Parakalime në krah të kundër dhe kërshillëk policisë, çmenduria e të rinjve në rrugë me shpejtësi deri në 280 km/h.
Të rinj, të shfrenuar dhe me makina të shtrenjta që u duket sikur kanë kapur ‘majën e botës’ dhe nuk pyesin më as për rregulla, as për polici dhe më e rëndësishmja as për jetën e tyre dhe njerëzve. Kjo është gjithçka që shikon në një mori videosh të ndryshme, ku fokusi kryesor i tyre është shpejtësia marramendëse që arrin deri në 280km/h, parakalimet e gabuara që bëjnë por ka edhe nga ata që i bëjnë kërshillëk policisë duke ‘ia bërë me drita’ të hapin rrugën apo sfidojnë postblloqet e tyre.
Në tunele, autostradë apo akse të ndryshme rrugore, të rinjtë shfaqin ‘forcën’ e tyre me makinat e shtrenjta dhe shpejtësi skëterrë, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre por edhe qytetarëve të tjerë.
Duket se vetë policia është e pafuqishme përballë ‘parakalimeve të vdekjes’. Madje një prej këtyre makinave ka edhe logon e parlamentit të Shqipërisë, që sfidon policinë. Videot janë marrë në rrjetet sociale, ku të rinjtë nuk ngurojnë të ekspozojnë çmenduritë që kushtojnë jetë.
Ishte pikërisht shpejtësia që i mori jetën katër anëtarëve të familjes Gushi, të cilët humbën jetën mëngjesin e djeshëm në një aksident në aksin Fier-Vlorë. Automjeti me të cilin ata po udhëtonin u godit nga një ‘Audi’ luksoz, që po lëvizte në rrugë me mbi 150 km/h.
Makina me logo ‘Leje Kuvendi’
Shqiptarja.com