Gjashtë persona kanë vdekur në një aksident të rëndë kur aeroplani i vogël privat u rrëzua mbi një teren golfi në periferi të Feniksit, menjëherë pasi fluturoi nga një aeroport i afërt. Policia ka identifikuar katër persona si yje të Instagramit.
Mariah Coogan (23), dhe Helena Lagos (22) ishin manekine dhe fotomodele, Anand Anil Patel (26) ka punuar si promotor i festave, James Louis Pedroza (28) ishte pilot i ardhshëm dhe nikoqir i një klubi të natës, e me ta në fluturim nga Skotdal në Arizonë për në Las Vegas ishin edhe Erik Valente (26) dhe Iris Carolina Rodriguez Garcia (23).
Ende nuk është vërtetuar me siguri përse aeroplani Piper PA-24 Comanche u rrëzua menjëherë pasi fluturoi rreth orës 21. Tani për tani supozohet se aeroplani nuk ishte dedikuar për transport të gjashtë personave dhe se ishte i mbingarkuar, transmeton Insajderi.com.
Pasi e goditi tokën, aeroplani menjëherë u dogj. Mbetjet janë transportuar në Feniks për analiza, ndërsa raportet preliminare priten pas rreth dy javëve. Autoritet nuk kanë publikuar se kush e ka drejtuar aeroplanin, por kanë konfirmuar se nuk është Pedroza, i cili ishte pronar i aeroplanit, sepse ende ishte në procesin e marrjes së lejes.
Shoqëria kënaqej në Festivalin e dritave në Fenkis prej nga ktheheshin në Las Vegas. Para fluturimit Mariah Coogan ka xhiruar dhe nga aeroplani e ka ndarë videon nëpër rrjete sociale.
Coogan ka punuar në Santa Fe si modele dhe trajnere e kalërimit. U bë e popullarizuar në Instagram dhe ka mbledhur më tepër se 30.000 adhurues pasi para gjashtë viteve e braktisi shkollën dhe filloi të punojë si manekine. “Ishte e hapur, komunikatave, shumë e dashur. Ajo nuk kishte asgjë negative, me siguri vajza më pozitive të cilën e kam njohur”, ka thënë një shoqe e saj.
Vëllai binjak i Patelit Akash e ka përshkruar atë si ndërmarrës të aftë i cili e kishte bashkuar punën me jetën e natës, i cili udhëtonte nëpër vend, krijonte shoqëri, dhe organizonte festa. “Vdekja na e morri derisa punonte atë çfarë donte më së shumti, ishte i rrethuar me miq dhe kënaqej”, ka thënë ai.
ma.me