Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi është kapur duke vjedhur biçikleta.
Në kuadër të operacionit të koduar “September”, blutë e kryeqytetit kanë zbardhur 5 raste të vjedhjeve të monopatinave dhe biçikletave.
Por ajo që vihet re nga pamjet e siguruara nga policia është se vjedhjet janë kryer në ambientet e jashtme të një ministrie.
Njoftimi i policisë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “September”, për zbardhjen e 5 rasteve të përsëritura të vjedhjes së monopatinave dhe biçikletave.
Vihet në pranga një 33-vjeçar, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm, për raste të vjedhjes së biçikletave dhe monopatinave të tyre, me mbështetjen e inteligjencës policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “September”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi B. (B). D., 33 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë muajve të fundit, ka kryer 5 vjedhje në zona të ndryshme të Tiranës, konkretisht:
– Më datë 28.05.2023, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetases M. C.;
– Më datë 01.06.2023, dyshohet se ka vjedhur monopatinën e shtetasit A. C.;
– Më datë 14.07.2023, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetasit R. B.;
– Më datë 16.08.2023, dyshohet se ka vjedhur biçikletën e shtetasit K. H.;
– Më datë 28.08.2023, dyshohet se ka vjedhur monopatinën e shtetasit E. K.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./m.j