Vettingu është provimi i fortë, me të cilin përballen prokurorë e gjykatës, e që vetëm në rast se kalojnë atëherë kanë të drejtën të vijojnë karrierën e tyre në sistemin e Drejtësisë.
Por, nëse në shkallën e parë të Vettingut dhe në të dytën nuk kalon, atëherë ccdo prokuror sipas ligjeve që kanë shoqëruar Reformën në Drejtësi askush nuk mund të jetë pjesë e sistemit.
Me ecurinë e procesit të vettingut është pranuar jo zyrtarisht se roli i ONM është shumë më i madh dhe më thelbësor sesa monitorimi. Sjellja e tyre në seancat dëgjimore dhe sidomos pyetjet apo vlerësimet që ata u bëjnë në këto seanca subjekteve të rivlerësimit janë përcaktuese dhe me ndikim të madh në vendimin final që merr trupa e Komisionerëve të Pavarur të Kualifikimit – thuhet në raportin për Drejtësinë të publikuar nga Instituti i Studimeve Politike.
Por, ajo që të bën përshtypje lidhet me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Sa herë që ata kanë ndërhyrë në proces, me ankime, apo riverifikime të figurës së gjyqtarit apo prokurorit, pasurisë së tij dhe profesionalizmit, ka pasur një lajm të prodhuar, lidhur me vendimmarrjen.
Referuar të dhënave zyrtare (për vendimet e publikuara deri më 26 gusht 2019), rezulton se komisionerët ndërkombëtarë kanë qenë të pranishëm në të gjitha rastet e vendimeve për shkarkim apo konfirmim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Deri tani janë 131 vendime të publikuara me prezencën e tyre, ndërkohë që një rekomandim për ankimim prej Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit bazohet në një vendim ende të publikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. /l.m











