Arbri Goga është emigranti përmetar që u kthye nga Italia bashkë me nusen italiane për të ndërtuar një investim në qendër të zonës historike të Përmetit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video ku ndau me qytetarët historinë e suksesit të Arbrit.
“Mirëmëngjes me një puthje duarsh për Arbri Gogën, emigrantin përmetar që u kthye nga Italia bashkë me nusen italiane dhe një rrënojë në qendër të zonës historike të Përmetit, e ktheu në qendrën e gravitetit të projektit tonë për Rilindjen e asaj zone të vjetër e të harruar për shumë dekada, duke treguar me këtë vepër kaq të bukur se kush do dhe di, me punë e me durim, ia del të bëjë sukses e të nxjerrë fitim edhe aty ku duket e pamundur”, – thekson Rama.
Ndërsa Arbri, në 24 shkurt të 2019 gjatë një vizite që Kryeministri Rama zhvilloi në hotelin e tij tha se “jam kthyer nga Italia me idenë për të zhvilluar turizmin sepse është edhe fusha ku unë kam punuar”.
Ndërsa Kryeministri Rama e cilësoi “një dallëndyshe që lajmëron pranverën nëse njerëzit ndjekin këtë shembull”.
Përmeti është një mundësi më shumë për turistët për të shijuar dhe përjetuar bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.
Ai është ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing, të gjitha këto aktivitete të një familjeje aktive.
g.kosovari