Forcat e Armatosura, zhvilluan një stërvitje se si mund të reagojnë gjatë rasteve të një operacioni luftarak.
Kjo stërvitje u zhvillua në mjediset e Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes së Informacionit dhe zgjati dy ditë. Në të u testua gatishmëria e forcave si dhe elementët e komunikimit dhe të sistemeve.
Në stërvitjen Kastrioti – 2018, morën pjesë efektivë nga të gjitha forcat dhe komandat e Forcave të Armatosura.
“Stërvitja e Shtabit të Përgjithshëm dhe strukturave të varësisë së tij, shërben për planet e operacioneve të përbashkëta luftarake, si dhe harmonizimin e procedurave standarde në përshtatje me ato të NATO”, tha kolonel Petrit Çuni, shefi i Shtabit të Task Forcës së Bashkuar Shumëkombëshe.
Mësimet e nxjerra nga stërvitjet e mëparshme u implementuan në skenarët dhe në objektivat e trajnimit.
Shefi i Shtabit zhvilloi komunikime të herëpashershme me drejtuesit e forcave pjesëmarrëse në këtë stërvitje, nëpërmjet lidhjeve direkte.
Ndërkohë Qendra e Bashkuar Operacionale, reagoi në kohë reale ndaj gjitha situatave që ndodhën.
/b.d