Fitorja ndaj Kastriotit ka qenë suksesi i radhës i ekipit të Partizanit, që në këtë sezon është më pranë se kurrë ëndrrës titull, trofe që u mungon kryeqytetasve që nga viti i largët 1993. Tifozët më të flaktë të Partizanit, “Ultras Guerrils”, kanë qenë të shumtë në stadium dhe po ashtu kanë vazhduar dhe rrugëve të Tiranës, duke kënduar e festuar, teksa binte në sy numri i madh i forcave të policisë që shoqëronin ultrasit e kuq.
Madje njëri aks i unazës është bllokuar tërësisht nga disa makina policie, që bllokuan trafikun dhe shoqëruan tifozët deri në pikgrumbullimin e tyre të zakonshëm te 21-dhjetori, ku më pas kanë nisur të festojnë.
Mesa duket, policia pasi ka parë numrin e madh të tifozëve, i është trembur një tjetër përplasje si ajo që ndodhi pak muaj më parë mes ultrasve të Partizanit e Tiranës. Gjithsesi, sot ka qenë vetëm festë legjitime e pjesës së kuqe të kryeqytetit, por gjithsesi, forcat e rendit nuk kanë ulur gatishmërinë.












