Procesi mësimor në shkollat e kryeqytetit ka vijuar normalisht gjatë ditës së sotme, ndërsa pjesa dërrmuese e nxënësve i janë drejtuar klasave dhe kanë zhvilluar mësimin sipas orarit.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Gazeta TemA, në shkollën “Edith Durham”, e njohur edhe si ish-shkolla “11 Janari” dhe në institucione të tjera arsimore në Tiranë, nxënësit kanë vijuar rregullisht procesin mësimor, pa iu bashkuar protestës.
Pavarësisht thirrjeve për pjesëmarrje në protestë, në këto shkolla situata paraqitet e qetë, ndërsa mësimi ka vijuar pa ndërprerje të dukshme.
Pamjet tregojnë se nxënësit kanë zgjedhur të ndjekin mësimin, ndërsa një pakicë e vogël është përfshirë në protestë.
Edhe rrugët e kryeqytetit janë paraqitur më të qeta gjatë ditës së sotme, me qytetarë që vijojnë normalisht rutinën e tyre të përditshme, si dhe turistë që shëtisin dhe vizitojnë Tiranën.

