Automjete të blinduara dhe tanke të ushtrisë serbe kanë patrulluar mëngjesin e sotëm gjatë autostradës Nish-Beograd, në Serbi. Kanë qenë raportime nga qytetarë të ndryshëm që kanë filmuar edhe lëvizjen e automjeteve të rënda përgjatë rrugës.
“Autostrada Nish – Beograd. Mjete të ushtrisë serbe duke ikur drejt kufirit të Kosovës. Me qindra automjete si këto i kemi parë gjatë gjithë rrugës. Njofto shqiptarët e Kosovës se i hongri dreqi edhe ni herë”, – shkruan me shqetësim një dëshmitar, i cili ka sjellë edhe pamjet filmike në redaksinë e JOQ.
Më herët, lexuesit e ditores serbe Alo, që jetojnë në Serbi, thonë se pranë kufirit me Kosovën kanë arritur njësitet SAJ (Forcat Speciale Anti-Terroriste të Serbisë), transmeton Telegrafi. Sipas tyre, lëvizje të tilla më parë të këtyre formacioneve nuk kanë vërejtur. Ndërkaq, gjithçka ndodh pas ndalimit të djeshëm të trenit rus që donte të hynte në Kosovë dhe pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.
Reagimi i KFOR-it: Jemi gati të ndërhyjmë
Zëdhënësi i KFOR-it, nënkoloneli Max Barbacini, u ka bërë thirrje palës serbe dhe asaj kosovare për vetëpërmbajtje dhe të angazhohen për dialog. Megjithatë, sipas tij, KFOR-i është i gatshëm për çfarëdo situate, e cila ka nevojë për ndërhyrjen e tyre, raporton “Zeri”.

Tentimi që treni i nisur nga Beogradi me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, të hyjë në Kosovë, ka kaluar të gjitha kufijtë e “normalitetit” të provokimeve të deritashme nga ana e Serbisë. Ky rast, nga ekspertët e sigurisë në vend, po shihet si “luftënxitëse”, dhe që ka cenuar situatën e sigurisë në Kosovë.
Madje, sipas tyre, në pikëpyetje është edhe vetë stabiliteti rajonal. Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës, nuk ka vend për shqetësime në nivel shtetëror për gjendjen e sigurisë.
Ata vlerësojnë se situata është e qetë dhe e “brishtë” në pjesën veriore të Mitrovicës. Për këtë arsye edhe kanë ngritur në dispozicion të gjitha kapacitetet që kanë. E presidenti serb, Tomislav Nikoliç, dje ka mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë Nacionale, pas së cilës ka thënë se Serbia është e gatshme të nisë edhe ushtrinë në Kosovë, nëse rrezikohen jetët e serbëve.
E rreth krejt kësaj situate reaguesi i tretë për sigurinë në vend, KFOR-i, u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në dialog, duke shtuar se ata do të jenë të gatshëm për çfarëdo lloj situate që paraqitet në terren. /MA.ME










