Skënder Hita është prezantuar sot në krye të Policisë së Shtetit, në një ceremoni ku Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, e vlerësoi atë si “njeriun e duhur për të udhëhequr Policinë në një moment të rëndësishëm për vendin”.
Lamallari theksoi se procesi i përzgjedhjes ka qenë transparent dhe i bazuar në meritë, duke siguruar që drejtimi i këtij institucioni kyç t’i besohet një figure të besueshme, me standarde të larta profesionale. Ai e përshkroi Hitën si oficer karriere, profesionist dhe të udhëhequr nga integriteti në çdo detyrë.
“Dua të evidentoj 3 elementë domethënës. Së pari lidhur me procesin e ndjekur deri më sot. Për të mbërritur në këtë ceremoni, është kaluar përmes një procesi transparent dhe të bazuar në meritë, duke siguruar që drejtimi i këtij institucioni kyç t’i besohet një figure të besueshme, që përfaqëson standardet më të larta profesionale të organizatës së Policisë së Shtetit. Skënder Hita është njeriu i duhur për të udhëhequr Policinë e Shtetit në një moment të rëndësishëm për vendin dhe për qytetarët, duke garantuar stabilitet dhe lidership. Është një oficer karriere, profesionist dhe i udhëhequr nga integriteti në çdo detyrë që ka mbajtur”, u shpreh ai.
Ministri nënvizoi gjithashtu rolin e Policisë së Shtetit në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar atë si një element teknik dhe thelbësor për ndërtimin e një Shqipërie ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe siguria është e garantuar.
“Integrimi i vendit në BE. Ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria. Negociata janë të hapura dhe vijojnë me intensitet me Brukselin dhe vendet anëtare dhe progresi i Shqipërisë po vlerësohet në mënyrë të vazhdueshme. Në këtë rrugëtim, Policia e Shtetit ka një rol thelbësor sepse integrimi europian është edhe një proces teknik. Është ndërtimi i një Shqipërie ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku siguria është e garantuar dhe institucionet janë të besueshme”, theksoi ministri.
Duke iu drejtuar kreut të ri të Policisë së Shtetit, Lamallari kërkoi nga ai lidership të fortë.
“Zoti Drejtor i Përgjithshëm, ju merrni këtë detyrë kur kërkohet lidership i fortë, vizion i qartë dhe vendosmëri. Besimi që ju është dhënë sot është edhe një pritshmëri e lartë për të çuar përpara një polici moderne, profesionale dhe në përputhje me standarde europiane. Roli juaj është i qartë: të forconi pro0fesionalimin, të thelloni luftën kundër paligjshmërisë dhe të garantoni që Policia të mbetet institucion në shërbim ët qytetarëve dhe jo mbi ta”, u shpreh Lamallari.











