të ethshme ndërgjegjësimi. Trokitte derë më derë.
— A do votosh?
— Po.
— Për kë?
— Po për doktorin…
— Thuaje me bindje!— bërtiste — Demokracia kërkon vendosmëri!
Vendosi të rrinte roje vullnetare pranë selisë së partisë në Librazhd.
Rreth orës dy të mëngjesit pa një mace të zezë që kaloi pranë derës së selisë.
— Provokacion! — bërtiti ai.
Menjëherë lajmëroi qendrën. Nga ana tjetër, Flamuri në telefon i tha që të merrte masat që kjo të mos përsëritej më. Ndërkohë, doktori do të dilte në një konferencë shtypi për këtë përpjekje të re të socialistëve dhe mafias për të sjellë tersin në zgjedhje. Macja e zezë nuk kishte kaluar kot.
Nga ana tjetër, dritat në selinë e Partisë Socialiste rrinin ndezur. Taulanti po përgatiste raportin e fundit rreth zgjedhjeve në Partinë Demokratike për shefin e vet. Lajmi për macen e zezë që kishte kaluar përpara selisë së Partisë Demokratike i ra si bombë. Ngriti telefonin dhe mori direkt kryetarin lokal të PS-së:
Porosia është e prerë, tha, asnjë mace e zezë nuk duhet të kalojë përpara zyrave të PD-së. Asnjë shenjë që të demoralizojë ndjekësit e doktor Berishës. Ki parasysh, i tha, se një fitore e thellë e doktor Berishës në zgjedhjet e brendshme të PD-së, është garancia më e madhe që do të marrim edhe mandatin e gjashtë.











