Nga Jakin Marena
Mbajtja në fuqi nga Greqia që këtu e 83 vite me radhë e ligjit të luftës me Shqipërinë është precedent i rrallë në Europë, e ndoshta nga më të rrallët në botë, për nga preteksti i marrjes së këtij vendimi, e mbi të gjitha për nga kohëzgjatja gati një shekull në fuqi.
Fqinji ynë jugor pas vendosjes së ligjit të luftës me Shqipërinë, në atë nëntor të ftohtë të vitit 1940, ka kaluar nëpër demokraci dhe diktatura ushtarake, për të ardhur në demokraci sërish dhe për të qënë më pas pjesë e Bashkimit Europian. Jo për meritë të saj, por thjeshtë se u gjend aty.
Pra gjithçka ka ndryshuar në Greqi, që nga mënyra e qeverisjes, mënyra e veshjes, mënyra e të bërit biznes, turizëm, mënyra e komunikimit, por një gjë ka mbetur e pa ndryshuar: Ligji i Luftës me Shqipërinë. Ai është ‘stampuar’ në ligjet greke dhe s’ia hap njeri ‘kapakët’ për ta revizionuar, apo dhe për ta hequr fare.
Dhe historia e Ligjit të Luftës e ka zanafillën në një kohë të largët, mbi 8 dekada më parë. Fillon më 10 nëntor 1940 kur u shpall dekreti mbretëror grek, ligji 2636 mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë. Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë e kryeministrit Jorgos Xolagoklus e hoqi Ligjin e Luftës. Por pas përfundimit të luftës qeveria e sapo formuar në vitin 1945, që fati e solli që në konferencën e Jaltës të tre të mëdhenjve Çurçill-Stalin-Rusvelt ta linte Greqinë në bllokun perëndimor, e rikthen atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë, me një dekret të ri numër 13.
Dhe nuk ishte faji ynë pse Duçja sulmoi Greqinë. Pasi Shqipëria ka qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe nuk e kishim ne sovranitetin e vendit. Atë vit Greqia i shpalli luftë shtetit italian dhe automatikisht dhe Shqipërisë, e cila ishte pjesë e pushtimit italian. U gjet dhe atëherë një pretekst. Dhe një shqiptar u bë ‘kokë turku’!
Sot Italia, që luftoi nga toka shqiptare fqinjin tonë dhe Greqia e sulmuar asokohe nuk e kanë më këtë ligj lufte, ndërsa me Shqipërinë ligji ekziston. Eshtë një absurd që askush nuk ka i dhënë shpjegim, sado janë munduar të gjithë historianët evropianë dhe të botës, që të hiqet ligji i luftës me shtetin që e sulmoi dhe të mbahet ky ligj me vendin e pushtuar, nga i cili agresori, italianët në këtë rast, sulmuan vendin fqinj. Anispse dhe ato dy batalione shqiptare të rekrutuara me forcë nga italianët, dezertuan në masën 100 përqind brenda javës së parë të luftës, një pjesë u kthyen në shtëpi, një pjesë e vogël kaluan në anën greke dhe luftuan krah saj kundër italianëve pushtues.
Nuk zgjatemi shumë në pretendimet greke për Vorio-Epirin, herë me tonalitet të lartë dhe herë më të ulët sipas qeverisjeve që ka kaluar ky vend përmbi 80 vite me radhë. Sa herë ka pretenduar ka gjetur ndonjë “kallauz” në Shqipëri, që në këmbim të parave dhe të mendjes që nuk ka, është përpjekur në emër të kësaj ideje. Madje dhe duke nisur përplasje dhe konflikte. Dhe më e bukura është se nuk bëjnë sherre në Dropull, që e kemi pranuar se ka minoritet grek aty, ndonëse kanë qënë hyzmeqarë të bejlerëve të jugut kur janë ngulur aty, por janë bërë si autoktonë.
Në Dropull nuk ndodh asgjë, asnjë sherr. Zgjidhet gjithnjë një drejtues vendor, komune më herët dhe tani bashkie apo deputet, nga minoriteti grek, që përfaqëson në shumicën e rasteve dy partitë e mëdha politike, PS dhe PD. Kanë gjetur paqen dropullitët dhe vetë shqiptarët me këtë rast.
E keqja është se gjendet ndonjë lab puro, siç janë dy rastet e fundit me Bollanon dhe Fredi Bejlerin, dy shqiptarë ‘vendi’, për nga gjaku dhe origjina, të cilët bëjnë si grekë 24 karatësh. Pa asnjë lidhje me Himarën, e cila nuk ka minoritet grek por vetëm disa greqishfolës, të cilët pasi ‘furnizohen’ me para dhe me dokumente greke, nisin e bëjnë shamatë. Për t’i dhënë një ‘asist’ Athinës që të ushtrojë presion mbi qeverinë shqiptare për qëllimet e veta të vogla. Se të mëdha nuk ka fuqi.
Ndërkohë që në Greqi nuk ka asnjë minoritet për be, dhe shqiptarët çamë, të cilët popullojnë Greqinë, dhe arvanitasit që ‘popullojnë’ madje gati gjysmën e Parlamentit grek ndër vite, nuk deklarohen shqiptarë. Jo më të kërkojnë statusin e minoritarit. As që bëhet fjalë. Persekutohen.
Ndërkohë që Ligjin e Luftës me Shqipërinë as që bëhet fjalë ta heqin. Pa asnjë argument, po kështu është puna thonë. Kemi një marrëveshje bashkëpunimi të vitit 1996, dhe mbahemi aty. Madje vijnë e bëjnë dhe fushatë, vijnë dhe protestojnë në Shqipëri zyrtarë të lartë, për t’i bërë presion qeverisë shqiptare e drejtësisë së re shqiptare, që të lirojë një të akuzuar për vrasje të ushtarakëve shqiptarë në kufi dhe një blerës funksional votash si Fredi Bejleri i kandiduar nga Berisha. Ironi e fatit, por ja që ndodhi. Një ‘litar’ i lënë jashtë për të pasur konfliktin gati.
Pavarësisht se thuhet se një nga arsyet mbajtjes në këmbë për 83 vite të Ligjit të Luftës me Shqipërinë, është çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi, të cilat janë ngrirë. Në bazë të dekretit të 1940 shtetasit e huaj me të cilët Greqia kishte shpallur luftë ishin të privuar nga pronat e tyre. Dhe s’janë pak, kanë dhe ‘kamatën’ për 83 vite që e zhysin tërësisht Greqinë, e cila duhet të dalë në ankand për t’i paguar. Nëse do të respektoheshin të drejtat ndërkombëtare themi.
Dhe këtu nuk flasim vetëm për pronat e çamëve, por për pronat e shqiptarëve në tërësi, bejlerëve shqiptarë që kishin pasuri në tërë qytetet greke, kishin lagje të tëra në zotërim dhe para në bankat greke, pasuri që u sekuestruan dhe sot nuk ka asnjë mundësi që shqiptarët t’i drejtohen gjykatave greke për të kërkuar pronat e tyre. Sepse të ndalojnë në kufi, të shpallin të padëshirueshëm dhe të refuzojnë hyrjen në Greqi për 10 vite apo tërë jetën. Madje dhe ata që flasin për këto elementë.
Pra është një histori absurde që dhe në rast se kërkon që t’ia shpjegosh dikujt me mendje të shëndoshë, nuk di se si t’ia thuash. Sepse një evropian, një afrikan, një aziatik dhe një amerikan nuk e kupton këtë. Ka ligj lufte përtej normales kudo, por një absurdi të tillë, është vështirë t’i gjesh të ngjashëm në historinë ë popujve të botës.
Ia ka kërkuar qeverisja aktuale Greqisë heqjen e Ligjit të Luftës, e me gjithë premtimet e marra në këtë rast, nuk ka një vendim Parlamenti të materializuar me dekret presidencial më pas, që të ketë hequr nga supet e Greqisë këtë absurd. Madje as dhe vendimin e qeverisë së atëhershme greke, të marrë më 28 gusht 1987 për heqjen e ligjit të luftës, e kanë lënë pa botuar në gazetën zyrtare. Për 36 vite me radhë pa botuar në fletoren zyrtare. Do ta zbuste pak situatën, ndonëse nuk ishte një heqje e plotë e Ligjit të Luftës, që të përfshinte gjithë parametrat e saj.
Vetëm kërkohet dhe kërkohet, madje dhe për të shpallur tërë jugun shqiptar helen. Të paktën kjo ishte deviza e Bejlerit gjatë fushatës elektorale për pushtetin vendor të 14 majit, për zgjedhjet në bashkinë e Himarës. Tërësisht shqiptare, por dhe grek-folëse. Ku ‘fajtore’ për këtë gjë, veç fqinjit tonë dhe ‘kallauzëve’ me gjak shqiptar është dhe natyra. Më saktë ‘fajtore’ është Llogaraja, që himarjotët nuk e kapërcenin dot me mushka për të bërë tregti me pjesën tjetër të vendit, dhe kishin më lehtë të shkonin me varka në Korfuzin e ‘blerë’ nga grekët, përballë. Këtu dhe u lëvrua gjuha greke ndër himarjotë dhe mbeti. Madje dhe veriorëve që mbetën pa kaluar në Itali dhe u instaluan në Himarë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, u mbeti gjuha e greke, si gjuhë e tregtisë. Ndonjëri bën dhe si grek, si në rastin e Bollanos. Kështu dhe progonatasi lab ‘vendi’ Bejleri, që ‘vdes’ për helenizmin, dhe tashmë është në burg për blerje votash.
Aq shumë e ngriti zërin kryeministri aktual grek Mitsitakis për nxjerrjen urgjent nga burgu të Bejlerit, pa pyetur për vendim të gjykatave shqiptare, e ku përmes zyrtarëve të tij kërcënoi qeverinë shqiptare e Shqipërinë se do ta bllokonte procesin e integrimit në BE si dhe financimet e unionit evropian për Shqipërinë, sa dhe vetë BE, SHBA e Britania nuk e morën seriozisht. Madje ia prenë shkurt duke deklaruar që drejtësia shqiptare të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin për këdo në mënyrë të barabartë, pa ndërhyrje nga politika. Aq më tepër ndërhyrje nga fqinjët.
Anashkaloi dhe kryeministrin Edi Rama dhe nuk e ftoi në darkën informale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, në 20 vjetorin e nismës së Selanikut që nismoi fillimin e procesit të integrimit në BE. Duke marrë dhe ‘shuplakën’ e kreut të Komisionit Evropian për këtë anashkalim. Por dhe duke u bërë objekt humori në samitet e mëpastajme, apo në intervistat e dhëna nga liderë të ndryshëm në Shqipëri dhe vendet e tjera. Si në rastin e samitit të Bled-it në Slloveni, ku plasi humori.
Me tone të qeta foli dhe kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, i cili në disa intervista deklaroi se s’mund të ndërhyjë në punët e drejtësisë së re. E cila për hir të së vërtetës ‘pultin e komandimit’ në sensin pozitiv të fjalës, e ka në Uashington, Bruksel ku bën pjesë dhe Greqia dhe Londër. Kanë paguar nga ‘A’ tek ‘ZH’ për ngritjen e kësaj drejtësie partnerët dhe e kanë vënë kusht për qeverinë shqiptare mosndërhyrjen në punën e saj, nëse kërkon që të integrohet në BE. Të ishte ndryshe dhe kjo mazhorancë të diktonte drejtësinë, do të nxirrte ish-zyrtarët e vet nga burgu, jo më Bejlerin.
Pavarësisht se që në krye të herës Rama, iniciusi i reformës në drejtësi duke e pasur si bazën e fushatës së zgjedhjeve të vitit 2013 kur erdhi në pushtet, ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë mburojë politike për zyrtarët e PS nëse shkelin ligjin, dhe se nuk komenton vendimet e drejtësisë së re por i jep vetëm mbështetje të gjithanshme. Për aq sa i takon qeverisë. Premtim që e ka mbajtur, duke marrë në kurriz dhe akuzat e Berishës sëpaku se ‘nuk mbron njerëzit e vet’.
Ndaj themi se ky qëndrimi Greqisë për Bejlerin dhe kërcënimet ndaj qeverisë shqiptare me bllokim integrimi në BE dhe bllokim fondesh të unionit, është kthyer në një barcaletë. Duke na bërë të gjithëve kuriozë se si do të ndjehet Mitsitakis në samitin e Berlinit që zhvillohet në tetor në Shqipëri, përballë Ramës si kryesues, që në rastin e anashkalimit të darkës informale në Athinë nuk e llogari fare dhe s’pati as hatërmbetje. Ndonëse ‘thumboi’ homologun grek, teksa nënvizoi se ai nuk do ta bënte një gjë të tillë po të ishte në vend të Mitsotakisit, dhe se nuk do t’i përgjigjej me të njejtën monedhë liderit grek për samitin e Berlinit në tetor të këtij viti në Tiranë.
Por dhe humori me Putin dhe paralelizmi me Ukrainën që po përballon agresionin rus, dhe batutat se vendet e rajonit duhet të sulmojnë njëri tjetrin që t’i bashkohen trenit të integrimit, pa kursyer Greqinë me ironi, ishte një qasje kritike e Ramës për të evidentuar zvarritjen e procesit të zgjerimit, por dhe standardit të dyfishtë që po aplikojnë vendet e BE për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Union. Dhe pjesë e BE është dhe Greqia, që në vendin e vet kërkon të respektohet shteti ligjor, teksa kundërshton pretendimet e kandidatit mysliman në një cep të në vendit të vet, ndërsa i kërkon Ramës që me urdhër politik dhe pa gjyq të nxjerrë urgjent Bejlerin, i cili akuzohet për blerje votash, nga burgu në Shqipëri.
Por dhe për standardin e dyfishtë që përdor vetë Greqia si vend anëtar i BE për Ligjin e Luftës me Shqipërinë që ka 83 vite që e mban në fuqi. Një kiamet politik të themi. Dhe këtë e pranon në heshtje dhe vetë BE, e cila ka si vend anëtar Greqinë.
Pra, duke pasur parasysh se për gjithçka kanë bashkë-dakordësi unanime të gjitha vendet e BE, i bie që dhe vetë Unioni të jetë në heshtje dakord për mbajtjen në këmbë nga Greqia të Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Ndryshe, një veto të kishte vënë BE, si kusht për heqjen e këtij ligji absurd do ta vinte Greqinë përballë zgjedhjes: Ose jashtë dyerve të Unionit ose të heqë Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Pasi të dyja bashkë sikur nuk shkojnë. Do shpëtonin dhe vetë vendet e BE.
Si nuk doli një vend anëtar i BE që ta kërkojë një gjë të tillë, thjeshtë dhe vetëm duke pasur parasysh faktin se nëse do zbatohej standardi që përdor Greqia me Shqipërinë, atëherë të gjitha vendet evropiane do të kishin në këmbë Ligjin e Luftës me njëra tjetrën, pasi ishin të pushtuara nga Gjermania e Hitlerit në kohën e Luftës së Dytë Botërore, e po të gjitha me ish Bashkimin Sobjetik. Nga vendet e tyre iu shpalli luftë Hitleri vendeve fqinje me vendin e pushtuar. Siç bëri Italia me Greqinë, pasi pushtoi Shqipërinë, i shpalli luftë.
Eshtë koha që disa absurditete që të ‘nxjerrin sytë’ t’u vijë fundi dhe Greqia të marrë rolin e vet si vend anëtar i BE, vend demokratik dhe që nuk ka qëllime joserioze ndaj fqinjëve. Dhe atëherë kur ka takat, jo tani që është në ‘bisht’. Të paktën të veprojë siç dinë helenët, me dinakëri, jo aq trashë sa të ketë ortakë në këtë lojë të ‘vobektë’ një njeri si Fredi Bejleri apo si Sali Berisha. Pa asnjë përkrahje nga SHBA, BE e Britania. Se i keqi të bën të keq, ashtu dhe ‘non gratat’ të katandisin ‘non grata’. Dhe të pashpallur. Është shprehje që përdoret dhe nga fqinji ynë kjo.