Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, është një mekanizëm i ngritur për të mbikëqyrur procesin e vetingut të anëtarëve të gjyqësorit në Shqipëri. ONM-ja (anglisht: IMO) nuk do ketë funksione ekzekutive, por do të ndihmojë rivlerësimin aktual të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, çka kryhet nga organet shqiptare të vetingut.
Tetë ekspertët e ONM-së kanë mbërritur në Shqipëri dhe presin të fillojnë punën sapo qeveria shqiptare t’u krijojë kushtet teknike për të vijuar detyrën.
Për këtë arsye, eksperti i Komisionit Europian, Giulio Venneri i ka dërguar komisionit parlamentar të Ligjeve një shkresë ku kërkon konfirmimin që qeveria dhe Kuvendi do t’i japin ONM-së financiat dhe burimet njerëzore të nevojshme për të ushtruar aktivitetin normalisht.
Në letrën që po publikohet nga “Gazeta Shqiptare”, eksperti i Komisionit Europian thotë se e gjithë trupa e ONM-së në Shqipëri llogaritet të jetë rreth 40 vetë: ku bërthama përbëhet nga 8 monitorues ndërkombëtarë, të cilët do të asistohet nga 11 kërkues/analistë dhe 11 oficerë ligjorë.
Ndërkohë për ONM-në do të punojnë rreth 12 përkthyes të cilët do të bëjnë të mundur kthimin nga shqipja në anglisht të mijëra faqeve materiale. Përpos këtyre, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të vetingut do të ketë edhe staf teknik si IT apo truproja.