Ka dalë jashtë kontrollit situata në Kuvendin e Kosovës. Mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës ka pasur një përleshje fizike. Gjithçka ka ndodhur gjatë kohës që kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim në foltore.
Ai është sulmuar fizikisht nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku dhe Hajdar Beqa sipas asaj që raporton Radio Evropa e Lirë. Deputetët i kanë hedhur ujë kryeministrit Kurti.
Menjëherë aty ka ndërhyrë ministri i Financave, Hekuran Murati. Pas kësaj nis menjëherë konfrontimi fizik.
Siç duket edhe nga pamjet është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë së Kuvendit të Kosovës për të bërë të mundur qetësimin e situatës.
Kjo ngjarje në Kuvendin e Kosovës vjen në një moment kur Policia e Kosovës ka nisur t’i reduktojë trupat e saj në objektet komunale në veri të vendit, pas pranimit të vendimit të qeverisë. Reduktimi i forcave policore ka ndodhur para mesnatës së mbrëmshme, ndërsa këto lëvizje janë zhvilluar paralelisht nga komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Gjithashtu, prej disa ditësht politika në Kosovë është tronditur nga përgjimet e publikuara mes Mimoza Kusari-Lilës së Vetëvendosjes me një deputet të Listës Serbe (Lexo më shumë).
/a.r