Familja e efektives Zarife Hasanaj jeton në Babrru të Tiranës. Kanë rreth 30 vjet që janë larguar nga Tropoja, prej nga janë me origjinë, ku pranë banesës së tyre kanë edhe të afërm të tjerë.
Ata kanë hapur dyert e mortit pas lajmit për vdekjen e oficeres gjatë misionit të NATO-s në Letoni, për demontimin e minave.
Zarife Hasanaj, 32 vjeçarja nga Tropoja, prej vitesh banonte në Tiranë në zonën e Babrrusë, së bashku me familjen e saj, nënën, babanë dhe vëllanë, ndërsa dy motrat e saj të martuara jetonin jashtë vendit, raporton “Panorama”.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Adem Osmanaj, i afërm i viktimës, është shprehur se lajmin tragjik e kanë mësuar nga mediat.
Aktualisht në banesë ndodhej vetëm nëna dhe vëllai i 32 vjeçares, të cilët nuk kanë mundur të flasin asnjë fjalë, ndërsa ndodhen në gjendje shoku pas tragjedisë që ka prekur familjen e tyre.
I ati i oficeres ende nuk është njoftuar për humbjen e të bijës, pasi ndodhej në një ceremoni mortore në Tropojë dhe ishte duke u kthyer për në banesë, në Tiranë.
Ministria e Mbrojtjes konfirmoi paraditen e kësaj të hëne se e reja kishte humbur jetën pas plagëve të marra nga shpërthimi i një mine të cilën ishte duke e pastruar.
Të plagosur mbetën edhe dy persona të tjerë, pjesë e grupit të FA, njëri në gjendje të rëndë.
Forca të ushtrisë kanë mbërritur pranë banesës së familjes Hasanaj. Ministria e Mbrojtjes do të ndjekë të gjitha procedurat për mbërritjen e trupit të pajetë të Zarife Hasanajt, nëntetares që humbi jetën teksa çmontonte lëndë plasëse.