Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka njoftuar përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, se mësuesja Mine Hasani, e cila ka ushtruar dhunë sistematike ndaj nxënësve në shkollën 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë” në Kamëz, është hequr nga puna.
Bëhet fjalë për rastin e denoncuar të martën, 24 shkurt, nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan, shoqëruar me pamje filmike.
“Një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, mbi rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit, si një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit.
Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë çështje po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive. Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë”, thotë Kumbaro.
Ministrja bën me dije po ashtu se hetimi administrativ vazhdon me të gjithë zinxhirin komandues dhe me analizë të thelluar.
“Jo vetëm për të marrë masa ndaj një personi që nuk e meriton titullin mësues, por edhe për të kuptuar se cilat janë boshllëqet në zinxhirin e drejtimit, rolin e psikologëve dhe të drejtuesve të shkollës”, tha ajo.
Nga pamjet e siguruara me kamera të fshehtë, shihet se si mësuesja i godet fizikisht nxënësit, si edhe përdor gjuhë fyese, kërcënuese dhe degraduese ndaj tyre. Në një monitorim prej më shumë se një jave, rezulton, se shprehjet si “ta plas kokën”, “ta mbys fare”, “idiote”, “kafshë”, “zero jeni”, ishin “buka e përditshme” e mësuese Mines.











