Kompania që u përfshi nga flakët dhe u dogj sot në zonën e Kasharit është në pronësi të Vullnet Hakës. Ai është kryetar i Shoqatës së Ricikluesve në Shqipëri. Haka është një personazh i njohur, pasi rreth dy vite më parë ka lobuar fuqishëm që të miratohej ligji për importin e mbetjeve në Shqipëri për t’u ricikluar.
E ndërsa lobonte për importin e mbetjeve, nga ana tjetër fabrika e tij nuk respektonte kushtet e sigurisë dhe kriteret e vendosura për riciklim. Para një viti kompania e tij ‘Everest’ u përfshi nga flakët, ndërsa u gjobit për mos respektim të kushteve të sigurisë. Edhe sot, drejtori i zjarrfikëses së Tiranës deklaroi se nuk funksionoi sistemi i alarmit të zjarrit dhe se nuk u lajmëruan nga biznesi, por nga banorët për zjarrin.
Gjithashtu banorët e zonës në Kashar deklarojnë për Report Tv se janë ankuar disa herë për ndotjen që shkaktonin mbetjet në fabrikën e riciklimit, që u dogj sot. Por, pavarësisht ankesave ata deklarojnë se nuk është marrë asnjë masë. Pak kohë më parë edhe Eljan Tanini, anëtar i Shoqërisë Civile denoncoi se industria e riciklimit ‘Everest’ funksionon jashtë parametrave.
Gjatë emisionit opinion në Tv Klan ka pasur edhe një përplasje mes biznesmenit Haka dhe Taninit. Por duket se Haka është kujdesur siç duhet për imazhin e biznesit edhe pse vazhdimisht i janë shfaqur probleme.
Në kulmin e debatit për importin e mbetjeve, në shtator të vitit 2016 në fabrikën Everest ka qenë edhe kryeministri Rama. Gjatë kësaj vizite kujdesi ishte që çdo gjë të dukej perfekte, ku në pamje duken produktet në varjantin final.
Por në një tjetër kronikë televizive, ku biznesmeni Haka flet për rëndësinë e importit të mbetjeve, duken edhe materialet që riciklohen brenda këtyre magazinave, të cilat çlirojnë edhe erën e rëndë për të cilën janë ankuar vazhdimisht banorët.
Debati mes Vullnet Hakes dhe Eljan Taninit per kushtet e fabrikes
Ekstrakti i QKR për Vullnet Hakën