Nga Lorenc Vangjeli
Ka shekuj që përdoret ky term për të ilustruar gjetjen e zgjidhjeve të thjeshta për situata të ndërlikuara. Lundërtari i madh që vendosi të lundrojë drejt Perëndimit për të mbërritur në Lindje i ka dhënë emrin e tij kësaj rropatjeje intelektuale duke dhënë më shumë shpresë për sukses në misione në dukje të pamundura.
Në botën e madhe ka fare pak gjëra që janë të sigurta, në mos asgjë; vetëm të marrët janë të sigurt kurdoherë dhe për çdo gjë! Në botën tonë të vogël, një gjë është e pothuajse e sigurt: ka një krizë të thellë, mbytëse dhe asgjesuese besimi mes palëve. Kriza e besimit në Shqipërinë politike është një nga këto misione që e meriton plotësisht këtë mbiemër si në filmat me Tom Cruise. Njëlloj siç ishin mbushur me mosbesim dhe kuturisjet për në Lindje të Kolombit shekuj më parë, që në fakt lindën një botë të re në Perëndim.
Në Tiranë nuk është i ri konstatimi cinik me disa shtresa: Rama nuk beson tek Meta, Meta nuk beson tek Basha, Basha nuk beson tek Rama dhe më tej akoma, Rama nuk beson tek Basha dhe Basha nuk beson tek Meta, i cili nuk beson as tek Rama dhe as tek Basha, të cilët gjithashtu nuk besojnë tek Idrizi dhe më tej me rradhë, pa vënë në rradhë të gjithë emrat e politikanëve me emër në Tiranë, me dhe pa vota, gjithkush nuk beson tek askush.
Kjo krizë është fillesa e të gjitha krizave të tjera, që edhe në mos kanë ardhur, janë në rrugë e sipër për të ardhur. Për të dëmtuar dhe ndëshkuar gjithkënd. Për të bërë “target” të parë të varfërit që janë shumë, por duke bërë shumë më të pasigurt të pasurit që janë të paktë, por kanë më shumë për të humbur. Që humbasin edhe kur nuk fitojnë atë që kanë llogaritur.
Kriza e besimit nuk është e re në Tiranën politike. Ajo shtrihet sa nga një parti tek tjetra, po aq dhe brenda për brenda çdo partie. Karriera dhe kurajo të tëra janë shuar dhe ndryshuar në rrugëtimin raskapitës për të siguruar besim në marrëveshje dhe marrëveshje besimi mes partnerësh rivalë dhe rivalësh në partneritet.
Elementë të krizës së besimit janë kudo. Komisioni i “vetingu”-ut, për shembull është parashikuar të jetë thellësisht bipartizan kryesisht sepse asnjë palë nuk i beson tjetrës. Siç është balancimi partiak në KQZ apo dhe në komisionet e numërimit të votave, tryezat e famshme që prodhojnë pushtet dhe që kanë arritur shpesh herë edhe të deformojnë plotësisht pushtetet në vend.
Si rregull, kriza arrin pikun e saj në periudhë zgjedhore. Domethënë, kriza e të mërkurës së kësaj jave është më e vogël se kriza e besimit që do të vijë të enjten e së njëjtës javë; ajo është ende në të përpjetë drejt rrugës për në mes të qershorit. Ta shuash apo ta zbusësh atë ngjan si mision i pamundur, me palë që ngjajnë si cepa kryqi dhe me dëshirën e shpallur për ta kryqëzuar përfundimisht tjetrin.
Shpesh kanë qenë të huajt që kanë tentuar të shmangin krizën e besimit, por dhe ata, për një mijë e një arsye, e kanë në krizë magjinë e tyre të rreptë në Tiranë. Edhe vetë Tirana nuk është më egzotike si më parë, por është shumë më praktike e pragmatiste. “Vranicki” që pritet si zgjidhje pas çdo kthese rruge, në të vërtetë është vetëm një term që ngjall nostalgji e bezdi nga njëra anë dhe shumë mirësjellje diplomatike me vendosmëri për të dëshmuar sovranitet që nuk duhet shkelur, nga ana tjetër.
Presidenti i Republikës mund të ishte një zgjedhje për për t’i afruar më shumë ujë krizës, më shumë aleatë durimit dhe më shumë forcë arsyes. Me kusht që të ishte pak a shumë siç thotë kushtetuta, garant i unitetit, por sidomos siç thotë morali i pashkruar politik, të ishte një autoritet moral i respektuar nga të gjitha palët. Pak a shumë si duhet të jetë Guvernatori i Bankës për financat dhe Ministri i shqiptar Financave për humorin e gjithë shqiptarëve.
Shqipëria politike hap të enjten një sipar të ri të prologut zgjedhor. Atë të diskutimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Identikiti i parë i tij kërkon që të jetë pjesë e mundshme e zgjidhjes së misioneve të pamundura në Tiranë. Që shpesh, si rregull dhe jo si përjashtim, kanë nevojë për teknologjinë e thjeshtë të Vezës së Kolombit. Dhe kur lundërtari i mesjetës zbuloi vetëm me një busull në dorë se i binte më me leverdi të lundronte drejt Perëndimit për të mbërritur në Lindje, tre kapitenët e sotëm Rama, Meta e Basha, duke llogaritur dhe Idrizin, Dukën, Milon, Dulen e të tjerë e të tjerë, e kanë shumë të thjeshtë të gjejnë njëri-tjetrin qoftë në çadrën mbi Bulevard, qoftë në çadër nën dritaret e zyrave. Me një kusht të vetëm: të lundrojnë drejt Perëndimit! Aty ku zgjidhjet e krizave janë “të lehta” e të thjeshta si Veza e Kolombit: i vënë në tryezë dhe i diskutojnë ballë për ballë dhe hall për hall. Duke nisur me çfarë mund t’i bëjë bashkë për të përjashtuar çfarë i mban larg. Dhe bashkë ata mund t’i bëjë dhe aksioma e frikshme: vetëm suksesi nxjerr në pah gabimet! Njëlloj si drita e fortë që nxjerr më në pah hijet më të forta.