Klubi i Partizanit është prej kohësh në kërkim të një sulmuesi të ri për të përforcuar repartin e avancuar dhe me sa duket ka piketuar emrin me të cilin synon të bëjë diferencën ndaj skuadrave të tjera.
Pasi panë Shkurtajn të përfundonte te Kukësi, të kuqtë kanë kthyer sytë nga tregu i jashtëm dhe kanë nisur negociatat për firmën me një sulmues shumë cilësor.
Bëhet fjalë për ganezin Kuame Karikari, i cili ka eksperienca në Suedi, Turqi, Kazakistan, Ukrainë, Katar e së fundmi ka qenë pjesë e Neftçi në kampionatin e Azerbajxhanit.
Lojtari i cili ka qenë pjesë edhe e Ganës U20, tashmë 26-vjeçar, është në kontakt me klubin e kuq dhe pritet që së shpejti t’u bashkohet kryesuesve të Superiores.
VIP Sport ka mësuar se kërkesat ekonomike të lojtarit janë relativisht të larta ndaj negociatat mes palëve po zgjasin, edhe pse parimisht të kuqtë janë dakord që ai t’u bashkohet atyre në ditët në vijim.
Në rast të një akordi të mundshëm, ai pritet të bëhet lojtari më i paguar i Superiores, pasi te Partizani e shohin atë si një lojtar që do të bëjë diferencën në kampionatin shqiptar.