Nga ana tjetër, ligjet prioritare, në zbatim të Kushtetutës së re, parashikojnë një afat të caktuar për shkrirjen e disa institucioneve aktuale të drejtësisë, pavarësisht kohës së ngritjes së institucioneve të reja zëvendësuese. Konkretisht, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, autoriteti përgjegjës për qeverisjen e gjyqësorit, do të shpërndahet brenda datës 11 prill, në një kohë kur bllokimi i Vetingut pamundëson zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, organ i cili sipas Kushtetutës së re do të zëvendësojë KLD.
Pika 1 i nenit 277 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon që mandati i anëtarëve aktualë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor, por në çdo rast jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese. Ndryshimet Kushtetuese kanë hyrë në fuqi në datën 11 gusht të vitit 2016. Sipas përllogaritjeve, në datën 11 Prill përfundon afati 8-mujor, brenda të cilit Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të shpërndahet.
Pra, pas datës 11 prill KLD nuk ekziston më ligjërisht dhe si e tillë as nuk mund të mblidhet dhe as nuk mund të marrë asnjë vendim, brenda atyre kompetencave të parashikuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përtej këtij afati, nuk do të ketë një institucion për emërimin e magjistratëve, për masat disiplinore, për pezullimin, transferimin dhe vlerësimin e punës së gjyqtarëve. Drejtësia do të jetë jashtë kontrollit.
Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë institucioni i ri, i cili do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Që KLGJ të ngrihet si institucion duket të funksionojnë institucionet e Vetingut. Neni 276 i ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon që jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor paraqesin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar dhe dokumentacionin që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra sipas ligjit të Vetingut.
Ligji parashikon që, në rast se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk është krijuar ende, kërkesa depozitohet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Megjithatë, ligji përcakton që, brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të shprehjes së interesit dhe dokumentacionit, komisioni i Vetingut bën rivlerësimin e gjyqtarëve që kandidojnë. Gjyqtari, i cili, me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk e kalon procedurën e rivlerësimit përjashtohet nga procesi i kandidimit, edhe kur ndaj vendimit të komisionit është ushtruar ankim.
Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë ka hyrë në fuqi në datën 15 dhjetor të vitit të kaluar. Sipas nenit 276 të ligjit, brenda 15 janarit të 2017, gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor duhet të paraqisnin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar dhe dokumentacionin që kërkohet për rivlerësimin, sipas ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por, vendimi i fundit i Parlamentit, i cili urdhëroi Avokatin e Popullit që të hapë edhe një herë procedurën e aplikimeve për të shërbyer në organet e Vetingut, e shtyn zbatimin e ligjit të Vetingut përtej datës 26 Qershor të këtij viti.
Afatet ligjore
Kushtetuta e re ka hyrë në fuqi në datën 11 gusht.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpërndahet jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese.
Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë ka hyrë në fuqi në 15 dhjetor 2016.
1 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, gjyqtarët duhet të aplikonin për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të shprehjes së interesit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bën rivlerësimin e gjyqtarëve që kandidojnë. (Komisioni i Pavarur pritet të ngrihet në qershor të 2017).
Jo më vonë se 3 ditë pas përfundimit të rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Rivlerësimit i përcjell Kryetarit të Gjykatës së Lartë listën me emrat e kandidatëve gjyqtarë që e kaluan me sukses procedurën e rivlerësimit.
Brenda 3 ditëve kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve.
Procedura e zgjedhjes së anëtarëve gjyqtarë të Këshillit përfundon brenda 20 ditëve nga data e thirrjes.
Baza ligjore për shpërndarjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Neni 277 i ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë
Krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor
1. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë qëndrojnë në detyrë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Mandati i anëtarëve përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor, por në çdo rast jo më vonë se 8 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese.
2. Këshilli i Lartë Gjyqësor krijohet në ditën kur anëtari i fundit i tij zgjidhet nga autoritetet kompetente. Anëtari jomagjistrat më i vjetër në moshë, i zgjedhur nga Kuvendi, përgatit dhe thërret mbledhjen e parë të Këshillit të Lartë Gjyqësor jo më vonë se 3 ditë pas datës së zgjedhjes së të gjithë anëtarëve.
3. Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhen në mbledhjen e parë. Pas zgjedhjes së tyre, kryetari kryeson mbledhjen. Në mbledhjen e parë Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton një vendim deklarues, i cili përmban datën e krijimit të Këshillit.
4. Në ditën e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor të gjitha dosjet dhe dokumentacioni në administrim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kalon Këshillit të Lartë Gjyqësor nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Kryeinspektorit.
5. Jo më vonë se 1 muaj nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, sistemet aktuale të teknologjisë së informacionit, përfshirë edhe kontratat në fuqi për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e këtyre sistemeve, si dhe çdo dokument tjetër teknik ose juridik kalojnë në dorëzim dhe përgjegjësi të Këshillit nga drejtoria përgjegjëse e Ministrisë së Drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor bëhet palë në kontratat ekzistuese ex lege. shqiptarja.com