Policia e Shkodrës doli në një deklaratë për mediat këtë të martë duke bërë të ditur se ka zbardhur vrasjen e Ramazan Matajt, duke vënë në pranga 2 vëllezër. Sipas policisë, 29-vjeçari Arjon Hasaj, përmes një profili të rremë në rrjetet sociale, ka nxjerrë në pritë ku edhe kanë ekzekutuar Ramazan Matën.
“Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë. Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit”, njofton policia.
Ndërkohë, janë publikuar edhe pamje nga policia të momentit kur autori i dyshuar i vrasjes është larguar me biçikletë pas krimit.