Tirana mposhti 3-1 Vllazninë, në takimin që u luajt në kryeqytet. Sfida u zhbllokua që në minutën e 8-të me Seferin. Fati do ishte me djemtë e Plorit në minutën e 24-të, pasi Zhivanaj realizoi në portën e gabuar. Gjithsesi, brenda pjesës së parë, Totre bëri gjithçka mirë, duke çuar bardheblutë të qetë në dhomat e zhveshjes. Goli i qetësisë erdhi sapo filloi fraksioni i dytë, me Xhixhën. Kështu, të besuarit e Shehit marrin 3 pikë pa vlerë (Kanë fituar kampionatin), ndërsa rruga Europë e Vllaznisë komplikohet edhe më shumë pasi janë të pestët me 49 pikë.
Pa asnjë objektiv ishte takimi mes Skënderbeut dhe Laçit. Korçarët kanë rënë nga kategoria, ndërsa laçianët kanë siguruar me kohë vendin e dytë. 90 minutëshi në Korçë përfundoi 1-2, me gol të Pusit për vendasit dhe Guindo e Turkaj për musafirët.
Partizani merr një fitore të rëndësishme për Europën. Të kuqtë fituan 0-1 në Rrogozhinë me Egnatian. Heroi i të kuqve ishte Rrapaj, në shtesën e pjesës së parë. Futbollistët e Mehmetit e shohin veten në vendin e 3-të me 52 pikë. Egnatia tani do luaj në Play out.
Dinamo bie zyrtarisht në Kategorinë e Parë. Blutë u mposhtën me përmbysje 2-1 nga Kukësi. Të besuarit e Vanolit filluan të besonin te mbijetesa pas golit të Demirit në të 53-tën nga distanca, por ëndrra nuk zgjati shumë, pasi verilindorët “tundën rrjetën” me Lulajn në të 66-tën dhe në fund me Ndrecajn. Kukësi është i katërti me 49 pikë.
Kastrioti dhe Teuta u përplasën pa presionin e pikëve, pasi Europa është larg, ndërsa zona e rënies edhe më larg. Ndeshja në Kamzë u mbyll 0-1 dhe u vendos nga Hebaj, në minutën e 77-të.
Rezultatet finale
Skënderbeu-Laci 1-2
Kukësi-Dinamo 2-1
Kastrioti-Teuta 0-1
Egnatia-Partizani 0-1
Tirana-Vllaznia 3-1