Duket se pas shkarkimit të drejtorit të ALUIZN në Berat, dëgjesat me kryeministrin janë kthyer në makth për drejtuesit e institucioneve vendore.
Dëgjesa e radhës u zhvillua në qytetin e Vlorës, ku Rama është përballuar me ankesat e shumta të qytetarëve.
Një qytetare u ankua për ALUIZN-in.
“Hallin e kam me ALUIZ-in. Por fatkeqësisht deri më sot nuk është zgjidhur, me këtë dosje që kam sot me firmat e ALUIZN-it, me mbivendosje të pronës, mbi pronën tonë prej 27 vjetësh, me leje ndërtimi, me certifikatë, me numër regjistri në hipotekë. Por, të shkretën e shkelëm me 20 metra katror. Unë po vuaj dhe po jetoj në ajër. Kjo dosje është për ndjekje penale. Por, unë s’po e çoj në gjykatë, por djemtë e rinj që kanë bërë gabime ta shikojnë sërish”, iu ankua e moshuara kryeministrit Rama.
Në përgjigjen e tij drejtori i ALUIZNI-t Vlorë, Egon Velaj i shpjegoi kryeministrit gjithë problemin në detaje duke e korrigjuar edhe të moshuarën se ka më shumë shtesë në metra se sa ajo pretendonte.
Sipas tij, pritet përgjigje zyrtare nga Ujësjellësi, pasi bie rrjeti në shtesën e qytetares. “Problemi është i tillë që zonja ka një objekt me leje ndërtimi që në vitin 1996, në mos gaboj, e ka regjistruar në Hipotekë. Në të njëjtën kohë ka aplikuar te ALUIZNI për pjesën tjetër që ka dalë më vonë për një shtesë anësore rreth 27 metra. Nga verifikimet në terren dhe nga përpunimi i dosjes është konstatuar se poshtë objektit të zonjës kalon rrjeti i Ujësjellësit. Duke qenë se cenon rrjetin e ujësjellësit dhe përjashtohet nga procesi i Legalizimit i kemi bërë një shkresë drejtorisë së ujësjellësit Vlorë. Nga komunikimi del se objekti e cenon rrjetin e ujësjellësit”, është shprehur Velaj.
Ndërsa nga ana e tij, kryeministri Edi Rama, theksoi se nuk mund të legalizohen objekte mbi ujësjellës dhe kanale kulluese.
Në dëgjesën në qytetin e Beratit, drejtori i ALUIZNI-it u shkarkua nga kryeministri Rama për shkak të zgjatjes së procedurës së legalizimit të një objekti të një moshuare. Por, jo gjithmonë qytetarët kanë pasur të drejtë në ankesat e tyre, siç rezultoi edhe në rastin e fundit në qytetin e Vlorës.
Diskutimin e të moshuarës dhe drejtorit të ALUIZNI-t e gjeni në minutën 05-7:00