Këshilli i Lartë i Drejtësisë është institucioni, i cili do të mbledhë formularin e aftësive profesionale për gjyqtarët deri në krijimin e organeve të tjera kushtetuese.
KLD ka sqaruar zyrtarisht gjithë procedurën që po ndiqet me administrimin e formularëve dhe ku do të dorëzohen ato pas shkrirjes së KLD-së. Deri tani mësohet së këtë formular e kanë dorëzuar vetëm 9 gjyqtarë.
Vetëm 9 gjyqtarë kanë dorëzuar deri tani në Këshillin e Lartë të Drejtësisë formularin e të dhënave profesionale, i cili është një nga tre formularët që do të plotësohet prej tyre për procesin e vettingut.
Në përgjigje të interesimit të Ora News, KLD sqaron se ka ngritur gjithë strukturën e nevojshme për zbatimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë është në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit pas pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Procedura e mbledhjes së formularëve të gjyqtarëve për vlerësimin e aftësive profesionale do të funksionojë sipas rregullave të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH” dhe të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve”. Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 84/2016, në KLD është hapur një regjistër manual për regjistrimin e formularëve të vlerësimit profesional të gjyqtarëve. Aktualisht, procedura është pezulluar për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 25.10.2016 për pezullimin e zbatimit të ligjit dhe pritet të rifillojë sërish, me hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të njoftuar në datën 22.12.2016”.
KLD sqaron se Organi i vlerësimit të aftësive profesionale për gjyqtarët do të fuksionojë brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deri në momentin kur do të ngrihet institucioni i ri kushtetues, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit.
“Sipas nenit 3 pika 10 të ligjit nr. 84/2016, 10. “Organ i vlerësimit të aftësive profesionale” është Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që funksionon sipas ligjit nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të ndryshuar, struktura përkatëse e Prokurorisë së Përgjithshme ose institucionet që bëjnë vlerësimin profesional sipas ligjit”.
Gjithashtu KLD thekson se në bazë të ligjit, pas ngritje së Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, dokumentacioni arkivor do të kalojë pranë këtyre institucioneve siç parashikohet në ligj.
“Deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektoriatet ekzistuese do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj: dh) kryen vlerësimin e punës, siç parashikohet në dispozitën kalimtare të këtij ligji, duke përfshirë edhe ndihmën në rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve, në bazë të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Ligji i vettingut u pezullua nga Gjykata Kushtetuese më 25 tetor të vitit 2016.
Pezullimi pritet të bjerë gjatë këtij muaji, me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të datës 22 dhjetor 2016.